1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nëse nuk jep shembullin e mirë SHBA-ja, kush tjetër?

23 Shtator 2009

Samiti për klimën në Nju Jork është sot në qendër të komenteve në shtypin gjerman.

https://p.dw.com/p/Jms3
Kjo grua do të tregojë në Nju Jork në takimin e klimës, si është prekur ajo personalisht nga ndryshimi i klimës.
Kjo grua do të tregojë në Nju Jork në takimin e klimës, si është prekur ajo personalisht nga ndryshimi i klimës.Fotografi: James Akena

"Stuttgarter Zeitung" komenton: "Në të vërtetë nuk bëhet fjalë për më pak se sa për një të ardhme të planetit Tokë. Në këtë kuadër të gjitha shpresat drejtohen në samitin për klimën në Kopenhagë në muajin dhjetor. Deri tani negociatat paraprake kanë qenë aq të vështira sa mbrojtësit e ambjentit dhe ekspertët e klimës, i tremben një dështimi të samitit me pasoja ekologjike katastrofale."

Gazeta "Mannheimer Morgen" shkruan : "Veçanërisht e rëndë duhet të jetë për Presidentin amerikan Obama që në samitin pregatitor për konferencën e OKB-së për klimën në vendin e vet, shpresat mbështeten pikërisht tek India dhe Kina. Presidenti i Kinës Hu Jintao ka njoftuar se do të investojë në mënyrë masive në energjitë e ripërtëritshme dhe do të rrisë eficiencën. Kjo kishte kohë që duhej bërë pasi perandoria gjigante së bashku me SHBA-në janë përgjegjëse për rreth 40 përqind të sasisë së emëtuar të dioksidit të karbonit. Paradoksale është që ndërkohë janë vendet në ekspansion industrial së bashku me BE-në ato që luajnë rolin kryesor në mbrojtjen e klimës. Obama i referohet atyre për të larguar vëmendjen nga fakti që ai nuk po vepron. Ajo që kërkon tani Presidenti i SHBA-së, pra që çdo vend duhet të bëjë çfarë ka mundësi, është e barabartë me një refuzim për vendosjen e objektivave konkretë.

Mbi të njëjtën temë shkëpusim nga "Braunschweiger Zeitung": "Obligimi për një lloj qeverisjeje botërore të arsyes neglizhohet në mënyrë të pafalshme. Me sa duket në zbatimin konsenkuent të masave për mbrojtjen e klimës mbizotëron një shpirt i çuditshmën lënieje në harresë: problemet janë prej kohësh të njohura, ndryshimet përparojnë me mundim ose aspak. Ndoshta do të grishen ende shanse historike kur parajsa të tilla si Maldivet të jenë zhdukur në det."

Së fundi citojmë nga gazeta ekonomike "Handelsblatt" e cila i kushton vëmendje samitit të G-20, që zhvillon punimet këtë javë në Pittsburgh: "Të gjithë shohin nga Barack Obama, por Presidenti amerikan në vendin e tij është i rrethuar nga lobiistë bankash nga njëra anë dhe nga proteksionistë në anën tjetër. Mbrojtësit e Wall Street-it paralajmërojnë me ngulm ndaj rrezikut të dobësimit të vazhdueshëm të njërit prej instrumenteve qendrorë të pushtetit në SHBA. Për të qetësuar krahun e majtë në Kongres, Obama lejoi ta bindnin për vendosjen e taksave doganore për gomat nga Kina. Kjo tregon shumë për rëndësinë e rezultateve të G-20: vetëm një gjysmë viti më parë, pjesëmarrësit e samitit botëror për financat nënshkruan një rezolutë në të cilën angazhoheshin për të mos praktikuar masa proteksioniste. Nëse nuk jep shembullin e mirë SHBA-ja, kush tjetër?" (exh/dpa/aca)