1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO ngrin bashkëpunimin ushtarak e civil me Moskën

Angjelina Verbica/rtr, dpa, APE2 Prill 2014

Bashkëpunimi me udhëheqjen në Moskë ndërpritet. Ndërsa në anën tjetër Aleanca e NATO-s do të forcojë bashkëpunimin me Ukrainën. Në Bruksel kërkon të kuptojnë situatën reale në kufijtë me Ukrainën

https://p.dw.com/p/1BZzF
Fotografi: Reuters/Francois Lenoir

NATO ka ngrirë bashkëpunimin ushtarak dhe civil me Rusinë, por dialogun politik me Moskën do ta vazhdojë. Këto janë vendimet, që morën ministrat e jashtëm të vendeve të NATO-s në Bruksel në përgjigje të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë. Kontaktet me Moskën në Këshillin NATO-Rusi mund të vazhdojnë në nivel ambasadorësh, "për të shkëmbyer mendime, në rradhë të parë për krizën". Marrëdhëniet me Rusinë do të shqyrtohen sërish në mbledhjen e ardhshme të ministrave të jashtëm në qershor.

Bashkëpunimi me Ukrainën nga ana tjetër do të intensifikohet, për të demonstruar vendosmërinë për mbështetjen e këtij vendi. Në të njëjtën kohë sipas një zëdhënëseje bëhen përgatitje për stacionimin e mundshëm dhe përforcimin e "mjeteve ushtarake" në vendet lindore të aleancës. Ajo nuk dha informacione se për çfarë mjetesh është fjala. Përveç kësaj ushtarakët janë ngarkuar për të "shqyrtuar" planet për manovra. Gatishmëria e trupës së ndërhyrjes së shpejtë (NATO Response Force) mund të ngrihet, planifikimi ushtarak të aktualizohet.

Steinmeier frenon

Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter i kundërshtoi edhe një herë kërkesat për stacionimin e trupave tokësore të NATO-s për mbrojtjen e shteteve lindore. "Mendoj, se në situatën aktuale nuk gjej me të vertetë arsye që të vendosnim në mënyrë të njëanshme për çështje të tilla", tha ai në Bruksel. "Besoj se do të ishte me mend, (...) të mos shfrytëzojmë tani situatën aktuale, për ta ngritur edhe ca më lart spiralen e përshkallëzimit", theksoi socialdemokrati.

Steinmeier dhe Kerry në samitin e NATO-s. 01.04.2014
Steinmeier dhe Kerry në samitin e NATO-s. 01.04.2014Fotografi: picture-alliance/AP

"Nuk është parë tërheqje"

Në takimin në Bruksel Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, hodhi poshtë njoftimet për një tërheqje të pjesshme të ushtrisë ruse nga kufijtë e Ukrainës. "Për fat të keq, nuk mund të konfirmoj këtë", tha Rasmusen në kuadër të raundit të ministrave të jashtëm. "Ne shohim çdo ditë disa lëvizje tek këto trupa, por nuk kemi parë ende ndonjë tërheqje." Po të kishte tërheqje, "atëherë ne do ta dinim me siguri të madhe", tha Rasmusen i zemëruar.

Kancelarja Angela Merkel pati deklaruar, se "mund të marr vetëm atë, që më ka thënë presidenti rus". Shefi i Kremlinit Vladimir Putin e kishte informuar atë në telefon, se kishte urdhëruar tërheqjen e pjesshme. Si pasojë në Berlin u fol për sinjale "të lehta" relaksimi.