1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në prag të raportit të progresit për Kosovën

11 Tetor 2011

Përfaqësues të qeverisë së Kosovës, thonë se presin që Raporti i Progresit për Kosovën i këtij viti, nuk do të jetë shumë pozitiv për vendin. Por sipas tyre vendi gradualisht po ndërmerr hapa në përmbushjen e kritereve.

https://p.dw.com/p/12q17
Ministrja e integrimeve evropiane në qeverinë e Kosovës Vlora Çitaku.
Ministrja e integrimeve evropiane në qeverinë e Kosovës Vlora Çitaku.Fotografi: DW

Përfaqësues të qeverisë, presin që raporti i progresit  për Kosovën i Komisionit Evropian, do të pasqyrojë gjendjen reale në Kosovë, duke konkluduar se ai nuk do të jetë shumë pozitiv, por as shumë negativ. Komisioni Evropian, publikon “Raportin e Progresit për Kosovën”, më 12 tetor. Ministrja e integrimeve evropiane në qeverinë e Kosovës Vlora Çitaku, i tha Deutsche Welle-s, se raporti i progresit kësaj radhe mund të mos jetë shumë pozitiv, për faktin që Kosova vitin e shkuar kishte shumë pak kohë  për të punuar në reforma.

Qeveria: Pak kohë për të adresuar sfidat e raportit

“Ne të gjithë e dimë se Kosova ka shumë probleme kronike dhe po ashtu të gjithë e dimë se viti që lamë pas është karakterizuar  nga një proces i stërzgjatur elektoral, që është pasuar me krizën e zgjedhjes së presidentit dhe realisht ne kemi pasur shumë pak kohë për të adresuar sfidat e raportit të progresit”, thotë Vlora Çitaku.

Ministrja Çitaku, se thotë reforma e ngadaltë e administratës publike është një ndër sfidat më të mëdha që e ka përcjellë Kosovën dhe në këtë pikë ajo pret që do të kenë kritika në raportin e progresit.

“Kosova ka problem real me administratën publike.  Ju e shihni, Belgjika ka një vit e gjysmë pa qeveri, mirëpo, sistemi funksionon në mënyrë të përkryer dhe e gjithë kjo për shkak të një administrate të fuqishme publike, ndërkohë që në Kosovë të gjitha  projektet dhe iniciativat duhet të inicohen nga kabinetet qeveritare”, thotë, Vlora Çitaku.

Hapa përpara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Komisioni Evropian, çdo vit në raportin e progresit, ka adresuar kritika që Kosova, po bën pak në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ministrja  Çitaku, thotë se kësaj radhe Kosova ka ndërmarrë masa që kjo çështje të shënojë përmirësime. Sipas saj, pothuaj ka përfunduar hartimi i ligjeve në fushën e drejtësisë, janë ngritur pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa, është vendosur edhe gurë themeli për ndërtimin e  pallatit të drejtësisë.

“Pra gradualisht ne po bëjmë hapa të rëndësishëm në ndërtimin e një sistemi drejtësie, i cili do të jetë pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit. Po ashtu, në vitin që lamë pas janë shënuar edhe një varg aktakuzash dhe ndjekjesh penale për ata që janë portretizuar si peshq të mëdhenj”, thotë ministrja Çitaku.

Shoqëria civile: justifikimet e qeverisë pa bazë

Fatmir Curri, nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile DW have all right tu use those photos for website Author Bekim Shehu, DW correspondent in Pristina Date 09.1.2010
Fatmir Curri, nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri CivileFotografi: DW

Mirëpo, përfaqësues nga shoqëria civile dhe njohës të integrimeve evropiane, janë të bindur se Raporti i Progresit për Kosovën kësaj radhe do të jetë shumë më negativ për vendin sesa viteve të shkuara. Fatmir Curri, nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, thotë se arsyetimet e qeverisë, se nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për të përmbushur obligimet që kërkohen nga  Komisioni Evropian, janë të paqëndrueshme.

"Pikërisht këtu qëndron problemi, sepse administrata civile dhe institucionet është dashur të funksionojnë dhe të përmbushin obligimet e veta, pa marrë parasysh vonesat në përmbylljen e rezultateve të zgjedhjeve dhe formimit të qeverisë. Ky fakt tregon për një administratë të politizuar dhe të paaftë të përmbushë obligimet që dalin nga axhenda evropiane”, thotë  Fatmir Curri.

Raporti i Progresit për Kosovën publikohet me datën 12 tetor, mirëpo mediet në Kosovë tashëm kanë siguruar disa pjesë nga ky raport. Në to shkruhet se për Komisionin Evropian, janë tri shqetësime të mëdha në Kosovë. Krimi i organizuar, korrupsioni dhe liria e shprehjes.

Autor: Bekim Shehu / Prishtinë

Redaktoi: E. Xhani