1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Zgjedhje balotazhi për kryetarë komunash

Bekim Shehu1 Dhjetor 2013

Në 25 komuna në Kosovë po zhvillohet procesi i votimit për kryetarët në raundin e dytë të zgjedhjeve. Të gjitha qendrat e votimit u hapën në orën shtatë të mëngjesit njoftoi kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

https://p.dw.com/p/1ARCV
Fotografi: SASA DJORDJEVIC/AFP/Getty Images

Në raundin e dytë të zgjedhjeve garojnë 50 kandidatë. Kësaj radhe të drejtë vote kanë mbi 1.370.000 mijë qytetarë të Kosovës. Në veri të Kosovës gara më interesante është për komunën veriore të qytetit të Mitrovicës që konsiderohet si komuna më e madhe në veri. Në garë janë, Krstimir Pantiq dhe Oliver Ivanoviq.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, takoi një ditë para raundit të dytë të zgjedhjeve të gjithë përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për procesin e zgjedhjeve. Presidentja, tha se "ajo beson që Kosova edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve do ta kalojë me sukses testin e demokracisë."

Atifete Jahjaga
Atifete JahjagaFotografi: Alexander Klein/AFP/Getty Images

Atifete Jahjaga: Kosova do ta kalojë me sukses testin e demokracisë

"Zgjedhjet e 1 dhjetorit duhet të dëshmojnë se Kosova është shtet i së drejtës dhe shtet i qytetarëve të barabartë. Kërkoj nga organet përgjegjëse për procesin e votimit që të tregohen të pakompromis për të gjithë ata që cenojnë procesin e zgjedhjeve" - tha presidentja Atifete Jahjaga.

Për të siguruar një proces të qetë zgjedhor, policia e Kosovës ka angazhuar mbi pesë mijë policë. Vëmendje e veçantë nga organet e drejtësisë i është kushtuar veriut të Kosovës, sidomos pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës, ku në zgjedhjet e tre nëntorit grupe ekstremiste penguan procesin e votimit dhe shkatërruan materialin zgjedhor.

Wahlen in Kosovo November 2013
Fotografi: SASA DJORDJEVIC/AFP/Getty Images

Mbi 1600 vëzhgues monitorojnë procesin e votimit

"Policia e Kosovës si reaguesi i parë do të bashkëpunojë dhe bashkërendojë aktivitetet operacionale edhe me policinë e misionit EULEX. Në rast nevoje si reagues i tretë mund të përfshihet edhe forca paqeruajtëse KFOR, për të parandaluar çdo incident të mundshëm që mund të ketë ndikim në procesin e votimit" - thuhet në një deklaratë të përbashkët të policisë së Kosovës, misionit EULEX dhe KFOR-it.

60 prokurorë janë në detyrë në të gjitha rajonet e Kosovës dhe në rast nevoje do të reagojnë menjëherë në bashkëpunim me policinë e Kosovës, njoftohet nga prokuroria e shtetit.

Raundi i dytë i zgjedhjeve po monitorohet nga një numër i madh vëzhguesish vendorë dhe ndërkombëtarë. Misioni i Bashkimit Evropian ka të angazhuar 71 vëzhgues. Vëzhgues ka edhe organizata ndërkombëtare ENEMO.

Prania ndërkombëtare bënë thirrje për zgjedhje të qeta

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar dhe ambasadorët e vendeve më të industrializuara tö Botös në Kosovë, thonë se "Dalja e gjerë në zgjedhje e qytetarëve të Kosovës në raundin e parë ka treguar se qytetarët presin me padurim të jenë pjesëmarrës dhe të vendosin. Demokracia funksionon me të vërtetë vetëm atëherë kur njerëzit janë të lirë të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar dhe për të shprehur opinionet e tyre politike individuale, pa ndërhyrje ose kërcënim. Kjo është mënyra më e mirë për ta ndihmuar Kosovën ta mbajë progresin e arritur drejt rrugës së saj evropiane".

Kommunalwahl in Strpce Kosovo
Në veri të Kosovës gara më interesante është për komunën veriore të qytetit të MitrovicësFotografi: DW

Qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në orën 19:00 të mbrëmjes, njofton KQZ. Pas mbylljes së qendrave të votimit fillon procesi i numërimit dhe rezultatet do të prezantohen online në faqën zyrtare të KQZ-së, varësisht nga dinamika e numërimit të votave.