1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pse e ka Greqia të vështirë të krijojë qeveri koalicioni

9 Maj 2012

Megjithë rreziqet e falimentimit të shtetit, mbetet i pamundur krijimi i një qeverie koalicioni, që do të mund të nxirrte Greqinë nga kriza e borxheve. Kjo ka të bëjë edhe me mungesën e traditës së koalicioneve.

https://p.dw.com/p/14sAm
Presidenti grek Papulias takon Cipras
Presidenti grek Papulias takon CiprasFotografi: AP

Megjithë rreziqet e falimentimit të shtetit, vazhdon të mbetet i pamundur krijimi i një qeverie koalicioni, i cili do të mund ta nxirrte Greqinë nga kriza e borxheve. Politikanët fajësojnë njëri tjetrin për dështimin e bisedimeve negociuese. Pika të përbashkëta ka pak, për shkak të shpërbërjes së peisazhit politik pas zgjedhjeve parlamentare, por edhe sepse koalicionet nuk kanë traditë në Greqi. Manovrat taktike janë për shumë politikanë më të rëndësishme se negociatat me objektiv të caktuar.

Pas rezultatit kthjellues të zgjedhjeve për të dy partitë e mëdha, bisedimet e koalicionit janë në aktivitet të plotë, por pa rezultate konkrete. Konservatori Antonis Samaras, i ngarkuar fillimisht me krijimin e qeverisë duke qenë grupi më i madh parlamentar, e dorëzoi mandatin pas 5 orë e gjysëm. Kryetari i partisë së Majtë, që mori papritur shumë vota, Alexis Cipras, këmbëngul në kërkesat maksimale, të cilat i kanë trembur partnerët e mundshëm të koalicionit. Kryetari i socialistëve Evangelos Venizelos, i cili është duke provuar tani fatin e tij, nuk ka shanse më të mira.

Taktikat partiake vazhdojnë

Gjithçka është vetëm taktikë partiake, shpjegon komentatori Alexis Papachelas për televizionin Skai. Të tre politikanët nuk duan më shumë se sa të detyrojnë zhvillimin e zgjedhjeve të tjera pas pak javësh, në mënyrë që të përmirësojnë rezultatin e zgjedhjeve dhe të përziejnë kartat nga e para, mendon gazetari.

"Kjo është një lojë taktike. Aktualisht, asnjë nga tre partitë nuk dëshiron të marrë përgjegjësinë për zgjedhje të reja, sepse njerëzit nuk duan përsëritje,“ thotë Papachelas. Për këtë arsye çdo politikan përpiqet t`ia verë fajin tjetrit për qorrsokakun. Për partitë e mëdha zgjedhje të reja do të thotë se ato duhet të rigjejnë veten brenda 20 ditëve, thotë Papachelas.

Mungon tradita e kompromisit

140 vitet e fundit, politikanët grekë kanë rënë vetëm shtatë herë dakord për krijimin e një qeverie shumëpartiake. Kultura e kompromisit nuk njihet nga ky vend, për të mos thënë se është e dyshimtë. Politika kuptohet zakonisht si lojë me rezultat zero, ku njëri fiton atë që humbet tjetri. Por fiksimi tek qeverisja i vetëm ka edhe shkaqe të tjera të thella, mendon Nikos Karavitis, profesor i financave në Universitetin Panteion në Athinë.

Parlamenti grek
Parlamenti grekFotografi: dapd

„Në të kaluarën janë krijuar grupe klientele me ndikim të madh, të cilat ushtrojnë presion mbi politikën,“ thotë Karavitis për televizionin Skai. Klasa politike duhet të distancohet fillimisht nga grupe të tilla interesi. Vetëm atëherë reformat do të bëhen me gjithë zemër. Tingëllon si gjë e thjeshtë, por në fakt është shumë e komplikuar, thotë ekonomisti nga Athina.

Karavitis është i mendimit se nepotizmi i shfrenuar pengon veprimtarinë e përbashkët të forcave politike për modernizimin e shtetit në Greqi. Ai përmend si shembull reformën e sistemit fiskal, e cila duhet të kishte përfunduar siç donin edhe donatorët ndërkombëtarë, por që ka mbetur praktikisht në darat e politikës.

„Maksimumi në muajin qershor, qeveria greke duhet të prezantojë ligjin e ri fiskal, i cili thjeshtëson rregullat në fuqi dhe lufton me efektivitet evazionin fiskal,“ mendon profesori. Forcat politike, të cilat janë duke biseduar aktualisht për një qeveri koalicioni, duhet të largohen nga retorika partiake, dhe të veprojnë me guxim për të plotësuar vakumin tatimor. „Por nuk e bëjnë këtë sepse kanë frikë se mërzisin klientelën e tyre," thotë Karavitis.

Thirrjet për bashkëpunim nuk mbështeten

Deputetë si ish-ministri socialist i Shëndetësisë, Dimitris Kremastinos ose politikani konservator i ekonomisë Kostis Hatzidakis, të cilët kërkojnë prej vitesh bashkëpunim ndërpartiak hasin në keqkuptim në radhët e partive të tyre. Pas dështimit historik në zgjedhjet e së dielës, kryetarët e partive popullore e kanë kuptuar nevojën e një qeverie të bashkimit kombëtar. Dhe morën vendim pak orë para hapjes së kutive të votimit.

Por, lojrat taktike nuk kanë mbaruar, mendon gazetari Alexis Papachelas.

„Ne me siguri do të përjetojmë se si kryetari i socialistëve dhe ish ministër i Financave Venizelos do të propozojë të majtin Cipras si kryeministër me pushtet të plotë për rishikimin e paketës për shpëtimin e Greqisë,“ thotë Papachelas. Pas saj fshihet një lëvizje taktike. Vetë Venizelosit i është dashur shpesh të bisedojë deri në orën e para të mëngjesit me ministrin gjerman Schäuble apo me FMN, prandaj e di mirë si ndihet njeriu kur kërcënohet me mbylljen e rubinetit të ndihmave, dhe dëshiron natyrisht që këtë shije ta ndiejë edhe Cipras.

Autor: Jannis Papadimitriou/ Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi