1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EU-Außenminister Cordoba

4 Mars 2010

Një herë në gjashtë muaj ministrat e Jashtëm të BE-së diskutojnë parimet bazë të politikës së jashtme. Kësaj here në takimin e Cordobës është ndryshe, se shefja e diplomacisë evropiane Ashton kërkon të japë tonin.

https://p.dw.com/p/MJlm
Cordoba, AndaluziFotografi: picture-alliance / dpa

Metropoli andaluzian, Cordoba, është sipas pikëpamjes së presidencës spanjolle të BE-së, një vend i mirë për të menduar për procesin e paqes në Lindjen e Afërme. Në fund të fundit gjatë mesjetës këtu kanë jetuar për shekuj me radhë në paqe maurë, hebrejë dhe kristianë. Ministrat e Jashtëm të 27 vendeve të BE-së do të vizitojnë xhaminë me famë botërore të Cordobës, në mënyrë që t`i japin takimit të tyre strategjik, që do të zhvillohet të premten dhe të shtunën edhe karakterin e një takimi jozyrtar.

Belgien EU Parlament Anhörung Catherine Ashton
Catherine Ashton, e ngarkuara me politikën e Jashtme në Bashkimin Evropian.Fotografi: AP

Në takim do të marrë pjesë për herë të parë Lady Catherine Ashton, e ngarkuara me politikën e Jashtme në Bashkimin Evropian. Posti sapo është krijuar nëpërmjet paktit të Lizbonës. Takimi në Spanjë është takimi i parë, që zhvillohet sipas rregullave të reja. Lady Ashton nuk është ftuar vetëm si mike e takimit të ministrave të jashtëm, por do të duhet ta drejtojë atë. Por presidenca spanjolle e radhës e BE-së, është duke parë me shumë kujdes që ministrja e Jashtme e BE-së, të mos sundojë shumë pjesë të skenës. Marrëdhëniet midis ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare dhe Zonjës, që kërkon t`i japë politikës së Jashtme të BE-së një zë dhe një imazh unik, janë të tensionuara. Catherine Ashton ëshë duke kërkuar kompetencat e saj për të formuar territorin e saj politik, thotë një diplomat i BE-së.

Konkurenca është e ashpër për zënien e vendeve

Konkurrenca është e madhe ndërmjet ministrave të jashtëm të vendeve anëtare, ministres së Jashtme të BE-së dhe Komisionit të BE-së për krijimin dhe zënien e vendeve të ministrisë së re të Jashtme të BE-së, e cila do të përmbajë disa mijëra punonjës. Bashkimi Evropian kërkon të ngrejë me shumë milionë euro ambasada të reja dhe të emërojë diplomatë të rinj. Në Bruksel diplomatët kritikojnë se në ministrinë e Jashtme tonet po vendosen më shumë nga britanikët. Gjermanishtja, duhet të luajë patjetër rol të rëndësishëm si gjuhë pune në korpusin e ri diplomatik, thonë rrethet gjermane.

OSZE Konferenz in Madrid 2007 Rede Zapatero
Miguel Angel Moratinos, ministër i Jashtëm i Spanjës me kryeministrin Jose Luis Rodrigues ZapateroFotografi: AP

Vendime për parimet bazë

Kryetari spanjoll i Këshillit të BE-së, Miguel Moratinos njoftoi se në takimin e Corbodas do të bihet dakord për parimet bazë të ministrisë së re të Jashtme. Sqarime kërkohen për shumë çështje: „Çfarë kërkon të arrijë Bashkimi Evropian me shërbimin e ri diplmatik? Si duhet të jenë marrëdhëniet tona me fuqitë që kërkojnë të rrisin influencat? Si do ta përballojmë këtë aventurë për të politikë të jashtme më unike dhe më të fortë të Bashkimit Evropian, të bazuar në Paktin e Lizbonës?“

Ministrat e Jashtëm me përvojë të vendeve anëtare të BE-së, i tregojnë Catherine Ashton-it se është e re në parketin diplomatik. Në Komisionin e fundit të BE-së, Lady Ashton ishte e ngarkuar me politikën tregtare.

