1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në përgjigje të emergjencave civile dhe krizave për shkaqe natyrore - Brigada e Europës Juglindore forcë e përbashkët rajonale

Angelina Verbica12 Tetor 2010

Në Tiranë përfundoi takimi i ministrave të Mbrojtjes të Europës Juglindore. Gjatë punimeve të këtij Ministeriali në Tiranë u pranuan si anëtare të tij me të drejta të plota Serbia dhe Mali i Zi.

https://p.dw.com/p/PcfG
Ministrat e Mbrojtjes Europës Juglindore në TiranëFotografi: DW

Bashkërendimi i përpjekjeve në nivel rajonal për të përballuar emergjencat civile duket se ka gjetur mirëkuptim nga të gjitha vendet pjesëmarrëse. Arben Imami, Ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë, vendi që ka këtë vit kryesinë e rradhës së Ministerialit të Mbrojtjes të Europës Juglindore, i njohur me inicialet në anglisht SEDM (South Eastern Defence Ministerial) përshëndeti frymën e mirëkuptimit në konferencën e përbashkët për shtyp, që përmbylli sot punimet . “Bisedimet u karakterizuan realisht nga një frymë bashkëpunimi, nga një frymë miqësie, që në kontekstin e ri të rajonit, kur mjaft nga vendet e tij janë anëtare të Natos, të tjera aspirojnë të bëhen, të zhvillohet më tej”, tha Imami.

Vendet pjesëmarrëse ranë dakort të ripërcaktojnë misionin e Brigadës së EJL, që është e dislokuar në Larisa të Greqisë, në mënyrë që ajo të marrë funksionet e një force të gatshme për t'iu përgjigjur krizave, që vijnë nga shkaqe natyrore në të gjithë rajonin e Europës Juglindore. Fatkeqësitë natyrore nuk mund të përballohen vetëm nga një vend. Bashkëpunimi nga ana tjetër do të ulë edhe kostot për të gjitha vendet pjesëmarrëse, u ra dakort ne Tirane.

Alexander Vershbow
Ndihmëssekretari amerikan i Mbrojtjes, Aleksandër VershbowFotografi: AP

Politika e dyerve të hapura – Shqipëria kërkon anëtarësimin e Kosovës

Anëtarësimi i Serbisë dhe Malit të Zi gjatë punimeve në Tiranë dëshmoi politikën e dyerve të hapura për këtë nismë, të cilësuar si një nga nismat më të rëndësishme të EJL. Kryeministri Berisha përshëndeti anëtarësimin e dy vendeve të reja dhe kërkoi që kjo të ndodhë edhe për Kosovën.

“Kam kënaqësinë të përshëndes sot përfaqësuesit e dy vendeve, Serbisë dhe Malit të Zi, që u anëtarësuan në këtë nismë të rëndësishme bashkëpunimi dhe shpreh bindjen që edhe Kosova do të ketë vendin e saj në këtë Ministerial, që të kompletohet tërësisht përfaqësimi i të gjithë rajonit në këtë SEDM.” tha kryeministri Berisha.

Lidhur me këtë çështje ndihmëssekretari amerikan i Mbrojtjes, Aleksandër Vershbow tha se anëtarësimi i Kosovës i përket të ardhmes dhe nuk është është çështje ditësh, pasi Kosova nuk ka një Ministri të Mbrojtjes. Ai vlerësoi posaçërisht në Ministerialin, që përfundoi në Tiranë, pjesëmarrjen e Ukrainës në sigurinë rajonale dhe atlantike.

Albanien Ministerpräsident Sali Berisha
Kryeministri i Shqipërisë, Sali BerishaFotografi: Mimoza Dhima

Shqipëria do të rrisë kontributin e saj me trupa në misionet e Aleancës

Ministeriali i Mbrojtjes së Europës Juglindore shërbeu edhe si rast për Shqipërinë lidhur me rritjen e angazhimeve, si vend anëtar i NATO-s. “ Shqipëria po punon për formimin e një batalioni, të cilin Aleanca e Atlantikut të Veriut ta përdorë atje, ku asaj i nevojitet.” tha kryeministri Berisha

Ministeriali i Mbrojtjes i Europës Juglindore lindi si një nismë në vitin 1996. Vendet e para anëtare të tij u bënë Shqipëria, Shtetet e Bashkuara, Italia, Turqia, Bullgaria dhe Maqedonia. Brenda 14 viteve vendet anëtare u shtuan me Greqinë, Rumaninë, Kroacinë, Slloveninë, Ukrainën dhe Bosnjë Hercegovinën, dhe sot me Malin e Zi dhe Serbinë. Gjeorgjia dhe Moldavia morën pjesë në këtë Ministerial me statusin e vëzhguesit.


Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Angjelina Verbica