1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në prag të negociatave në Gjenevë - pozicionet e Gjeorgjisë

Gesine Dornblüth19 Nëntor 2008

Në përpjekjen e parë për negociata Rusia dhe Gjeorgjia nuk ishin të gatshme as të takoheshin në një dhomë. Të mërkurën (18.11.) nis një përpjekje e re në Gjenevë.

https://p.dw.com/p/Fwmz
Megjithë pjesëmarrjen e diplomatëve të lartë, takimi i parë në Gjenevë, Rusi-Gjeorgji, dështoi.Fotografi: AP

Lufta në Kaukaz vazhdoi vetëm disa ditë, por konflikti mes gjeorgjianëve dhe rusëve ende nuk është sheshuar. Marrëdhëniet mes vendeve fqinje janë të shkatërruara dhe diplomatët nuk përjashtojnë shpërthimin sërisht të konfliktit në provincat gjeorgjiane që kërkojnë shkëputjen, Osetia Jugore dhe Abkazia. Përpjekja e parë dështoi në mes të tetorit me një skandal. Diplomatët nuk arritën madje as që palët të takoheshin në një dhomë, aq të papajtueshme ishin pozicionet e tyre. Pra takimi i së martës në Gjenevë është një detyrë e vështirë.

Gjendja në qytetin Gori

Gori është një qytet gjeorgjian në kufi me Osetinë Jugore. Në gusht ai u bë shënjestër e sulmeve ajrore ruse. Pensionisti Gurami Mariamidze banon në një nga pallatet pesëkatëshe të Gorit që atëherë u dogjën plotësisht. Pamjet e ndërtesave të shkatërruara nga zjarri u përhapën në të gjithë botën. Sot banesat janë rindërtuar plotësisht. Tani ustallarët po bëjnë punimet e fundit në banesën e pensionistit. Ai është i kënaqur me ndihmën e qeverisë për rindërtimin e banesave, por më mirë, thotë ai, do të ishte që gjeorgjianët të kishin shmangur luftën me Rusinë.

Georgische Frauen kehren in die Stadt Gori zurück
Gjeorgjiane duke u kthyer në shtëpitë e tyreFotografi: AP

"Tani që ka kaluar ca kohë dhe kam dëgjuar shumë ekspertë në radio, mendoj se politikanët tanë janë fajtorë për luftën. Por atyre u shkojnë mirë punët. Ata kanë gjithçka iu nevojitet."

Kritika të opozitës ndaj presidentit gjeorgjian

Zëra të tillë po dëgjohen gjithnjë e më shpesh në Gjeorgji. Qeveria megjithatë edhe tre muaj pas luftës nuk lëviz nga pozicioni i saj: Rusia është e vetmja fajtore për luftën në muajin gusht. Ushtria gjeorgjia e sulmoi kryeqytetin Çinvali të Osetisë Jugore në përpjekje për t'u mbrojtur dhe për të ndalur një invazion rus.

Gjeorgjia është viktimë e agresionit rus dhe është tani plotësisht në mëshirën e fqinjit, thekson zv/ministrja e saj e jashtme Nino Kalandadze. "Ne nuk mund të veprojmë, për momentin ne presim dhe shpresojmë që Rusia dikur t'i rikthehet logjikës."

Rusia ka tërhequr vërtet trupat e saj nga brendësia e territorit gjeorgjian, por në krahinat separatiste Oseti Jugore dhe Abkazi gjenden shumë më tepër ushtarë rusë se sa përpara luftës në gusht. Rusia i ka njohur të dy krahinat si shtete të pavarura. Për gjeorgjianët kjo është e papranueshme. Ata i shohin Osetinë Jugore dhe Abkazinë si pjesë të Gjeorgjisë dhe vazhdojnë të refuzojnë uljen në tryezën e negociatave në Gjenevë të përfaqësuesve nga krahinat separatiste.

Präsident Sakaschwili
Presidenti SakashviliFotografi: AP

Por opozita në Gjeorgji kërkon dialog me separatistët. Negociatat në Gjenevë janë një mundësi e mirë për këtë. Megjithatë ngrihet pyetja nëse palët në konflikt do të pranojnë të nisin dialogun. Politikani opozitar Kukava, fajëson presidentin gjeorgjian Sakashvili për dështimin e raundit të parë të bisedimeve në Gjenevë.

"Bisedimet në Gjenevë ishin një tjetër shembull i diplomacisë së Sakashvilit. Ai i shfrytëzon negociatat për qëllime propagandistike. Bisedimet në Gjenevë dështuan edhe sepse Sakashvili kërkoi të jepte një deklaratë në të cilën e bënte Rusinë përgjegjësen e vetme për luftën." Ndërkaq në kufirin administrativ mes Osetisë Jugore dhe Gjeorgjisë ndodhin vazhdimisht incidente. Një javë më parë dy policë gjeorgjianë humbën jetën si pasojë e shpërthimit të një bombe. Diplomatët paralajmërojnë: Lufta ende nuk ka përfunduar!