1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Kosovë filloi fushata pesë ditore për balotazh

Bekim Shehu25 Nëntor 2013

Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komunash në Kosovë, mbahet me datën 01.12. Balotazhi mbahet në 24 komuna të Kosovës, përfshirë edhe katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

https://p.dw.com/p/1ANse
Fotografi: DW

Në Kosovë të hënën (25.11.) nisi fushata zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar komunash. Fushata kësaj radhe do të zgjasë pesë ditë. Votimi mbahet ditën e diel me 01.12 në 24 komuna të Kosovës. Në zgjedhjet lokale të datës 3 nëntor, kandidatët në 24 komuna të Kosovës nuk arritën të sigurojnë vota më shumë se 50 % nga pjesëmarrja e votuesve për t'u zgjedhur kryetar komune.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valdete Daka, u bën thirrje subjekteve politike “që të zhvillojnë një fushatë zgjedhore të qetë duke respektuar rregullat që i përcakton ligji i zgjedhjeve”.

Zgjedhje për kryetar komunash do të mbahet edhe në katër komunat më shumicë serbe në veri të Kosovës. Por, gara me interesante do të jetë në veri të Mitrovicës, kur në garë janë, kandidati i “Listës Qytetare Serbe”, Kërstimir Pantiq, që mbështet nga qeveria e Beogradit dhe Oliver Ivanoviq, me subjektin e tij politik “Serbija, Demokracia Drejtësia”.

Zyrtarë nga policia e Kosovës, ndërkaq, thonë se tashmë e kanë gati planin operativ për ditën e zgjedhjeve në veri të Kosovës, duke shtuar numrin e forcave të rendit. "Intervenuesi i parë do të jetë policia e Kosovës, që do të rrisë numrin e pjesëtarëve me 01.12. Intervenuesi i dytë parashihet të jetë misioni EULEX, ndërsa, intervenuesi i tretë në rast të ndonjë përkeqësimi të situatës, do të jenë forcat paqeruajtëse të KFOR-it”, thotë një zëdhënës i policisë, Baki Kelani.

Pjesëmarrja në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, ishte 45.79, % ndërsa, në veri të Kosovës, nuk kishte pjesëmarrje shumë të lartë. Megjithatë, udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës, përfshirë edhe zyrtarët e lartë të qeverisë së Serbisë u bëjnë thirrje serbëve që të dalin në zgjedhje. Gjatë ditës së diel, me 24.11, në Kosovë qëndroi ministri pa portofol për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin, ku vizitoi manastirin e Deçanit dhe nga atje ai i dha mbështetje “Listës Qytetare Serbe”. "Besojmë se Lista Qytetare Srpska" do të bëjë të mundshme që Bashkësia e Komunave Serbe”, që do të formohet pas zgjedhjeve lokale të përparojë, të formohet siç duhet dhe të mos jetë organizatë joqeveritare, por të jetë ashtu siç është dhe siç është menduar në Bruksel dhe kjo është mënyrë dhe formë që shteti i Serbisë të mund të financojë jetën e serbëve në Kosovë dhe që serbët të mund të ndihen të sigurt, të mbrojtur dhe të lirë”, citojnë mediat lokale Aleksandër Vulin.

Edhe raundi i dytë i zgjedhjeve lokale me 01.12 në Kosovë, do të monitorohet nga mijëra vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë. Zgjedhjet vëzhgohen nga rrjeti i organizatave "ENEMO", ndërsa 100 vëzhgues i ka dërguar në Kosovë edhe Bashkimi Evropian.