1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në punë gjermane, në shtëpi shqiptare

2 Tetor 2011

Helga Theodhori ka lindur në Korçë e ka mbaruar Artin Figurativ në Tiranë. 11 vjet më parë ajo shkoi në Munih për të punuar. Tani jeton aty së bashku me të shoqin shqiptar.

https://p.dw.com/p/12U0A
Helga TheodhoriFotografi: DW

«Sa kam ndryshuar? Besoj që edhe pa vetëdijen time Gjermania mund të më ketë ndryshuar. Që të jesh e lumtur e t'i thuash vetes që ato dëshira që kisha më janë plotësuar duhet të ndryshosh, duhet të përshtatesh në atë vend që do vesh», thotë Helga Theodhori. 40 vjeçarja trupvogël me flokët e gjata e të mbledhura bisht e sytë kafe që i vezullojnë mes tualetit të lehtë femëror ka marrë sot leje nga koleget e punës për të qëndruar një gjysmë ore më gjatë në pushimin e drekës.

Ajo ka mbaruar Akademinë e Arteve në Tiranë për pikturë, por profesioni i saj ka kohë që ka dalë në plan të dytë. Tani ajo restauron maska afrikane e sëndukë të vjetër gjermanë apo objekte të tjera nga e gjithë bota, për pikturën abstrakte, mbetet kohë vetëm pas pune. Në se mbetet kohë, sepse puna në Gjermani është ndryshe nga ajo në Shqipëri: E Helga Theodhori i njeh të dyja: Ajo ishte restauruese në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë kur i erdhi shansi për të ardhur në Gjermani, si restauratore mysafire në Muzeun Etnografik të Munihut.

"Në Shqipëri më mungonte jeta kulturore"

Ishte mesi i viteve 90-të, kur Helga Theodhori vendosi që ta kërkonte lumturinë jashtë Shqipërisë. Vendi ishte asokohe ishte në ethet e biznesit, për artin e kulturën mendohej shumë pak, në rrethe jo e jo: «Më mungonte një lloj «civilizimi», jo në kuptimin e njerëzve që visheshin mirë e kanë mjete qarkullimi, por më mungonte jeta artistike, muzetë, kultura, koncertet».

Aq më i madh ishte gëzimi saj kur mësoi se do të asistonte në një vizitë të drejtorit të atëhershëm të Muzeut Etnografik të Munihut. Ai donte të hapte një ekspozitë me objekte të artit shqiptar nga shekulli XII deri në shekullin XIX dhe për këtë kërkonte edhe objekte nga muzeu i Korçës. Nuk ishte vetëm emri i saj me prejardhje gjermane, që e bënte ta ndjente veten të afërt me Gjermaninë: «Im atë kishte studiuar në Lajpcig në vitet 50-të për dentist dhe më kishte folur shumë për këtë vend», rrëfen ajo. Helga shfrytëzon shansin dhe arrin ta fitojë simpatinë e mysafirit gjerman brenda një kohe të shkurtër.

Në Gjermani profesioni është i ndarë nga jeta private

Kur në vitin 2000 filloi ndërtimi i ekspozitës në Munih, Helga Theodhori ishte në listën e delegacionit shqiptar. Kjo vizitë e shkurtër u shndërrua në një kontratë njëvjeçare për restaurimin e ikonave shqiptare në Muzeun Etnografik të Munihut. Se ç'mund ta priste gjatë këtij viti pune në Gjermani ajo e dinte, nga rrëfimet e të atit: «Unë jam rritur që në fillim me shpjegime se ç'farë është mentaliteti gjerman, si edukohen fëmijët në Gjermani, se sa të lartë e kanë disiplinën e punës. E dija që këtu jeta personale ndahet me rigorozitet nga ajo private», rrëfen Helga Theodhori.

Sado e përgatitur shpirtërisht kjo ndarje kaq rigoroze mes privates dhe profesionit ishte sfida më e madhe ambientimit në Gjermani. «Kush i përzihen ato me njëra-tjetrën nuk merret seriozisht. Por ne shqiptarët jemi më njerëzorë, më të gatshëm për të ndihmuar, më të dashur, më të qeshur, në Gjermani këto shihen si mungesë personaliteti.»

Helga Theodhori punon tashmë që prej 11 vjetësh në muze. Kontrata e punës ndërkohë është e përhershme dhe ajo e ka kuptuar se kjo ndarje në radhë të parë ka të bëjë me natyrën e punës. «Çdo shqiptar që punon në Gjermani e di që nuk është e njëjta mënyrë të punuari, as për nga orët, e as për nga volumi. Këtu duhet një përqendrim shumë më i madh, prandaj edhe njerëzve s'u mbetet tjetër veçse të përqendrohen tek puna, për sa kohë që janë në punë. Kjo sjell edhe një lloj distance midis njerëzve.»

Botë shqiptare në Munih

Kjo distancë nuk i pëlqen Helga Theodhorit. Prandaj edhe ajo e ka gjetur zgjidhjen: «Në punë unë jam gjermane, në shtëpi shqiptare», thotë ajo. Në vitin 2009 ajo u martua me një shqiptar, të cilin e njihte që nga koha e studimeve në Institutin e Arteve. «Ne në shtëpi flasim shqip, gatuajmë shqip, kohën e lirë e kalojmë me shqiptarë. Kështu kompensoj atë nostalgji që kam për Shqipërinë», thotë ajo.

Kur hedh vështrimin pas në dekadën gjermane të jetës së saj sheh që e ka realizuar ëndrrën e saj. Dhe vetvetiu në këtë rrugë ajo është bërë më «gjermane». Këtë e vëren kur shkon në Shqipëri e bezdiset nga fakti që puna atje nuk merret seriozisht: «Nuk e di se si mund të vejë ai vend në atë nivel që pretendon duke thënë që edhe ne do jemi si gjithë Evropa, ndërkohë që Evropa e para gjë që ka për të vajtur atje ku ka synuar ka qenë puna», pyet Helga.

Çdo të ndodhte me të po të kishte mbetur në Shqipëri? «Do të përqendrohesha më shumë në profesionin tim të parë, tek piktura», thotë ajo. «Deri tani nuk kam pasur shumë kohë. Vetëm një ekspozitë kam hapur në Itali. Po përpiqem të hap së shpejti edhe një në Gjermani», thotë dhe sheh orën. Ka ardhur koha t'u kthehet skulpturave afrikane që dy ditë më parë i pat sjellë nga Parisi.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora