1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nato deklaron mbështetje për Ukrainën

aud (dpa, afp)27 Shkurt 2014

Pas përmbysjes në Kiev, fqinji rus po tregon muskujt. Në Krime po rriten tensionet. Ndërkohë, forcat opozitare prezantuan kabinetin e ri qeveritar.

https://p.dw.com/p/1BG7c
Njerez ne sheshin Maidan
Fotografi: B.Kilic/AFP/GettyImages

Pak ditë pas përmbysjes në Ukrainë, Rusia po e nxeh me manovra ushtarake gjendjen gjithsesi të acaruar në vendin fqinj. Shefi i Kremlinit, Vladimir Putin urdhëroi një verifikim të aftësisë për betejë të forcave të armatosura ruse. Nga kjo preken 150.000 ushtarë të të gjitha llojeve të armëve, 90 avionë dhe 120 helikopterë si dhe deri 880 tanke, 1200 njësi të teknikës luftarake dhe 90 anije. "Të gjithë tanket do të hapin zjarr, të gjithë avionët do të fluturojnë në stil luftarak", bëri të ditur ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergej Shoigu të mërkurën (26.02.). Ai tha se gjithçka është në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare dhe se kjo nuk ka të bëjë me Ukrainën. Bëhet fjalë për gatishmëri në gjendje krize si dhe në raste kërcënimi ushtarak, tha ai.

Natoja theksoi se ajo e mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Një "Ukrainë sovrane, e pavarur dhe stabile, e cila ndihet e detyruar ndaj demokracisë dhe shtetit juridik" është me rëndësi vendimtare për sigurinë transatlantike, nënvizuan ministrat e mbrojtjes të 28 shteteve anëtare në një deklaratë. NATO-ja është e gatshme ta mbështesë Ukrainën në vënien në jetë të reformave.

Krijohet kabineti i ri qeveritar

Të mërkurën në mbrëmje, lëvizja protestuese ukrainase emëroi politikanin Arseni Jazenjuk si kryeministër të ri. I ashtuquajturi Këshill i Maidanit, në të cilin janë mbledhur krerët e lëvizjes së deritashme opozitare, e caktoi 39 vjeçarin kryetar të Partisë së Atdheut të ish-kryeministres Julia Timoshenko si kandidat për këtë post. Pritet konfirmimi i tij në post nga parlamenti. Si ministër i Financave u propozua Oleksander Shlapak, kurse si ministër i Jashtëm u propozua Andriy Deshçytsya. Në kabinet bën pjesë si ministër i Sporteve edhe Dmitri Bulatov, i cili qe rrëmbyer dhe torturuar nga kundërshtarët e opozitës.

Ndërkohë, ministri i përkohshëm i brendshëm i Ukrainës urdhëroi shpërbërjen e njësisë së policisë speciale "Berkut". Kjo njësi me 3000 pjesëtarë ishte ngritur para së gjithash për të luftuar krimet, por u shfaq në demonstratat, në të cilat javën e kaluar u vranë 82 vetë. Organizata e të drejtave të njeriut, Amnesty International kërkoi sqarimin e të gjitha rasteve të vdekjes dhe ndëshkimin e dorasve.

Acarohet gjendja në Krime

Presidenti i përkohshëm, Aleksander Turçinov e emëroi me një dekret veten si Komandant të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Vëzhguesit shohin në deklaratën e Moskës për të verifikuar gatishmërinë luftarake të ushtrisë para së gjithash një tregim muskujsh - dhe jo kërcënim të rusëve ndaj popullit "vëlla". Por në të njëjtën kohë, tek shumë ukrainas është e thellë frika se Rusia mund të përdorë edhe ushtrinë, për shembull për të mbështetur një shkëputje të zonave rusishtfolëse në Lindje dhe në Jug - pa folur për Krimenë, të cilët shumë rusë e shohin si territor të tyre.

Në këtë gadishull, të banuar në pjesën më të madhe nga rusë, ministri rus i Mbrojtjes Shoigu nisi marrjen e masave për ta mbrojtur më mirë Flotën ruse të Detit të Zi nga nacionalistët radikalë. Në kryeqytetin e Krimesë, Simferopol ka pasur shpërthime dhune midis demonstruesve antirusë dhe banorëve besnikë ndaj Moskës. Në Sevastapol, në bazën e stacionimit të Flotës së Detit të Zi, forca besnike ndaj Moskës ngritën postblloqe kufitare. Pas një votimi në rrugë, postin e kryetarit të bashkisë atje e mori rusi Aleksandar Çalyi.

Përballë aktiviteteve të trupave ruse, ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen paralajmëroi që të mos krijohet konfrontim. "Nuk do të ketë zgjidhje pa Rusinë", tha von der Leyen. Komisari i zgjerimit i BE, Stefan Füle nguli këmbë për një reformë të kushtetutës së Ukrainës deri në shtator. Ky është një element i rëndësishëm, u shpreh ai.

Ministri i Jashtëm i SHBA, John Kerry theksoi se përmbysja nuk e përkeqëson raportin midis SHBA dhe Rusisë. Shkarkimi i presidentit prorus, Viktor Janukoviç dhe reagimet ndërkombëtare nuk duhen parë si një "Perëndimi përballë Lindjes", tha Kerry në Uashington.

Zgjedhja e presidentit të ri të Ukrainës është planifikuar për më 25 maj. Politikani opozitar, Vitali Kliçko e ka shpallur tashmë kandidaturën e tij. Nëse do të kandidojë edhe ish-kryeministrja e liruar nga arresti, Julia Timoshenko, kjo mbetet e hapur. Timoshenko do t'i nënshtrohet në mars në Gjermani një trajtimi nga mjekët, për shkak të hernies diskale.