1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Kosovë PDK dhe LDK arrijnë marrëveshje koalicioni

Bekim Shehu19 Nëntor 2014

Pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare dy partitë më të mëdha politike në Kosovë, PDK dhe LDK, ranë dakord për formimin së bashku të institucioneve të reja të Kosovës.

https://p.dw.com/p/1Dq6s
Atifete Jahjaga Präsidentin Kosovo
Fotografi: DW/B. Shehu

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, dy partitë politike më të mëdha në Kosovë u pajtuan në parim që të formojnë institucionet e reja. Marrëveshja u arrit në orët e vona të ditës së mërkurë (19.11), në një takim me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga. Lajmi për koalicion ndërmjet PDK dhe LDK, konfirmohet në një deklaratë për media nga vet presidentja e Kosovës, sipas së cilës në takim ku u arrit marrëveshja edhe në praninë e ambasadores së SHBA në Kosovë, Tracey Ann Jacobson. Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur sonte në një takim të përbashkët me kërkesën e tyre kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të përpjekjeve për krijimin e institucioneve të Kosovës. Në takim, me ftesën e Presidentes Jahjaga, mori pjesë edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson.

Në takimin e zhvilluar në zyrën e Presidentes, me nismën e dy liderëve, Thaçi dhe Mustafa u pajtuan në parim për ndërtimin e koalicionit ndërpartiak mes Partisë Demokratike e Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të krijuar institucionet e Republikës së Kosovës, konform Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Kosovo Parlament
Fotografi: AFP/Getty Images

"Të dy liderët politikë theksuan përkushtimin e tyre për përmbylljen e shpejtë të procesit të ndërtimit të institucioneve në bazë të Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe parimeve kushtetuese që ruajnë karakterin shumëetnik të Republikës së Kosovës, përmbushin obligimet ndërkombëtare të rendit dhe ligjit dhe forcimit të rrugës euroatlantike të vendit tonë”, thuhet në deklaratën për media të presidentës Jahjaga.

Presidentja, thotë se ajo si faktor i unitetit dhe garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve të Kosovës do të vazhdojë të luajë rolin lehtësues në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës në këtë proces.

Tash për tash akoma nuk dihen detaje të marrëveshjes së koalicionit ndërmjet PDK dhe LDK, se kush do të jetë në krye të ekzekutivit të vendit. Ajo që tash për tash dihet është se në bazë të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, partia fituese e zgjedhjeve që në këtë rast është PDK, ka të drejtën e propozimit për zgjedhjen e kryetarit të kuvendit. Mirëpo, kjo edhe mund të ndryshojë varësisht sesi pajtohen partnerët në koalicion PDK-LDK.