1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nënshtetësia e dyfishtë normale në Gjermani?

Daniel Heinrich /Basak Özay/ Lindita Arapi29 Nëntor 2013

Në të ardhmen të gjithë fëmijët që kanë lindur e janë rritur në Gjermani do të mund të mbajnë pasaportën gjermane. Komuniteti turk megjithatë e kritikon ashpër në këtë pikë marrëveshjen e koalicionit.

https://p.dw.com/p/1AQTY
Fotografi: Katarzyna Domagala-Pereira

Partnerët e koalicionit të madh, Unioni konservator dhe Partia Socialdemokate po shkelin në shtigje të reja tek tema e nënshtetësisë së dyfishtë. Në marrëveshjen e koalicionit është rënë dakord për heqjen e opcionit të detyruar për fëmijët me prindër të huaj që jetojnë në Gjermani. Me rregulloren e deritanishme fëmijët e lindur në Gjermani duhej që deri në moshën 23 vjeç të vendosnin për njërën nga nënshtetësitë, atë gjermane ose të prindërve. Kush nuk merrte një vendim deri në në këtë kohë, kërcënohej automatikisht nga humbja e nënshtetësisë. Por nga kjo rregullore përjashtoheshin qytetarët e vendeve të BE-së. Ata mund t'i mbanin pa problem të dyja nënshtetësitë.

Në të ardhmen të gjithë fëmijët që kanë lindur në Gjermani mund të zotërojnë dy pasaporta. Komunitetin më të madh të të huajve në Gjermani e përbëjnë turqit, por ky rregull përfshin edhe qytetarët e vendeve të tjera, pra edhe ata nga Kosova, boshnjakët, serbët, rusët apo afganët.

Kulturë e re mirëseardhjeje

Aygül Özkan, ministre e Çështjeve Sociale (CDU) në landin e Saksonisë së Poshtme
Aygül Özkan, ministre e Çështjeve Sociale (CDU) në landin e Saksonisë së PoshtmeFotografi: picture-alliance/dpa

Unioni konservator kishte rezerva të mëdha për ndryshimin e kësaj rregulloreje. "Kemi diskutuar intensivisht. Në fund kuptuam se kjo rregullore përbën një problem për të rinjtë migrantë që kanë lindur këtu", u shpreh Aygül Özkan në bisedë me Deutsche Wellen. Ministrja e Çështjeve Sociale nga radhët e Partisë Kristiandemokrate (CDU) në landin e Saksonisë së Poshtme, sheh tek rregullorja e re shprehjen e një kulture të re mirëseardhjeje. "Është një shenjë pranimi për të gjithë ata migrantë, që janë integruar dhe e pranojnë Gjermaninë." Por Unioni e refuzon si edhe më parë nënshtetësinë e dyfishtë për të gjithë të huajt e tjerë që jetojnë në Gjermani, ashtu si e kishin kërkuar socialdemokratët.

Komuniteti turk i zhgënjyer

Türkische Frauen beim Einkauf
Fotografi: picture-alliance/dpa

Por rregullorja e re jo vetëm që nuk e merr miratimin e Komunitetit Turk (TGD) në Gjermani, por kritikohet ashpër. Kenan Kolat, kryetari i Komunitetit Turk në Gjermani shprehet tepër i zhgënjyer, sidomos me partnerin socialdemokrat. "Nuk është e mundur ta pranojmë këtë rezultat. SPD-ja kishte bërë të ditur para negociatave, se nuk do ta nënshkruante marrëveshjen e koalicionit pa një rregullore të përgjithshme. Kjo nuk u bë." Kenan Kolat shprehet se gëzohet për ata të rinj që do të përfitojnë nga rregullorja e re , por në tërësi ai e sheh këtë rregullore si një padrejtësi të madhe kundrejt turqve që jetojnë në Gjermani.

Deputeti socialdemokrat me origjinë turke, Mahmut Özdemir nuk e pranon kritikën që i bëhet partisë së tij. "Pa influencën e socialdemokratëve kjo temë do të kishte dalë komplet nga axhenda. Ky rezultat është sukses që duhet respektuar, për një temë, e cila ende nuk është diskutuar deri në fund. Në bisedë me Deutsche Wellen, ai thekson se SPD-ja do të vazhdojë të luftojë për nënshtetësinë e dyfishtë.

Identitete të dyfishta

Deutschland doppelte Staatsbürgerschaft
Fotografi: DW/W. Dick

Edhe e ngarkuara për çështjet e integrimit në grupin parlamentar socialdemokrat, Aydan Özoguz thekson në bisedë me Deutsche Wellen: "Ne kemi shfuqizuar një sinjal antiintegrues me këtë. Por sigurisht unë do të kisha dëshiruar më shumë, prandaj edhe në të ardhmen do të vazhdoj të angazhohem për nënshtetësinë e dyfishtë."

Një temë kjo që u intereson shumë turqve që jetojnë në Gjermani. Me rreth 3 milionë vetë, ky komunitet përbën grupin më të madh të migrantëve në Gjermani. Shumica prej tyre kanë lindur këtu, por vetëm gjysma mban pasaportën gjermane. Shumë syresh nuk duan të humbasin pasaportën turke për atë gjermane. Ky është rezultati i një studimi të kryer nga Qendra e Esenit për Studimet Turke në korrik të këtij viti. Më shumë se 80% e turqve në Gjermani duan të mbajnë pasaportën turke, sepse i tremben disavantazheve që mund të kenë në rast të kthimit një ditë në Turqi.