1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova përshëndet lirimin e Ramush Haradinajt

Bekim Shehu
27 Prill 2017

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës e cilësuan mosekstradimin në Serbi të Ramush Haradinajt si fitore të drejtësisë ndërkombëtare.

https://p.dw.com/p/2bziD
Kosovo Hauptstadt Pristina
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ishte i pari Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili tha se "vendimi i Gjykatës së Colmarit për Ramush Haradinajn, është lajm i mirë për familjarët dhe gjithë Kosovën”. 

"Edhe një herë u vërtetua që shpifjet e shërbimeve serbe kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë të paqëndrueshme dhe nuk përfillen nga bota demokratike”, shkroi Presidenti Thaçi në Facebook.

Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK), Pal Lekaj, parti kjo që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, tha se lirimi i shefit të tij, "është lajm i gëzuar dhe se ata kanë besuar gjithmonë se drejtësia në këtë rast do të triumfojë”.

"Ne kemi thënë se vetëm ndonjë vendim politik mund ta shtyjë Haradinajn që të ekstradohet në Serbi, sepse luftën e pastër të zotit Haradinaj e ka dëshmuar edhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës”, tha Pal Lekaj. Sipas tij, "ndalja në Francë për gati katër muaj e Haradinajt, ka qenë krejt e panevojshme dhe një përpjekje e hapur e Serbisë, duke e vënë në lajthitje edhe Francën, që ta destabilizojë Kosovën".

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, thotë se "rast si i Haradinajt nuk duhet të përsëritet më”.

"Vendimi i Gjykatës në Colmar të Francës për lirimin e Ramush Haradinajt është lajm i gëzueshëm, të cilin të gjithë e kemi pritur të ndodhë. Ndalimi i tij, mbi bazën e një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, ishte i papranueshëm dhe raste të tilla nuk duhet të përsëriten më”, tha Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.

Qeveria e Kosovës:  fletëarrestet serbe kundër Haradinajt e luftëtarëve të UÇK-së - politike e me synime të ulëta

Edhe Qeveria e Kosovës përshëndet vendimin e autoriteteve gjyqësore franceze për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, "duke vlerësuar se fletëarrestet serbe mbi bazën e të cilave është ndaluar zoti Haradinaj, janë të paligjshme dhe të padrejta”.

"Qeveria e Kosovës konsideron se vendimi i Gjykatës franceze është konfirmim se e drejta ishte në anën e Haradinajt dhe se fletëarrestet serbe kundër tij dhe luftëtarëve të tjerë të UÇK-së janë politike dhe kanë synime të ulëta. Qeveria e Kosovës shpreh përkushtimin e saj të mëtejshëm për të bërë çdo përpjekje për të pamundësuar forma të tilla të keqpërdorimit të drejtësisë nga ana e Serbisë, në të ardhmen', thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.

Ndërkohë, mediet në Serbi shkruajnë se "qeveria e Serbisë sot mban mbledhje të jashtëzakonshme, pas vendimit të gjykatës franceze për lirimin e Ramush Haradinajt".

Në Prishtinë ndërkaq, dhe në vendlindjen e Ramush Haradinajt, simpatizantë të shumtë po festojnë lirimin e tij, ndërsa, Haradinaj pritet të kthehet në Kosovë pas orës 19:00. AAK konfirmon se atij do t'i organizohet pritje në sheshin kryesor të Prishtinës, ku Ramush Haradinaj, do t'u drejtohet qytetarëve.

Sidoqoftë, ndalimi në Francë për katër muaj i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të Serbisë, në Kosovë pati nxitur shumë reagime. Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare Interpol që të mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë. Parlamenti i Kosovës miratoi edhe një rezolutë për pezullimin e bisedimeve me Serbinë deri në lirimin e Ramush Haradinajt.