1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO: Jo armë për Ukrainën

Bernd Riegert6 Shkurt 2015

NATO nuk do të dërgojë hë për hë armë në Ukrainë, por vendosi zgjerimin e mëtejshëm të trupës së reagimit të shpejtë.

https://p.dw.com/p/1EWKj
Fotografi: AFP/Getty Images/J. Thys

Dëshirën e Presidentit të Ukrainës Poroshenko për armë për ushtrinë e tij të rrethuar në Ukrainë Lindore NATO-ja hë për hë nuk do ta plotësojë. "Për këtë nuk shoh të ketë shumicë ndër partnerët e NATO-s," tha ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, pas takimit të NATO-s në Bruksel. Ajo vetë i refuzon prerë furnizimet me armë. "Edhe pse situata është mjaft shqetësuese, unë mendoj se dërgimi i armëve është mënyra e gabuar, sepse përmban një potencial për përshkallëzimin e dhunës, ngaqë mund t'i japin Rusisë një pretekst që të ndërhyjë haptazi në konflikt," tha ministrja gjermane për gazetarët në Shtabin e NATO-s.

I këtij mendimi është edhe Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe ministri amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel, i cili po largohet nga posti. "Nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake", tha Hagel. Nga ana tjetër pasardhësi i tij, Ashton Carter, tha në një seancë para Senatit në Uashington, se nuk e përjashton dërgimin e armëve për mbrojtje. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili është në Kiev, njoftoi se Presidenti Barack Obama do të vendosë "së shpejti" në lidhje me dërgimin e armëve dhe të pajisjeve vdekjeprurëse.

Treffen Nato-Verteidigungsminister in Brüssel 05.02.2015
Fotografi: AFP/Getty Images/J. Thys

Por meqë Shtëpia e Bardhë deri është kundër dërgimit të armëve në Ukrainë, diskutimi duket se një herë për një herë është shtyrë. Megjithatë disa vende të NATO-s janë duke menduar për mundësinë e furnizimit të Ukrainës me të ashtuquajtura armë dhe pajisje jo-vdekjeprurëse, si jelekë antiplumb dhe dylbi nate. NATO i ka vënë tashmë në dispozicion Ukrainës fonde për trajnime ushtarak, për sisteme kompjuterike dhe ndihma për të plagosurit.

"Jo zgjidhje ushtarake"

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg e vlerësoi nismën e fundit të kancelares gjermane Angela Merkel dhe të presidentit francez Francois Hollande për të negociuar në Kiev dhe Moskë për një armëpushim dhe një plan paqeje. "Dialogu politik është e vetmja mënyrë për të dalë nga kriza", tha ministrja holandeze e Mbrojtjes Jeanine Hennis-Plasschaert pas takimit të 28 ministrave të NATO-s. Ministrja gjermane e Mbrojtjes Ursula von der Leyen, përsëriti se apeli për të gjetur një zgjidhje paqësore u drejtohet si Rusisë e rebelëve prorusë edhe Ukrainës: "Vendimtarja është që të dyja palët të kuptojnë se ky konflikt nuk duhet të zgjidhet me mjete ushtarake." - tha Ursula von der Leyen.

Planet për të ardhmen

Baltikum NATO Militärübung
Fotografi: Getty Images

Ministrat e Mbrojtjes vendosën zgjerimin e mëtejshëm të trupës së reagimit të shpejtë që përbëhet nga 5000-7000 vetë dhe e cila në rast krize mund të dislokohet brenda disa ditësh në kufijtë e territorit të Aleancës. Këtë vit për këtë koncept po stëviten trupa nga Gjermania, Holanda dhe Norvegjia. Në pranverën e vitit 2016, forca e re do të jetë gati për përdorim. Synimi i saj është që të shërbejë si garanci dhe si siguri për partnerët e Lindore të NATO-s, veçanërisht vendet baltike, në rast të ndonjë tentative nga Rusia. Në këtë kohë do të mbahet në kryeqytetin polak Varshavë samiti i ardhshëm i NATO-s. Gjashtë vendet të mëdha të NATO-s (Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Spanja, Italia dhe Polonia) do të vënë me radhë në dispozicion kontigjentin kryesor për trupën e reagimit të shpejtë.

Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s u siguruan Gjeorgjisë dhe Moldavisë, që aspirojnë anëtarësimin në BE dhe NATO, mbështetjen e tyre. Po ashtu ata i bënë thirrje Rusisë të tërhiqet nga rajonet separatiste të Gjeorgjisë, Abkhazia dhe Osetia e Jugut.