1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Bullgari vazhdojnë protestat

4 Mars 2013

Dhjetëra mijëra qytetarë demonstruan sërish kundër varfërisë dhe korrupsionit në Bullgari. Bullgarët janë të pakënaqur dhe nuk e ndiejnë veten të përfaqësuar sa duhet nga asnjë parti politike.

https://p.dw.com/p/17pn6
Mijëra vetë protestuan në Bullgari kundër varfërisë
Mijëra vetë protestuan në Bullgari kundër varfërisëFotografi: Reuters

Pas dorëheqjes së qeverisë në Bullgari, dhjetëra mijëra vetë demonstruan kundër varfërisë dhe korrupsionit. Vetëm në qytetin bregdetar Varna dolën në protestë mbi 50.000 njerëz, njoftojnë mediat vendase. Kryeministri Bojko Borisov dha dorëheqjen disa ditë më parë, pas protestave të dhunshme kundër rritjes së çmimeve të energjisë elektrike. Së shpejti pritet të emërohet një qeveri e përkohshme, që do ta udhëheqë vendin deri në zgjedhjet e majit.    

Sondazhet e fundit tregojnë se një shumicë në parlamentin e ri nuk mund të sigurohet as nga partia me orientim të djathtë GERB e Borisovit as nga socialistët. Qytetarët janë thellësisht të pakënaqur dhe nuk e ndiejnë veten të përfaqësuar sa duhet nga asnjë parti politike. Borisov ka refuzuar formimin e një qeverie të unitetit kombëtar.

Pakënaqësi për shkak të korrupsionit dhe standardit të ulët të jetesës

Fillimisht protestat nisën për shkak të faturave të larta të rrymës elektrike dhe ngrohjes, por më pas ato u drejtuan kundër të gjithë qeverisë. Nga ana formale çmimi i energjisë elektrike në Bullgari është më i ulëti në BE, në Gjermani energjia kushton tri herë më shumë. Megjithatë dy operatorët privatë, shoqëria çeke, CEZ, dhe ajo austriake EVN kërkojnë tarifa të larta të rrjetit. Kjo bëri që çmimi i energjisë të dyfishohej brenda një viti, për shumë bullgarë gati i papërballueshëm për t'u paguar.

Mijëra vetë protestuan në Bullgari kundër varfërisë e korrupsionit
Mijëra vetë protestuan në Bullgari kundër varfërisë e korrupsionitFotografi: picture-alliance/dpa

Borxhi kombëtar i Bullgarisë është një ndër më të ulëtit në BE. Megjithatë shumë qytetarë të shtetit më të varfër të BE-së janë të pakënaqur për shkak të korrupsionit dhe standardit të ulët të jetesës. Kuota e papunësisë është nën 12 për qind. Të ardhurat mujore janë rreth 350 deri në 400 euro. Qytetarët një pjesë të madhe të këtyre të hollave i shpenzojnë për energji elektrike. Edhe pse çmimet e energjisë elektrike ishin ngritur qysh në korrik të vitit të kaluar efektet e para filluan të ndihen në dimër, pasi shumë familje ngrohen me energji elektrike.

Autor: Esat Ahmeti (dpa, dw)

Redaktoi: Auron Dodi