1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Olimpin grek ndizet pishtari olimpik për lojrat verore në Kinë

Arapi, Lindita24 Mars 2008

Ceremonia e ndezjes së flakës olimpike u shoqërua nga protesat kundër sundimit kinez në Tibet.

https://p.dw.com/p/DTYQ
Ndezja e pishtarit të olimpiadës në tempullin e Olimpit. Sportisti Alexandros Nikolaidis, fitues i Olimpiadës në Teakwondo dhe aktorja greke Maria Nafpliotou në rolin e priftëreshës së lartë. 23 mars 2008Fotografi: picture-alliance/ dpa

Zjarri olimpik u ndez megjithë qiellin e vranët mbi gadishullin e Peloponezit me ndihmën e reflektorit tradicional dhe rrezeve diellore. Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik (IOC), Zhak Roge u shpreh: "sot po nisim lajmin e armëpushimit olimpik. Lojrat olimpike duhet të zhvillohen në një atmosferë paqësore". Roge ish shprehur qysh më parë në mbrojtje të organizimit të Olimpiadës Verore në Kinë, sipas tij: "ky komitet nuk është organizatë politike dhe ka për detyrë që të organizojë lojërat olimpike."


Përgjegjësia e madhe komitetit olimpik qëndron në atë që të organizojë lojëra olimpike sa më të mira, ka shtuar Roge duke rikujtuar se kjo do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me komitetin organizor në Pekin. Kina do të ndryshojë pasi do të hapet ndaj 25.000 mediave në botë, tha Roge.

Demonstrant stört Olympiazeremonie in Griechenland 2
Policia greke ndalon demonstrues, që përpiqen të prishin ceremoninë e ndezjes së pishtarit në Olimp. 24 mars 2008Fotografi: AP

Por trazirat e dhunshme në Tibet dhe shtypja masive e ushtruar nga autorietetet kineze luajtën rol edhe në ceremoninë e ndezjes së zjarrit olimpik. Pak para ndezjes së pishtarit tre vetë u përpoqën të prishnin ceremoninë. Sipas të dhënave të policisë bëhej fjalë për anëtarë të organizatës franceze të gazetarëve "Reporterë pa kufi".


Njëri nga këta persona përdori parulla antikineze duke mbajtur një flamur të zi, mbi të cilin ishin stampuar unazat olimpike si pranga duarsh. Ndërsa një demonstrues ia doli të vraponte pas podiumit kur kryteari i partisë kineze të Pekinit dhe president i komitetit organizator kinez të lojërave olimpike, BOCOG, Liu Qi po mbante fjalën e rastit. Edhe një mërgimtar nga Tibeti u kap duke britur parulla antikineze.


Ndërsa zëdhënësi i organizatës studentore "Për një Tibet të lirë", Tenzin Dorje i kishtë bërë më parë thirrje, komitetit ndërkombëtar olimpik të hiqte Tibetin nga lista e rajoneve në të cilat do të kalojë pishtari olimpik.


"Pishtari që ata sjellin në olimp është një prishje e traditës së gjatë, traditës së lashtë dhe të gjatë të lirisë dhe demokracisë, të cilën grekët ia sollën botës.", tha Tenzin Dorje duke pasur parasysh me këtë palën kineze.


Qeveria greke kritikoi protestat. "Ne dënojmë me forcë çdo përpjekje për të prishur ceremoninë e ndezjes së zjarrit olimpik" u tha nga qarqet zyrtare greke, duke theksuar se përgjegjës për dhënien e akreditimeve në ceremoninë e ndezjes së pishtarit të olimpiadës është Komiteti Ndërkombëtar Olimpik.



Në ceremoninë e ndezjes së pishtarit aktorja greke, Maria Nafpliotou i drejtoi një lutje perëndisë së diellit, Apollon dhe ia dha pishtarin fituesit të vendit të II-të në sportin e Taekwondo- së në lojrat olimpike të vitit 2004, Alexndraos Nikolaidis. Zjarri olimpik ndizet 137 ditë para fillimit të lojrave olimpike në Pekin dhe pritet që pishtari të mbërrijë në 31 mars në Pekin. Udha e pishtarit me 97.000 km nëpër botë dhe 40.000 km. rrugë në Kinë shënon itinerarin më të gjatë në historinë e lojrave olimpike.


Ndërkohë edhe komiteti olimpik gjerman ka shprehur qëndrimin e tij për mosbojkotim të lojërave olimpike për shkak të ngjarjeve në Tibet. Këtë deklaratë komiteti olimpik e bëri ditën e sotme në Frankfurt pas shqyrtimit të gjitha argumentave, u vendos dërgimi i sportistëve gjermanë në Pekin.