1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjithnjë e më shumë nën presion - NATO në Afganistan

Angelina Verbica6 Prill 2009

Sipas rezolutës së OKB-së trupa e ISAF-it, e themeluar në dhjetor 2001, kishte detyrë të siguronte ushtarakisht ndërtimin në Hindukush. ISAF drejtohet prej Natos dhe detyrat e tij i kalojnë ato të stabilizimit të vendit

https://p.dw.com/p/HRK8
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, me ushtarë në AfganistanFotografi: AP

Që verën e kaluar gjenerali Denis Thomson fliste për luftë dhe luftimin e kryengritjeve. Thomsoni drejtonte deri në janar kontigjentin kanadez të ISAF-it në provincën jugore të Kandaharit. Në fillim trupa e ISAF-it numëronte pesëmijëepesëqind vetë, tani ka 63.000.

Sa më të fortë bëhen rebelët, aq më tepër ngrihet kontigjenti i trupës. SHBA-ja po dërgon edhe 17.000 ushtarë të tjerë. Për të siguruar zgjedhjet presidenciale të verës priten përforcime të reja. Afganistani është provë për NATO-n, thotë gjenerali i brigadës Hans Erich Antoni, zëvendësshef shtabi në Kabul:

"Provë në atë kuptim që është një provim, nëse NATO-ja është aq e gatshme, e aftë dhe dinamike për t'u përshtatur dhe për t'ju përgjigjur kërkesave të reja pas përfundmit të luftës së ftohtë."

Sipas vlerësimeve në Afganistan ka rreth 25.000 kryengritës që sfidojnë trupat e huaja. Sidomos në jug dhe lindje të vendit ata zhvillojnë luftime të hapura, zhvillojnë sulme dhe ngrenë pusi. Sipas të dhënave të organizatës „Koalicioni Irakian për numërimin e viktimave“ në vitin 2008 gjatë misionit në Afganistan kanë gjetur vdekjen rreth 300 ushtarakë të huaj. Ja si e shpjegon gjenerali David McKiernan, komandanti i ISAF-it, forcimin e islamistëve militantë:

"Grupe si talibanët, që gëzojnë mbështetjen e Al Kaidës, janë të mpleksur me elementë kriminelë, trafikantë, kontrabandistë, tregtarë drogash – dhe të gjithë ata nuk janë të interesuar që të ketë një qeveri të fortë dhe të aftë për të drejtuar afganöt.“

Avantazhi më i madh strategjik i kryengritësve janë zonat, ku mund të fshihen në zonat e fiseve pashtune në Pakistanin fqinjë. Për këtë trupat shtesë të ISAF-it do të dërgohen kryesisht në jug dhe lindje të Afganistanit. Fillimisht priten më tepër këmbime zjarri dhe luftime si dhe atentante me lëndë eksplozive, por në një perspektivë afatgjatë pritet që gjendja të përmirësohet. Kjo do të bënte që militantët të detyrohen të zhvendosen drejt zonave më të qeta në vend, pra në perëndim dhe në lindje, ku komandën rajonale e kanë gjermanët.

Dhe meqenëse as gjermanët dhe as aleatë të tjerë të Nato-s nuk duan të dërgojnë më shumë trupa në Hindukush, aleanca po përqëndrohet tek ngritja e trupave afgane të sigurisë. SHBA-ja do të dërgojë edhe 4.000 trainerë të tjerë dhe deri në vitin 2011 ushtria do të ketë një efektiv prej 134.000 vetësh, kurse policia 82.000 vetë.

"Shumë afganë i pranojnë për një periudhë të shkurtër, apo të mesme trupat e huaja në vend, por pas kësaj ata duhet vërtetö që të largohen dhe të mos vijnë më.“ thotë zëvendëskomandanti i ISAF-it Jim Dutton. Por për ndonjë datë të tërheqjes së trupave nuk do të spekulojë asnjë ushtarak i trupës ISAF.

Në rast se ISAF-i do të largohet shumë shpejt, afganët mendojnë se mund të ketë luftë civile. Rruga e Afganistanit drejt paqes mund të zgjasë për breza të tërë.

Autor: Sabina Matthay/Pandeli Pani

Redaktoi/Angjelina Verbica