1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në parlamentin e ardhshëm në Maqedoni do të përfaqësohet edhe diaspora

14 Maj 2011

Për herë të parë në Maqedoni në përbërjen e ardhshme parlamentare do të ketë edhe tre deputetë nga diaspora. Sipas të dhënave të agjencionit për migrim numri i disaporës arrin rreth 600.000 vetë.

https://p.dw.com/p/11FvF
Zgjedhje në Maqedoni
Zgjedhje në MaqedoniFotografi: AP

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 5 qershorit, në Maqedoni për herë të parë të drejtën e votës do ta ketë edhe diaspora. Në tre njësi zgjedhore që përfshinë kontinentin e Evropës, Amerikës, Australisë dhe Azisë do të zgjedhen tre deputetë. Mundësia e inkuadrimit të diasporës në procesin e votimit u dha në prag të shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Kjo vonesë ka ndikuar që diaspora të mos ketë informacione të mjaftueshme për mënyrën dhe mundësinë se si do të votojë. Sipas Komisionit Shtetëror Zgjedhor 7 mijë shtetas të Maqedonisë që jetojnë në diasporë kanë shfaqur interesim për të votuar në zgjedhjet e para që do të organizohen jashtë vendit.

Zgjedhje në Maqedoni
Zgjedhje në MaqedoniFotografi: AP

Nënkryetari i KSHZ-së Subhi Jakupi thotë se deri më tani janë verifikuar rreth 7 mijë fletëparaqitje për qytetarë të diasporës që dëshirojnë të votojnë. “Në njësinë zgjedhore numër 7, e cila përfshin Evropën me Afrikë për votim janë paraqitur 3649 fletë, prej tyre 2600 janë përcaktuar si maqedonas dhe 810 shqiptarë. Në njësinë numër 8 e cila përfshin Amerikën, numri i përgjithshëm i fletëparaqitjeve është 1818, në njësinë zgjedhore numër 9 që përfshinë Australinë dhe Azinë, janë paraqitur 769 fletëparaqitje prej të cilëve vetëm 4 nga përkatësia etnike shqiptare”, thotë Subhi Jakupi.

Bashkimi Demokratik Shqiptar, përmes një komunikate ka apeluar tek shqiptarët nga diaspora që të bojkotojnë zgjedhjet parlamentare meqë sipas kësaj partie qeveria aktuale synon të përçajë emigracionin mbi baza partiake. BDSH u ka bërë apel edhe partive politike që të tërheqin kandidatet e tyre për deputet në diasporë.

Edhe nga diaspora vijnë zëra për lëshimet e qeverisë sa i përket votimit të diasporës. Aleksandar Mitrevski, nënkryetar i disaporës së bashkuar maqedonase thotë se afati për paraqitjen e kandidatëve në diasporë ka qenë shumë i shkurtër dhe për këtë arsye interesimi për votim është i vogël. “Në kontinentin e Amerikës diaspora është e shpërndarë në 52 shtete, është e pamundur që tërë ky teritor të mbulohet vetëm me një vendvotim në Uashington apo Nju Jork”, vlerëson Mitrevski.

Roza Topuzovska Karevska nga partia Liberal Demokrate thotë se të drejtën e votimit të diasporës do ta kontestojë para gjykatës kushtetuese. Sipas saj në diasporë një kandidatë për deputet mund të fitojë edhe me 100 vota. “Në njësinë zgjedhore që përfshin Australinë dhe Azinë janë paraqitur 500 votues, sipas llogaritjeve tona ka gjasa reale që në këtë njësi zgjedhore të fitojë kandidati që ka marrë edhe 12 vota, kjo është e palogjikshme”, thotë Topuzovska.

Ndërkohë, KSHZ dhe Agjncioni për migracion kanë marë iniciativë për intensifikimin e informimit të diasporës për procesin zgjedhor, janë përcaktuar ambasadat dhe konsullatet se ku mund të votojë diaspora. Ndrushe nga qytetarët e Maqedonisë që do të votojnë me 5 qershor, diaspora të drejtën e votës do ta realizojë një ditë më parë, me 4 qershor.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama