1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO-ja konstaton kolapsin e politikës së saj ndaj Rusisë

VFB21 Gusht 2008

Mbledhja e krizës që zhvilluan në Bruksel ministrat e jashtëm të NATO-s dhe pezullimi i takimeve të rregullta në Këshillin NATO-Rusia, për sa kohë trupat ruse nuk janë tërhequr nga Gjeorgjia, komentohet në shtyp.

https://p.dw.com/p/F1BE
Ministrat e jashtëm të NATO-s në Bruksel, 19 gusht 2008
Ministrat e jashtëm të NATO-s në Bruksel, 19 gusht 2008Fotografi: AP

Gazeta „Badische Zeitung“ komenton: „Aleanca Atlantike e ka pezulluar takimin, por nuk e ka shkrirë forumin, një sinjal në adresë të Moskës, që është vendosur më qartë dhe më me mençuri nga sa druhej para takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s. Fillimisht NATO nuk dinte si të reagonte dhe nuk ishte në unanimitet. Tani u gjet një kompromis, që kombinon një farë ashpërsie me një gjest të gatishmërisë për bisedime. Rusia do të bënte mirë, që këtë vendim të mos e denoncojë nga pakujdesia si një afront, por sa më shpejt të kthehet tek politika e matur. Afatgjatë arroganca e supremacisë nuk ia ka vlejtuar as për një fuqi të madhe.“


Ndryshe e vlerëson takimin në Bruksel e përditshmja „Münchener Merkur“: „Prej kohësh bota nuk ka përjetuar samit më depresiv të NATO-s. Në Bruksel aleancës iu desh të konstatojë kolapsin e politikës së saj ndaj Rusisë. Ky ishte një takim, orari i të cilit ka një forcë të pashembullt të simbolikës trishtuese: Thuajse në të njëjtën ditë 40 vjet më parë tanket ruse vërshuan për të mposhtur Pranverën e Pragës, ashtu si tani ato mbytën shpresën e gjeorgjianëve për pavarësi. Natyrisht që nuk munguan kërcënimet verbale të ministrave të jashtëm të NATO-s ndaj Moskës, por pikërisht për këtë arësye nuk u regjistrua ndonjë shtrëngim dhëmbësh nga Kremlini. Kjo sepse NATO-ja e përçarë vështirë se do t´i pasojë me hapa vendimtare fjalët, ashtu si edhe dikur në Pragë.“


Në gazetën „Leipziger Volkszeitung“ shkruhet: „Mbledhja e krizës e ministrave të jashtëm të NATO-s tregon, se me sa duket Perëndimi i pafuqishëm dhe i përçarë ka nisur të fitojë peshë. Me vendimin për të pezulluar Këshillin NATO-Rusia toni është ashpërsuar ndjeshëm. Ndonëse Moska e përgënjeshtron kategorikisht kthimin në luftën e ftohtë: Faktet flasin një tjetër gjuhë. Aparati i propagandës ruse po funksionon me ritme të larta, pothuajse si në kohën e Krushovit dhe të Brezhnjevit. Por Putinët dhe Medvedjevët janë duke i ngrënë kokën vetes.“