1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Turqi shpërthen zemërimi i popullit

Senada Sokollu / Angelina Verbica3 Qershor 2013

Turqia po përjeton protestat më të ashpra prej më shumë se dhjetë vjetësh. Fillimisht demonstratat drejtoheshin kundër një projekti ndërtimi në një park të Stambollit. Tani demonstruesit luftojnë kundër qeverisë.

https://p.dw.com/p/18ism
An anti-government protester gestures during a demonstration in Ankara late June 2, 2013. Tens of thousands of people took to the streets in Turkey's four biggest cities on Sunday and clashed with riot police firing tear gas in the third day of the fiercest anti-government protests in years. Prime Minister Tayyip Erdogan blamed the main secular opposition party for inciting the crowds, whom he called "a few looters", and said the protests were aimed at depriving his ruling AK Party of votes as elections begin next year. REUTERS/Umit Bektas (TURKEY - Tags: POLITICS CIVIL UNREST)
Türkei Proteste Regierung IzmirFotografi: Reuters

Në parkun Gezi të Stambollit mbizotëron të dielën atmosferë festivali. Aty, ku filluan përleshjet e dhunshme ndërmjet policisë dhe demonstruesve, janë mbledhur mijëra vetë dhe bëjnë piknik me muzikë në dritën e qirinjve. Vullnëtarë vënë në dispozicion ushqime dhe pastrojnë vendin nga kaosi i ditëve të fundit.

Megjithatë në lagjen fqinje Besiktas njerëzit vazhdojnë të luftojnë. Në rrugët përreth sheshit Taksim ata kanë ndërtuar barrikada me vazo lulesh, banka, me shtyllat e trafikut dhe autobuzë. Ata duan të bllokojnë hyrjen për policinë. Në qendër të qytetit të Stambollit mbretëron ende kaos. Edhe në qytetet e Ankarasë dhe të Izmirit pati përleshje të dhunshme mes policisë dhe  protestuesve.

Ajo që disa ditë më parë filloi si një demonstratë kundër një projekti ndërtimi në parkun Gezi të Stambollit dhe prerjen e pemëve, u kthye në një proteste mbarëkombëtare kundër kryeministrit turk Rexhep Taip Erdogan dhe partisë së tij konservatore islamike. Në  protesta shkarkohet zemërimi i popullor, thirrjet kundër qeverisë bëhen gjithnjë e më të forta.

Protestat në parkun Gezi
Protestat në parkun GeziFotografi: Reuters

"Të gjithë luftojnë për të njëjtën çështje"

Me sloganet si „Taksimi na takon neve, Stambolli na takon neve“, apo „krah për krah luftojmë së bashku kundër fashizmit“, masa grumbullohet në parkun Gezi me trumpeta dhe megafonë. Homoseksualë, lesbike, socialdemokratë, komunistë, të rinj dhe të moshuar. Së bashku ata pushtojnë parkun, për të cilin kanë luftuar së bashku ditët e fundit. Për shumë nga demonstruesit kjo ka natyrë simbolike. „Ne e bëjmë këtë për të ndryshuar diçka. Ne luftojmë dhe qëndrojmë këtu prej ditësh për të tërhequr vemendjen e qeverisë. Ajo duhet të na dëgjojë. Ne duam që të drejtat e njeriut të respektohen më fort dhe ne nuk durojmë dot më cenzurën e shtypit“, thotë një protestues 25-vjeçar për Deutsche Welle.

Demonstrata ka shumë efekt, thotë një studente  28-vjeçare e shkencave politike në bisedë me DW. "Përmes gjithë kësaj, që ndodh tani, ne ndjehemi më të lirë për të shprehur gjërat. Ne e shohim se nuk jemi vetëm në ndjenjat dhe mendimet tona. Në të ardhmen ne e dimë se brenda një kohe të shkurtër mund të grumbullojmë mijëra njerëz në rrugë. Kjo na jep përsëri një pjesë të lirisë, që e kemi humbur prej kaq kohësh", thotë gruaja e re. Demonstrata nuk duhet të përfundojë këtu, thotë 23-vjeçari Özgür Sanlioglu. "Në këtë protestë bashkohen njerëz të feve, origjinave, gjuhëve, dhe botëkuptimeve të  të ndryshme. Të gjithë luftojnë për të njëjtën çështje. Ne do të luftojmë deri sa të ketë ndryshuar diçka.Qeveria do t'i shmanget rezistencës së kombit", thotë Sanlioglu.

Kryeministri Erdogan nuk heq dorë nga kursi i ashpër
Kryeministri Erdogan nuk heq dorë nga kursi i ashpërFotografi: Reuters

"Presioni është akumuluar"

Në sheshin Taksim vazhdon protesta paqësore. Në ndërtesat e larta përreth njerëzit janë ulur në lartësi marramendëse mbi çatitë. Poshtë në shesh kërcehet me muzikën tradicionale turke. Me parulla të tilla si "Ankara, Izmir! Parku Gezi është me ju" masa solidarizohet me demonstruesit në qytete të tjera. Madje planifikohen edhe udhëtime me autobus në drejtim të kryeqytetit. Në sheshin historik valëviten flamuj sidomos flamujt e socialdemokratëve

„Prej vitesh kombi ndien një lloj presioni nga lart. Ai është akumuluar. Tani të gjithë dalin në rrugë dhe protestojnë për më shumë liri dhe barazi. Ne do të demonstrojmë aq shumë, derisa qeveria të japë dorëheqjen“, thotë një anëtare 25-vjeçare e partisë socialdemokrate të Turqisë.

Dëme materiale milionëshe

Sapo bie mbrëmja krijohen situata si në luftë. Protestuesit dhe policia zhvillojnë luftime të ashpra, copa gurësh  fluturojnë, policia përdor gazin lotsjellës. Protestuesit thërrasin duke fyer Erdoganin. Disa nuk mund ta përballojnë djegien e e syve dhe marrjen e frymës dhe vrapojnë për në park dhe për në sheshin Taksim. Të tjerët vazhdojnë të shkruajnë fjalë sharëse kundër Erdoganit në mure, makina dhe stacionet e autobusëve. Ministri i Brendshëm turk Muamer Güler e vlerëson dëmin e deritanishëm me më shumë se tetë milionë euro. "Çdo dëmtim do të ndiqen penalisht," paralajmëron Güler.

Twitter është një „problem“

Kryeministri Erdogan nuk ka mirëkuptim ndaj protestave në mbarë vendin dhe fyerjeve kundër tij. "Momentalisht kemi një problem me emrin Twitter. Shumica e asaj që shkruhet aty, nuk është e vërtetë. Ajo, që quhet social media, do të thotë dhimbje koke për kombin", tha Erdogan në kanalin privat turk, Haber Türk. Pastaj ai njofton planet e tij në lidhje me sheshin Taksim. Qendra Kulturore Ataturk do të shkatërrohet dhe në vend të saj do të ndërtohet një xhami, thotë Erdogan. "Për këtë unë nuk do t'i kërkoj leje as opozitës dhe as grabitësve të tjerë. Ne tashmë kemi lejen nga njerëzit, që na kanë zgjedhur", tha Erdogan.

Megjithë trazirat në vend dhe kritikat e ashpra ndaj tij dhe qeverisë së tij, Erdogan do të nisë një udhëtim të planifikuar jashtë vendit. Ndër të tjera ai do të shkojë në ditët, që vijnë në Marok dhe Algjeri. Kryeministri ka njoftuar se do të kthehet të enjten e ardhshme.