1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Kosovë kremtohet pa incidente Vidovdani

Bekim Shehu28 Qershor 2016

Festa e Vidovdanit që cilësohet si festa më e madhe serbe në Kosovë, kaloi pa incidente, ndonëse pjesëmarrësit brohorisnin parrulla “nacionaliste”, që sipas ligjeve në Kosovë janë të ndaluara.

https://p.dw.com/p/1JF9u
Fotografi: picture-alliance/dpa

Disa qindra serbë të Kosovës, por edhe serbë të ardhur nga Serbia në mënyrë të organizuar, kremtuan 627 vjetorin e betejës së Kosovës, apo si njihet “Dita e Vidovdanit”. Ky manifestim që cilësohet si festa më e madhe serbe në Kosovë, kaloi pa incidente, ndonëse, pjesëmarrësit brohorisnin parrulla “nacionaliste”, që sipas ligjeve në Kosovë janë të ndaluara.

Manifestimi qëndror u mbajt në Gazimestan jo larg Prishtinës, nën masa të rrepta sigurie ku ishin angazhuar qindra policë në mbajtjen e rendit dhe ruajtjen e qetësisë. Për festën e “Vidovdanit” në Gazimestan i pranishëm ishte princi serb, Aleksandër Karagjorgjevic, mirëpo, për dallim nga vitet e shkuara nuk ishte i pranishëm asnjë zyrtar shtetëror nga Serbia, ndonëse kishin paralajmëruar pjesmarrjen. Pjesëmarrësit në këtë manifestim ishin kryesisht grupe të rinj serb, që brohorisnin “Kosova është Serbi” dhe parrulla të ngjashme nacionaliste, mirëpo, sipas policisë nuk u shënua ndonjë incident.

Parrulla nacionaliste

Njëri nga folësit në këtë manifestim, rektori i Shkollës Teologjike të Prizrenit me seli në Nish, Milutin Timotijeviq, tha se Gazimestani është pika orientuese për të gjithë serbët. “Lavdi Lazarit, i cili është bërë standard i angazhimit tonë, si te angazhohemi si te jetojmë, sepse duhet të jemi ashtu si duhet dhe të jemi më shumë. Nese nënat serbe nuk lindin atëherë edhe ne do të zhdukemi nga këto treva. ashtu sikur dielli që është qendra e sistemit tonë, galaktika jonë serbe, sot e ka fokusin këtu, në këtë vend. Të gjithë serbët, jo vetëm nga vendi ynë, por nga të gjitha vendet serbe, nga e gjithë bota, i kanë kthyer sytë sot në këtë fokus, në këtë pikë, nën diellin e Zotit, që të shohin se çfarë bijsh jemi ne dhe çfarë fëmijë të Lllazarit”, tha Milutin Timotijeviq.

Kosovo Gracanica Kloster UNESCO Liste
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Nimani

Festime dhe në Gracanicë dhe veri të Mitrovicës

Kësaj radhe Vidovdani serb u shënua edhe në Gracanicë dhe veri të Mitrovicës. Liturgjia kryesore për Vidovdanin serb u mbajt gjatë ditës në Manastirin e Graçanicës e cila u drejtua nga Peshkopi Teodosije i Peshkopatës së Rashkës dhe Prizrenit. I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe zëvendës kryeministri i Kosovës, nga radhët e komunitetit serb, Branimir Stojanoviq. Ai tha se “serbët duhet ta ruajnë trashëgiminë e tyre në Kosovë”.

Ndërkohë në veri të qytetit të Mitrovicës, u bë përurimi i përmendores së Princ Llazarit, që ndër serbët njihet si heroi i tyre në betejën e Kosovës të vitit 1389. Shtatorja e Princ Llazarit e vendosur afër urës kryesore të Lumit Ibër në Mitrovicë, ka nxitur reagime të shumta, sidomos të partive politike opozitare në Kosovë, të cilët thonë se nuk duhet lejuar vendosja e kësaj përmendoreje. Mirëpo, zyrtarë të qeverisë së Kosovës kanë thënë se përgjegjëse për vendosjen e përmendores është komuna e veriut të Mitrovicës. Në këtë komunë e themeluar në vitin 2013, shumica e këshilltarëve komunal janë pjesëtarë të komunitetit serb dhe me një vendim të dates 17 qershor, ata kanë vendosur që përmendoren e Princit Llazar ta vendosin në mes të qytetit.