Evropa po humbet influencën

Ministrat e Jashtëm të BE-së duan të diskutojnë si mund të organizojnë më mirë në të ardhmen marrëdhëniet me shtetet që kërkojnë të rrisin influencës si Kina, India dhe Brazili. E ngarkuara me politikën e Jashtme Ashton, paralajmëroi para pak kohës se Evropa ka rrezik të humbasë ndikimin e saj në një botë multipolare, sepse numri i popullsisë është duke rënë dhe rëndësia ekonomike po ashtu. Në vitin 2050, pjesa e Evropës në popullsinë botërore do të bjerë nga shtatë në pesë përqind. Forca ekonomike do të bjerë nga 21 në 18 përqind.

Lindja e Afërme

Ministri i Jashtëm spanjoll, organizator i takimit, Miguel Moratinos thotë se mendimet strategjike duhet të përqëndrohen në Lindjen e Mesme dhe të Afërme: „Lindja e Afërt ndodhet në një moment kthese ku ne si evropianë duhet të japim kontributin tonë. Ne duhet të përkrahim përpjekjet e qeverisë amerikane, për rifillimin e bisedimeve.“

Belgien EU Gipfel Nicolas Sarkozy Bernard Kouchner und Zapatero lesen Zeitung
Nicolas Sarkozy, ministri i Jashtëm Kushner, homologu i tij spanjoll Moratinos dhe kryeministri spanjoll Zapatero me gazetën 'El Pais'Fotografi: AP

SHBA janë duke u përpjekur për rifillimin e bisedimeve të paktën indirekte midis palestinezëve dhe Izraelit, pas më shumë se një vit pushimi. Qeveria izraelite refuzon kërkesën e palestinezëve, që para fillimit të bisedimeve të reja të ndalohet ndërtimi i ngulimeve në Jeruzalem dhe në Bregun Perëndimor të Lumit Jordan. Kontaktet me Hamasin radikal, i cili sundon në Rripin e Gazës nuk janë të mundshme zyrtarisht.

Diplomatët francezë këmbëngulin që Kombet e Bashkuara të merren sërish me çështjen e Lindjes së Mesme. Bllokimi i Rripit të Gazës dhe 1,5 milionë banorëve të tij duhet të marrë fund. Me anë të një letre ish ambasadorët francezë në rajon, kërkojnë dërgimin në rajon të trupave paqësore të Kombeve të Bashkuara.

Politika ndaj Iranit dhe Afganistani

Ministrat e Jashtëm duan po ashtu do të diskutojnë për politikën atomike të Iranit. Ofertat për bisedime të vitit të fundit kanë dështuar, thotë Catherine Ashton, ministrja e Jashtme e BE-së në një takim në Bruksel: „Ne jemi të shqetësuar për vazhdimin e aktiviteteve nukleare të Iranit. Komuniteti ndërkombëtar nuk ka më besim dhe udhëheqja iraniane nuk bën asgjë për ta ndryshuar këtë.“

Guido Westerwelle
Ministri i jashtëm gjerman, Guido WesterwelleFotografi: AP

Lady Ashton la të kuptohet se BE është e gatshme që të pranojë sanksione më të ashpra kundër Iranit. Në rripin e krizës në Lindjen e Afërme dhe të Mesme, krah Iranit bën pjesë edhe Afganistani. Bashkimi Evropian është përgjegjës për rindërtimin dhe trajnimin e policisë. Në këto fusha ministrat e jashtëm duan të bëjnë më shumë se deri tani, me objektivin që ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle e përmbledh kështu: „Ne nuk duam të rrimë në Afganistan pafundësisht. Ne duam që në vitin 2010 të fillojë kalimi i përgjegjësive në autoritetet lokale. Ne duam që në vitin 2011 të fillojmë të reduktojmë trupën ushtarake. Dhe ne duam që në vitin 2014 të ketë arritur dita që përgjegjësia t`i kalojë krejtësisht udhëheqjes afgane."

Të shtunën do të ftohen për bisedime jozyrtare edhe kandidatët për pranim në BE, Turqia, Kroacia dhe Maqedonia. Pastaj do të bisedohet edhe për përfshirjen në BE të vendeve të Ballkanit perëndimor, duke përqëndruar vëmendjen tek Bosnje Hercegovina, ku në muajin tetor zhvillohen zgjedhjet parlamentare.

Autor: Bernd Riegert / Aida Cama

Redaktoi: Angjelina Verbica