1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Kosovë arrestohen edhe 15 persona, përfshirë edhe imam të xhamive

Bekim Shehu17 Shtator 2014

Arrestimet e sotme pasojnë ato të 11 gushtit, ku policia arrestoi 40 persona të dyshuar për përfshirje në aktivitete terroriste jashtë vendit dhe lidhje me organizatat Al-Nusra dhe shteti islamik, IS.

https://p.dw.com/p/1DDsX
Fotografi: Reuters

Policia e Kosovës arrestoi në mëngjesin e së mërkurës me 17.09., 15 persona në mesin e tyre disa imamë të xhamive nga rajone të ndryshme të Kosovës. Të arrestuarit dyshohen për cenim të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, konfirmon policia e Kosovës. Operacioni policor është realizuar në 16 lokacione të ndryshme gjithandej Kosovës.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se “ky operacion policor është ndërmarrë duke vlerësuar rrezikun dhe rëndësinë për sigurinë nacionale, mbrojtjen e rendit kushtetues, ruajtjen e rendit dhe ligjit, si dhe në frymën e ruajtjes së respektimit të të drejtave të secilit person të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kosova njihet si vend i tolerancës fetare dhe i respektimit të të drejtave të njeriut pa dallime race, feje apo gjinie, vlerëson Policia e Kosovës.

“Policia e Republikës e Kosovës shfrytëzon rastin që përmes kësaj komunikate zyrtare të njoftojë qytetarët e saj për rrezikun, që i kanoset çdokujt, që merr rrugë për t'iu bashkangjitur organizatave të dyshuara, që operojnë në territorin e Sirisë dhe Irakut, ku deri tani disa persona nga Kosova janë deklaruar të vrarë. Një pjesë e madhe e këtyre organizatave, siç janë Al-Nusra dhe ISIS, janë të shpallura Organizata Terroriste nga organizmat ndërkombëtarë, si dhe të njohura si të tilla edhe nga institucionet vendore, andaj Policia e Kosovës u bën apel të gjithë personave, që mos të bien pre e joshjeve dhe indoktrinimeve ideologjike dhe për çdo rast të njoftojnë Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në të kundërtën sipas Policisë së Kosovës duke u bazuar në mandatin ligjor, do të ndërmerren të gjitha masat për të parandaluar dhe për të luftuar çdo formë të ekstremizmit të dhunshëm, përfshirjes së individëve në aktivitete kriminale në organizata, apo grupe terroriste brenda dhe jashtë Kosovës, si dhe të gjithë atyre, që në çfarëdo forme përkrahin, financojnë, rekrutojnë, apo nxisin urrejtje kombëtare, racore ,apo fetare.

Prokuroria e Shtetit ndërkaq thotë, se të gjithë të arrestuarit janë të dyshuar për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe të sigurisë të Republikës së Kosovës.

“Pas veprimeve të ndërmarra sot Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në koordinim me institucionet tjera kompetente, do të vazhdojë me procedurat tjera të parapara me ligj”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Më 11 gusht të këtij viti policia në Kosovës pati arrestuar mbi 40 persona nën dyshimet, se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak, përkrah organizatave të njohura ndërkombëtarisht terroriste, Shteti Islamik dhe Al-Nusra, si dhe nën dyshime të tjera, që lidhen me radikalizmin fetar.