1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Radikalizohen më pak islamikët, islamizohen radikalët'

Greta Hamann 18 Korrik 2016

Si mund të parandalohen atentate si ai i Nicës? Franca duhet të veprojë në plan afatgjatë kundër radikalizimit të të rinjve, i thotë DW, Dietmar Loch, profesor i universitetit në Lille.

https://p.dw.com/p/1JQSm
Frankreich Nizza Trauer nach Amokfahrt
Fotografi: DW/V. Jacquet

Deutsche Welle: Për atentatorin e Nicës deri tani nuk dihen shumë gjëra. Dihet vetëm që 31 vjeçari jetonte prej dhjetë vjetësh në Francë dhe mendohet se ai është radikalizuar aty javët e fundit. Sa e mundur është për mendimin tuaj që një njeri të vendosë brenda një kohe shumë të shkurtër të ndërmarrë një vepër të tillë të rëndë?

Që mund të radikalizohesh për një kohë të shkurtër, kjo nuk mund të përjashtohet. Por shumicën e herëve radikalizimi ndodh brenda një periudhe të gjatë kohe. Ky radikalizim i shpejtë është njëfarë risie. Rruga e zakonshme është më tepër ajo e atentatorëve të Parisit në vitin 2015. Janë rritur në Francë, pra janë fëmijë të shoqërisë franceze, të cilët pastaj në momente të caktuara - shpesh gjatë qëndrimit në burg - vihen në kontakt me islamistët. Pra rasti i Nicës është relativisht i ri.

Ju jeni marrë me problemet e periferive të qyteteve franceze, ku janë rritur pjesërisht edhe dorasit e atentateve të fundit terroriste në Paris dhe në Bruksel. Atentatori i Nicës erdhi vetëm dhjetë vjet më parë në Francë. A mund të bëhet diçka kundër këtyre dorasve?

Mendoj se kemi të bëjmë me një problem afatgjatë të Francës. Po duhet të përqendrohemi megjithatë në ato ambjente, prej ku vijnë shumica e dorasve, tek periferitë e lëna pas dore të qyteteve. Thelbi i problemit ka të bëjë me këto periferi qytetesh.

Problemet në periferitë e qyteteve franceze njihen që prej 30 vjetësh. Megjithatë ka hipoteza, sipas të cilave dhuna që shikojmë në periferitë e qyteteve franceze ka ndryshuar. Këta njerëz, që bëhen të dhunshëm, shpesh nuk janë kaq fetarë. Kemi më pak të bëjmë me një radikalizim të fesë islame, por më tepër me një islamizim të radikalizmit. Radikalizëm, dhunë në periferi ka pasur gjithmonë, si formë proteste kundër përjashtimit social, kundër papunësisë, kundër diskriminimit, kundër diskriminimit racist.

Myslimani Amine Bhidsa dhe e bija ne Promenade des Anglais
Myslimani Amine Bhidsa dhe e bija ne Promenade des AnglaisFotografi: DW/B.Riegert

Nga vjen kjo dhunë?

Radikalizimi është nga ana sasiore një problem jashtëzakonisht anësor. Por tek njerëzit që radikalizohen kemi të bëjmë shpesh me njerëz, që nuk kanë se çfarë të humbasin më, sepse ata i kanë përjashtuar me vite të tëra. Gjë që padyshim nuk i shfajëson atentatorët.

Këta nuk janë vetëm njerëz që vijnë nga skajet e shtresave shoqërore, por edhe njerëz me origjinë migranti, që kanë bërë një shkollim profesional, me kualifikime relativisht të larta, që në përpjekje për të gjetur një vend pune diskriminohen. Shumë prej këtyre njerëzve reagojnë më ndjeshëm.

Çfarë duhet të ndodhë në Francë që kjo pakënaqësi e personave të përjashtuar të mos kthehet në radikalizëm në të ardhmen?

Klasa politike e Francës duhet të bëhet më e ndershme edhe me veten. Problemet ka 30 vjet që njihen, por megjithatë gjërat vazhdojnë të mos funksionojnë si duhet.

Para së gjithash duhet menduar në plan afatgjatë. Kjo do të thotë që duhet shkuar në lagje, në burgje dhe në xhami. Kjo do të thotë edhe që të zhvillohet një politikë sociale, që i sjell sërish në vendet e punës njerëzit, që u bën oferta atyre.

Veç kësaj duhen bërë oferta politike, që janë të besueshme. Njerëzit që nuk shkojnë të votojnë janë në pjesën më të madhe në periferi. Ata kanë nevojë për modele demokratike dhe jo për masa sigurie autoritare, të cilat e çojnë edhe më tej radikalizimin.

Dhe jo së fundi duhet vepruar në nivelin ideologjik. Islamistëve u duhen marrë mundësitë e veprimit. T'u tregohet të rinjve se ku çon në fund radikalizimi. Programe të tilla të suksesshme çradikalizimi ka. Në Britaninë e Madhe për shembull ishte një burrë që për dhjetë, 20 vjet ishte pjesë e skenës islamike. Sot ai punon në parandalimin e radikalizimit dhe flet me të rinjtë.

Dietmar Loch është profesor i sociologjisë në Universitetin e Lille-s. Ai merret ndër të tjera me temat e integrimit dhe të përjashtimit urban.