1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nënë e tetë fëmijëve - Fikrie Plava

14 Shkurt 2012

E gjithë rruga Schlaumbausweg në Këln e njeh familjen Plava. Jo thjesht se janë me origjinë nga Kosova, por sepse është thjesht një familje e veçantë. Familja Plava përbëhet nga dhjetë anëtarë.

https://p.dw.com/p/1431O
Fotografi: privat

Rruga Schlaumbausweg në Këln. Shtëpia dy katëshe me shumë dhoma zien nga zhurma dhe gëzimi. Fikrija dhe Ahmeti, të dy nga Mitrovica kanë tetë fëmijë, katër djem dhe katër vajza. Të gjithë njëri pas tjetrit në moshë, më i madhi 13-të, plot shëndet dhe vitalitet, ata janë gjithmonë në lëvizje. Shkojnë në shkollë dhe në kopësht, frekuentojnë sporte apo ndonjë hobi tjetër.

Falë përkujdesjes së madhe të të dy prindërve ata mundohen të jenë shumë aktivë në jetën e përditshme në shkollë dhe jashtë saj. Por aty pranë ne nuk shohim as gjyshe apo gjysh dhe asnjë „teze, hallë apo ndonjë „Kindermädchen“ (kujdestare për fëmijë). Mami Fikria dhe Babi Ahmeti janë mirëorganizuar për të përballuar familjen e madhe.

Kosovo Großfamilie Portrait Familie Plava
Fotografi: privat

„Punojmë të gjithë dhe ndihmojmë njëri-tjetrin. Thjesht organizohemi të gjithë ku secili e di se çfarë duhet të bëjë. Më parë e kisha më të vështirë kur ishin më të vegjël, por tani fëmijët janë rritur pak para kohe. Ndoshta iu duhet më të mëdhenjve të angazhohen më shumë për të vegjëlit. Dhe kjo të jep shumë kënaqësi“, thotë Fikrija.

Një ëndërr e plotësuar e vajzërisë

Ajo erdhi para 16 vjetësh në Gjermani. Krejt rastësisht u njoh në Mitrovicë me Ahmetin i cili punonte si emigrant në një fabrikë letre këtu në Köln. Dashuria e tyre u kurorëzua në martesë, por Fikrija mori me vete edhe ëndrrën e saj për të pasur shumë fëmijë. Tek prindërit nuk kishte familje të „madhe“ siç është tipike në Kosovë, vetëm tre fëmijë ishin, ndërsa tek Ahmeti ishin më shumë.

„Kam pasur gjithmonë dëshirë të kem shumë fëmijë. Falë Zotit, sot kam arritur vërtet ti kem ato. Veçanërisht kur shkojmë në Kosovë me dy makina të mbushura plot kam një ndjesi të veçantë, shkoj me një ëndërr të plotësuar të vajzërisë sime“, thotë gjithë krenari nëna e tetë fëmijve.

Andina, Adonika, Andini, Aurona, Amiri, Albioni, Amina, Anesi, quhen fëmijët e Fikries dhe Ahmetit. Të gjithë nisin me shkronjën a. Andina është në klasë të shtatë 13 vjeçe ndërsa më i vogli Anesi është tre vjeç në kopësht. Gjashtë prej tyre shkojnë në karate pas shkollës, vetëm Andina dhe Anesi nuk janë angazhuar aty edhe pse nuk mungojnë të jenë të pranishëm gjatë stërvitjes që bëjnë motrat dhe vëllezërit e tyre.

Kosovo Großfamilie Portrait Familie Plava
Fotografi: privat

Integrimi është proces i domosdoshëm

Familja Plava në shtëpi i përdorin të dyja gjuhët gjermanisht dhe shqip. Vetë Fikria e shfrytëzon edhe pak kohë që i mbetet për vete. Ajo nuk dëshiron të mbesë thjesht një „Hausfrau“ (grua shtëpiake) që vetëm gatuan dhe pastron. Ajo ka nisur një shkollë dyvjeçare profesionale për infermiere dhe pret në shtator ta përfundojë dhe të fillojë punën.

„Eshtë më mirë edhe për fëmijët kur unë jam e angazhuar në punën time. Fëmijët një ditë do të gjejnë rrugën e tyre dhe unë duhet të vazhdojë jetën time, kështu që duke pasur një zanat jam edhe më e plotë në shoqërinë që na rrethon“ thotë ajo.

Fikrija nuk është veçse 38 vjeçe dhe intgrimin e saj në Gjermani ajo e sheh të domosdoshëm. Përmes punës ajo i ndihmon fëmijët më shumë gjatë jetës së tyre. „Në punë je e lidhur me shoqërinë, zhvillon aktivitete dhe je në kontakt me botën. Brënda mureve të shtëpisë ti vetëm izolohesh, shkëputesh nga bota".

Kosovo Großfamilie Portrait Familie Plava
Fotografi: privat

Ish presidenti Horst Köhler - kumbar i Aminës

Falë mirëkuptimit dhe harmonisë që ka me bashkëshortin, kjo e lehtëson edhe më shumë angazhimin e saj për tu shkolluar.

"Eshtë kënaqësi kur të gjithë në mëngjes dalim nga shtëpia dhe secili është aty ku duhet të jetë. Në mbrëmje së bashku përpiqemi që ti bëjmë të gjitha: të gatuajmë, të pastrojmë, të bëhen detyrat e shkollës, të shkojmë në sport etj. Po ashtu fundjavat mundohemi t'i kalojmë sa më mirë“, tregon me sytë e qeshur, nëna e tetë fëmijve.

Familja Plava është nderuar edhe nga ish presidenti i Gjermanisë Horst Köhler. Sipas ligjit familja që bëhet me shtatë fëmijë, automatikisht gëzon edhe fatin që presidenti bëhet kumbar për fëmijën e shtatë. Në këtë rast është Amina ajo që u shpërblye me këtë privilegj.

Ish presidenti gjerman, Horst Köhler
Ish presidenti gjerman, Horst KöhlerFotografi: AP

Por në shtëpinë e Fikries kanë qenë për vizitë si kryebashkiaku i Këlnit, Jürgen Roters apo përfaqësues të tjerë të bashkisë dhe institucioneve të gruas dhe fëmijve. Edhe ministrja federale për familje, pleqtë të rinjtë dhe fëmijët, Kristina Schröder ndjek nga afër Fikrien si një nënë e suksesshme me tetë fëmijë. Ajo nuk harron ti dërgojë urime asaj dhe gjithë familjes çdo fundviti kartolinën e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri.


Autor: Mimoza Cika Kelmendi

Redaktoi: Esat Ahmeti