1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në pritje të zbatimit të marrëveshjes për vulat doganore

13 Shtator 2011

Qeveria e Kosovës thotë se qarkullimi i mallrave, paraparë të fillojë të premten, duhet bërë në kushte të barabarta, sepse në të kundërtën akoma vlen masa e reciprocitetit e vendosur nga qeveria e Kosovës më 20 korrik.

https://p.dw.com/p/12XrT
Mitrovica
MitrovicaFotografi: DW

Qeveria e Kosovës është e vendosur që më datën 16 shtator të fillojë së zbatuari marrëveshja për vulat doganore, e cila u arrit në fillim të shtatorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Me këtë do të shënohej edhe fundi i vendimit të qeverisë për ndalimin e mallrave serbe që të hyjnë në territorin e Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi thotë se doganierët e Kosovës do të vendosen në pikat 1 dhe 31 dhe më këtë do të shënohet edhe fillimi i funksionimit të doganave në këto dy pika kufitare.

Kosovarische Thaçi: më 16 shtator të fillojë së zbatuari marrëveshja për vulat doganore
Thaçi: më 16 shtator të fillojë së zbatuari marrëveshja për vulat doganoreFotografi: DW

“Qeveria e Kosovës e ka agjendën e vet. Agjendë kjo që është në drejtim të forcimit të shtetit, ndaljes së plotë të kontrabandës. Gjithashtu e theksoj për vendosjen e kontrollit të plotë të kufirit shtetëror në mes Kosovës dhe Serbisë. Doganierët e Kosovës do të jenë edhe në pikat 1 dhe 31 dhe do të jenë udhëheqës të doganës. Gjithashtu edhe policia e Kosovës do të emërohet nga organet kompetente”, tha kryeministri Thaçi në mbledhjen e fundit të qeverisë.

Akoma e paqartë, se si do të kalojnë mallrat e Kosovës në Serbi

Mirëpo megjithë arritjen e marrëveshjes për vulat doganore, akoma është e paqartë sesi do të kalojnë mallrat e Kosovës në Serbi, për faktin që pos vulës, ku shkruan Dogana e Kosovës, në dokumentet përcjellëse të mallit shkruan edhe origjina e mallit dhe ajo është Republika e Kosovës. Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, thotë për progamin tonë se kushtet për qarkullimin e mallrave duhet të jenë të njöjta si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë.

“Kur bëhet miratimi i lëvizjes së lirë dhe i hyrjes në funksion të marrëveshjes së dalë nga dialogu Prishtinë- Beograd, atëherë kjo do të shkojë me të gjithë dokumentacionin përcjellës, që zakonisht i përcjellin mallrat, kur e lëshojnë vendin e origjinës”, thotë ministrja Mimoza Kusari-Lila.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari LilaFotografi: DW/Bekim Shehu

"Pëndryshe vlen masa e reciprocitetit."

Ministrja Kusari-Lila thotë se qeveria e Kosovës është e vendosur që qarkullimi i mallrave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të bëhet në kushte të njejta, sepse në të kundërten sipas saj akoma vlen masa e reciprocitetit.

“Nëse shohim probleme, të cilat vendosen, apo zbatohen nga pala serbe, atëherë edhe ne nuk mund të lejojmë qarkullimin e njëanshëm te mallrave vetëm nga Serbia për në Kosovë, por do ta parandalojmë këtë dukuri, e cila ka mbizotëruar në këto tri vitet e fundit”, thotë ministrja Kusari-Lila.

Shefi i delegacionit serb në dialogun Kosovë-Serbi, Borko Stefanovic
Shefi i delegacionit serb në dialogun Kosovë-Serbi, Borko StefanovicFotografi: DW

Me fillimin e zbatimit të marrëveshjes për vulat doganore Kosovë-Serbi prapë se prapë mallrat, që hyjnë nga Serbia në Kosovë, sipas palës kosovare nuk do të zhdoganohen në pikat kufitare me Serbinë 1 dhe 31. Kamionëve më mallra, që hyjnë në Kosovë, në këto pika kufitare do t'u ndalet dokumentacioni për mallin, ndërsa zhdoganimi do të bëhet në terminalin doganor të Kosovës, që gjendet në qytetin e Mitrovicës.

Beogradi zyrtar kundërshton praninë e doganierëve dhe policëve kufitarë të Kosovës

Sidoqoftë këtë të premte, sipas kryeministrit Hashim Thaçi, doganierët dhe policia e Kosovës do të vendosen në dy pikat kufitare me Serbinë. Mirëpo mediat lokale serbe citojnë shefin e delegacionit serb në dialogun Kosovë-Serbi, Borko Stefanoviç, i cili thotë se kjo duhet ndaluar. Ai thotë se nëse ndodh kjo, mund të ketë probleme, për faktin që sipas tij qytetarët serbë të pjesës veriore të Kosovës do të organizojnë rezistencë. Edhe përfaqësuesit lokalë të serbëve të veriut kanë kundërshtuar vendosjen e doganierëve kosovarë në pikat kufitare me Serbinë dhe kanë paralajmëruar veprime në kundërshtim të përpjekjeve për zbatimin e marrëveshjes për vulat doganore Kosovë-Serbi.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica