1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në takimin e nivelit të lartë të BE do të flitet edhe për gjendjen në Maqedoni

Fatos Musliu/ Bruksel20 Qershor 2008

Kryeministri Gruevski: nëse arrijmë një zgjidhje të mirë për emrin midis Shkupit dhe Athinës, atëherë do të organizojmë referendum për të vërtetuar nëse propozimi pranohet nga qytetarët e Maqedonisë

https://p.dw.com/p/ENZK
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Në Shkup po ndiqet me vëmendje të veçantë takimi i nivelit të lartë të liderëve të BE-së në Bruksel, ku pritet të bisedohet edhe për Maqedoninë. “ Ajo që mund të thuhet me siguri është se Maqedonia do të marrë datën për negociata, pasi t'i përmbushë kushtet e nevojshme", kjo deklaratë e kryeministrit slloven, Janez Jansha ka zgjuar shpresat e autoriteteve të Shkupit për ndonjë lajm pozitiv nga Brukseli. Nëse arrijmë një zgjidhje të mirë për emrin midis Shkupit dhe Athinës, atëherë do të organizojmë referendum për të vërtetuar nëse pranohet ai propozim nga qytetarët e Maqedonisë, ka deklaruar kryeministri Nikolla Gruevski në vizitën e fundit që ka zhvilluar në Bruksel. Kryeministri Gruevski ka paralajmëruar edhe më parë mundësinë e një referendumi për emrin, por në Bruksel ai ka qenë më preciz për herë të parë, duke deklaruar se në Maqedoni do të organizohet referendum nëse arrihet një zgjidhje e mirë.

Lideri i Partisë së Re Socialdemokrate , Tito Petkovski deklaroi se Qeveria e re duhet të bëjë kompromis për emrin .“Është e nevojshme që sa më shpejt të formohet Qeveria dhe kryeministri të bëjë kompromis me Greqinë për çështjen e emrit, sepse është e qartë se në të kundërtën nuk do të ecim përpara”-,ka thënë lideri i PRSD-së, Tito Petkovski.

Edhe kryetari i BDI-së , Ali Ahmeti në një prononcim për mediat greke është shprehur pro zgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë. “Nëse Qeveria e Maqedonisë është përcaktuar për reforma të mirëfillta dhe anëtarsimin e vendit në BE dhe NATO ,atëherë ajo duhet të gjejë një zgjidhje për emrin, sepse në të kundërtën do të ketë ngecje në këtë drejtim “, ka thënë Ali Ahmeti. Gjithnjë sipas tij, emri i ri i Maqedonisë duhet të reflektojë multietnicitetin e vendit.

Ndërkohë , Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve e ka anulluar votimin në 12 qendra votimi në njësinë zgjedhore 1 dhe 6. Përsëritja e votimeve do të zhvillohet më 29 qershor. Këto qendra votimi janë anulluar për shkak të parregullsive në rivotimet e 15 qershorit. Sipas zëdhënësit të KSHZ-së, Zoran Tanevski, të drejtë vote kanë 9700 votues dhe kjo do të ndikojë në ndryshimin e numrit të deputetëve midis forcave politike shqiptare. Të shtunën do të zhvillohet seanca e parë konstituive e përbërjes së re parlamentare, mirëpo deri tani janë verifikuar vetëm mandatet e 114 deputetëve nga gjithsej 120.