1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në veri të Mitrovicës vritet një këshilltar komunal

Bekim Shehu16 Janar 2014

Dimitrije Janiqijeviq, këshilltar në Komunën e Mitrovicës Veriore, është vrarë para shtëpisë së tij. Autorët e vrasjes dhe motivi akoma nuk dihen.

https://p.dw.com/p/1ArYU
Fotografi: DW/R. Alija

Këshilltar në Komunën e Mitrovicës Veriore, Dimitrije Janiqijeviq është vrarë para shtëpisë së tij. Vrasja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 16.01. njofton policia rajonale në Mitrovicë. Autorët e vrasjes dhe motivi akoma nuk dihen. Dimitrije Janiqijeviq, ka qenë edhe kandidat për kryetar të Komunës së veriut të Mitrovicës nga Lista e Partisë së Pavarur Liberale. Dimitrije Janiqijeviq ishte 35 vjeç dhe baba i tre fëmijëve.

Këtë vrasje e ka dënuar fuqishëm presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Qeveria e Kosovës, duke e cilësuar akt të rëndë dhe qyqar. “Presidentja Jahjaga e cilëson vrasjen e këshilltarit nga radhët e SLS si tentim për të zmbrapsur përpjekjet e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj që të vendosin rend dhe ligj dhe të normalizojnë e stabilizojnë çdo cep të territorit të vendit”.

“Kjo vrasje është një akt i rëndë dhe qyqar dhe si e tillë është e dënueshme nga qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Është një sulm i drejtpërdrejtë kundër vullnetit të qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe kundër vendosjes së sundimit të rendit, ligjit dhe institucioneve legjitime edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës, thekson se është e vendosur që me të gjitha kapacitetet e saj institucionale të vazhdojë përkushtimin për funksionalizimin e plotë të institucioneve demokratike, të zgjedhura nga qytetarët në pjesën veriore të Kosovës.

Në veri të Mitrovicës u konstituua kuvendi komunal, por betimin nuk e dha kryetari i zgjedhur. Në fund të shkurtit në komunën e veriut të Mitrovicës do të përsëriten zgjedhjet për kryetar.