1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

130410 Karadzic Beweisführung

13 Prill 2010

Në procesin kundër Karaxhiçit këtë të martë (13.4.) ka mundësi që të vendosen piketa të rëndësishme. Sot do të deponojë dëshmitari i parë i akuzës. I akuzuari për genocid ka deklaruar se do të vijë në sallën e gjyqit.

https://p.dw.com/p/Mv6N
Sot është dita e së vërtetës në sallën 1 të gjykatës ndërkombëtare në Hagë.
Sot është dita e së vërtetës në sallën 1 të gjykatës ndërkombëtare në Hagë.Fotografi: AP

Sot është dita e së vërtetës në sallën 1 të gjykatës ndërkombëtare në Hagë. Sepse pas shtyrjeve të shumta në procesin kundër ish udhëheqësit të serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiç, do të merret në pyetje dëshmitari i parë. Dhe si gjithmonë, që kur Karaxhiçi akuzohet për genocid dhe krime kundër njërëzimit, pyetja kryesore është: A do të dalë Karaxhiçi nga qelia e tij, apo do ta bojkotojë përsëri gjyqin?

Karaxhiçi ka bërë të ditur se do të vijë në sallën e gjyqit

Për profesorin Christoph Safferling, Drejtues i qendrës së kërkimit dhe dokumentacionit për proceset kundër krimeve të luftës në universitetin e Marburgut, ekziston në rradhë të parë një arsye, se përse Karaxhiçi shfaqet në proces. Dhe kjo është: "Se ai do të rrëfejë historinë e tij të kërcënimit, që serbët e Bosnjës e shihnin vetën të braktisur. Këtë histori do të tentojë ta tregojë. Dhe këtë mund ta bëjë vetëm, duke qenë i pranishëm në sallë."

Në pretencën e tij Karaxhiçi e ka klasifikuar masakrën e Srebrenicës në korrik 1995 si mit. Një shok në publik, por siç duket jo kudo. Kjo e shqetëson shumë avokatin nga Amsterdami, Axel Hagedorn. Ai mbron nënat nga Srebrenica, tä cilat sipas akuzës kanë humbur 8.000 familjarë meshkuj në këtë genocid. "Kohët e fundit vihet re se papritur dalin njoftime në shtyp, që përpiqen ta relativizojnë këtë genocid. Kjo i brengos shumë nënat. Edhe në Hollandë një gjeneral tha së fundi, se ka juristë, që dyshojnë, nëse ka ndodhur vërtet një genocid. Ky më duket një zhvillim kritik."

Gratë protestojnë para Gjykatës së Hagës, 26 tetor 2009.
Gratë protestojnë para Gjykatës së Hagës, 26 tetor 2009.Fotografi: AP

Shfaqja e Karaxhiçit në proces është detyruar

Me qëllim që t'u jepet fjala tani edhe dëshmitarëve, gjykatësi ka marrë masa. Nëqoftëse Karaxhiçi nuk do të shfaqet si zakonisht, gjykatësi do të vazhdojë procesin. Në këtë rast mbrojtjen do ta marrë përsipër britaniku Richard Harvey. Shfaqja e mbrojtësit të detyrueshëm është urdhëruar tashmë nga gjykatësi. Por kjo nuk do të thotë se shtyrje të tjera nuk mund të ndodhin, thotë Christoph Safferling. "Shtyrja është në përgjithësi një taktikë, ai do ta vazhdojë atë. Kjo zemëron tribunalin, prokurorët, së fundi edhe dëshmitarët. Dhe ai do t'i krijojë vazhdimisht vështirësi tribunalit, këtë e ka treguar dhe ai do t'i përmbahet kësaj."

Megjithatë eksperti ligjor nga Marburgu e konsideron të drejtë mënyrën, se si vepron gjykata në Hagë. "Për kryegjykatësin është një çështje shumë e ndjeshme, se si duhet të veprojë me një situatë të tillë dhe me një të akuzuar të tillë. Nuk është e thjeshtë. Durimi dhe këmbëngulja për të zbatuar rregullat e procesit, më duket se është rruga e drejtë."

Ngarkesë e madhe emocionale për nënat e Srebrenicës

Avokati Hagedorn e di edhe se gjykata do t'i përmbahet rreptësisht normave të shtetit ligjor, gjë që edhe e ndjek. Por ai e di shumë mirë se çfarë ndjejnë nënat e Srebrenicës, të cilat para 15 vjetësh humbën burrat dhe fëmijët e tyre, por që konfrontohen vetëm me finesa juridike. "Duket se shfrytëzohen të gjitha mjetet e mundshme procedurale dhe kjo është një ngarkesë e pabesueshme emocionale për nënat e Srebrenicës."

Kryegjykatësi O-Gon Kwon nuk do që të tregojë asnjë emocion, sepse durimi i tij mund të shpërblehej dhe t'i shërbente me të vertetë gjetjes të së vërtetës, kur tani afro dy vjet pas arrestimit të Radovan Karaxhiçit më në fund dëshmitari i parë dëshmon në gjykatën e Hagës.

Autor: Jürgen Kleikamp/ Angelina Verbica

Redaktoi: Aida Cama