1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Greqi kërkohen me zell "mëkatarët"

Jani Papadimitriou / Eliana Xhani12 Dhjetor 2012

Sa i vërtetë është zëri se Margarita Papandreu, nëna e ish-kryeministrit grek ka depozituar para në llogari në Zvicër duke shmangur fiskun grek? Megjithëse provat mungojnë janë të shumtë ata që u besojnë këtyre zërave.

https://p.dw.com/p/170Oq
Fotografi: picture-alliance/dpa

Zanafilla e spekulimeve ishin njoftimet e së përjavshmeve athinase "To Vima" dhe "Proto Thema", të cilat pretendonin se 89 vjeçarja Margarita Papandreu, kishte depozituar rreth 500 milionë dollarë me emër të rremë në llogari në Zvicër. Prova për këtë nuk ka, të dy gazetat i referohen me gjasë deklaratave të disa zyrtarëve të lartë të financave, gjatë një hetimi për evazion fiskal.

Zyrtarët në fjalë thuhet të kenë deklaruar, se në "listën Lagarde", të quajtur si ish-ministrja franceze e Financave, sot shefe e FMN-së, Christine Lagarde, figuron një grua që ka vepruar për llogari të Margarita Papandreut. Lista përmban emrat dhe të dhënat bankare të titullarëve grekë të llogarive në filialin zvicerian të bankës HSBC. Ajo ishte pjesë e të dhënave që qeveria franceze pati blerë nga një punonjës i kësaj banke.

Në vitin 2010 ajo iu dorëzua ministrit të atëhershëm grek të Financave Jorgos Papakonstantinu, por u zhduk në rrethana të pashpjeguara në labirintin e burokracisë greke, derisa gazetari athinas Kostas Vaxevanis, e zbuloi atë në tetor dhe e publikoi pjesërisht në revistën e tij politike "Hot Doc".

Vetëm një fushatë politike shpifjesh?

Ish kryeministri grek Jorgos Papandreu
Akuza për shpifje - ish kryeministri grek Jorgos PapandreuFotografi: dapd

Ish-kryeministri Jorgos Papandreu hedh poshtë çdo akuzë dhe flet për një fushatë shpifjesh kundër atij vetë dhe familjes së tij. Kjo nuk mund të kundërshtohet lehtë, pasi në Greqi është një e fshehtë e njohur për të gjithë, se gjatë mandatit të tij Papandreu bëri shumë armiq në radhët e botuesve grekë, pasi ndryshe nga disa paraardhës të tij në post, refuzoi financimin e medieve kryesore të vendit nga bankat.

Veç kësaj disa nga dëshmitarët e cituar kundërshtojnë të kenë bërë ndonjëherë deklarata të tilla. "Nuk kam pasur kurrë dijeni për ndonjë të ashtuquajtur listë Lagarde", deklaroi në fillim të dhjetorit hetuesi fiskal Nikos Lekkas, i cili në të gjithë artikujt e gazetave përmendet si zbuluesi i skandalit. Ai shtoi se nuk ka përmendur asnjëherë emra që kishin ndonjë lidhje me këtë çështje.

Shtim i çuditshëm i listave

"Lista e turpit" - një listë me emrat e grekëve që nuk kanë paguar tatimet.
"Lista e turpit" - një listë me emrat e grekëve që nuk kanë paguar tatimet.Fotografi: picture-alliance/dpa

Kështu mbetet e hapur pyetja më interesante: kur do t'i mësojnë grekët më në fund emrat konkretë të personave të njohur, që u janë shmangur detyrimeve fiskale dhe kanë transferuar miliarda jashtë shtetit?

Qeveria përpiqet t'i qetësojë gjakrat duke siguruar se për këtë po punon me intensitet për një marrëveshje fiskale me Zvicrën. Por nuk janë të paktë ata që dyshojnë në suksesin e negociatave.

Michel Dèrobert, drejtues i shoqatës së bankierëve privatë zvicerianë, u shpreh për të përjavshmen athinase "Proto Thema": "Nëse morali fiskal në Greqi është i ulët ai nuk mund të forcohet me një marrëveshje fiskale me jashtë. Pjesa më e madhe e të prekurve në këtë rast do të mendonin: nëse unë prej vitesh nuk paguaj tatime në vendin tim, përse duhet ta bëj këtë tani pikërisht në Zvicër?"

Aty ku mungojnë informacionet zyrtare mbetet shumë vend për spekulime. Ndërkohë në qakullim nuk janë më një ose dy por plot pesë lista të ndryshme me të dyshuar në skandale të ndryshme fiskale: lista e famshme Lagarde, sipas njoftimeve në shtypin grek, plotësohet nga një tjetër listë e shoqatës së bankave greke, në të cilën gjenden në radhë të parë klientë të pasur të bankave. Veç kësaj ekziston një listë me pronarë grekë pasurishë të patundshme në kryeqytetet e mëdha evropiane si dhe një listë me 54.246 klientë bankash, të cilët sipas të dhënave të Ministrisë greke të Financave, që prej shpërthimit të krizës kanë transferuar mbi 22 miliardë euro jashtë vendit. Zbulimi i fundit është një listë e publikuar pak kohë më parë nga një e përditshme athinase me emrat e 1.747 personave të cilët dyshohen për "pasurim të papritur".

Gazetari grek Kostas Vaxevanis
Gazetari grek Kostas VaxevanisFotografi: picture-alliance/dpa

"Unë kam dhënë ryshfet"

Një gjë kanë të përbashkët të gjitha këto lista: ato ofrojnë dyshime dhe shumë lëndë për diskutim por jo prova. Mos vallë po kërkohet vetëm dikush për t'i hedhur fajin? Në të vërtetë gjetja e provave është detyrë e autoriteteve përkatëse fiskale, por ato punojnë me shumë ngurim.

Në një intervistë me të përditshmen greke "Kathimerini", ish- sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Financave Diomidis Spinellis, bëri përgjegjëse burokracinë e fryrë. Ish-pedagogu i informatikës nuk pranon t'i besojë më premtimeve të shtetit dhe ka dhënë vetë një ide për më shumë drejtësi fiskale: Spinellis ngriti një faqe interneti, në të cilën çdo qytetar mund të njoftojë, edhe në mënyrë anonime, raste evazioni fiskal dhe korrupsioni. Për faqen e internetit kujdesen vullnetarë dhe ka tashmë edhe simotra: një 22-vjeçare greke ngriti faqen e saj të internetit me emrin domethënës "Edosa Fakelaki" (Unë kam dhënë ryshfet). Brenda pak javësh në faqe u regjistruan qindra përdorues: pjesa më e madhe tregonin për ryshfete të dhëna në spitalet publike, në zyrat shtetërore të elektrikut apo edhe në provimin e patentës.