1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO Gipfel Ergebnisse

5 Prill 2009

Të qenët tërheqës nuk do të thotë automatikisht edhe pasje rëndësie. Kjo vlen edhe për NATO-n, e cila në Baden-Baden dhe Strasburg, festoi 60 vjetorin e saj. Aleanca transatlantike duhet të shkelë shtigje të reja.

https://p.dw.com/p/HQYm
Pjesëmarrësit e samitit të NATO-sFotografi: picture-alliance/dpa

NATO-ja i mbushi 60 vjetë. Tek njerëzit kjo është një moshë kur normalisht përgatiten për pension, por deri tani NATO-ja nuk mendon të pushojë, përkundrazi. Përsëri u anëtarësuan dy vende të reja, të tjera do të donin të anëtarësohen, por nuk munden ende. Ndërsa Franca u kthye në strukturën ushtarake pas një mungese 40 vjeçare.

Të gjitha këto flasin për atë se NATO-ja është tërheqëse në plan afatgjatë. Megjithatë kjo nuk flet aspak për rëndësinë e saj sot. Kërcënimi prej Paktit të Varshavës nuk ekziston më, por në strukturën e saj bazë, NATO-ja pasqyron ende sot shumë nga kohët e vjetra.

Për njëfarë kohe u duk sikur po rikthehej kërcënimi nga Lindja nëpërmjet një Rusie me vetëbesim, por kjo mbuloi faktin që vendet e NATO-s dhe Rusia kanë shumë interesa të përbashkëta. Presidenti Obama nxorri konsekuenca prej kësaj dhe ka ndër mend t'i afrohet Rusisë. Për këtë arsye erdhi edhe thirrja e tij për çarmatim bërthamor.

Pra kur imazhi i armikut i përket së kaluarës, cili është atëherë kuptimi i NATO-s në të ardhmen? Amerikanët duan ta zgjerojnë aleancën në një shërbim sigurie me fushë veprimi shumë më të gjerë, për sa u takon detyrave dhe përbërjes. Mbrojtje nga katastrofat, luftë kundër piratëve, sigurim gazsjellësash, masa paqeruajtëse, misione luftimi, herë bashkë me Japoninë, herë me Indinë, herë me Australinë, ndoshta madje me Kinën.

Për këtë kancelarja gjermane Merkel kishte thënë shkurtimisht para samitit: "Nuk shoh NATO globale." Ajo kërkon që të ruhet detyra thelbësore e mbrojtjes territoriale. Por këtu nuk ka kurrfarë kundërthënieje. Askush nuk do ta heqë vetëmbrojtjen kolektive.

Nga ana tjetër edhe vetë Merkel-i thotë, se për momentin Afganistani është sprova më e madhe e NATO-s. Por kur vetëm misioni i Afganistanit kërkon pothuajse 100.000 ushtarë të NATO-s, si mund të veprohet edhe në pjesë të tjera të botës, të cilat janë gjithashtu të përfshira nga flakët, pa e mbingarkuar tërësisht NATO-n e tanishme?

Rehatia e vjetër e një klubi të vogël ekskluziv as që ekziston më. Që sot NATO-ja është johomogjene dhe asaj i duhet të luftojë me konflikte të brendshme dhe kultura të ndryshme. Megjithatë, një përcaktim i ri i qartë detyre mund të disciplinojë dhe bashkojë edhe një aleancë të zgjeruar. Në fund të fundit NATO-ja nuk ka mundësi zgjedhjeje. Nëse do që të jetë edhe në të ardhmen me rëndësi, ajo duhet të jetë e hapur kundrejt detyrave dhe konfigurimeve të reja.

Autor: Hasselbach, Christoph

Përshtati: Ajazaj, Elert

Redaktoi: Cani, Bahri