1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO përgatitet për misionin e ardhshëm

Bernd Riegert/Angelina Verbica23 Tetor 2013

Ministrat e Mbrojtjes së NATO-s kërkojnë një rol të ri për Aleancën e Atlantikut Verior pas përfundimit të operacioneve ushtarake në Afganistan. Motoja do të jetë të ndajmë dhe të kursejmë.

https://p.dw.com/p/1A4tx
Fotografi: John Thys/AFP/Getty Images

Çdo të bëhet në Afganistan pas tërheqjes së forcave ushtarake ndërkombëtare në fund të vitit 2014? Kjo pyetje sundoi në diskutimet e takimit të vjeshtës të 28 ministrave të mbrojtjes në selinë e NATO-s në Bruksel. Është e qartë se aleanca pas 13 vjetësh në operacion luftarak kundër terroristëve talebanë dhe islamikë do të përqendrohet në misionin këshillues dhe stërvitor. Përgjegjësia për sigurinë në Afganistan është që tani është në duart e ushtrisë dhe policisë afgane, e cila përfshin ndërkohë më shumë se 300.000 anëtarë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen shprehu besimin se forcat afgane të sigurisë janë në gjendje t'i mbajnë nën kontroll talebanët. "Forcat afgane kanë tani drejtimin. Ato tregojnë guxim, përkushtim dhe shumë e shumë aftësi të tjera", tha Rasmusen. Se sa e paqëndrueshme është me të vërtetë situata e sigurisë, tregon mbyllja e përkohshme e ambasadës gjermane në mes të Kabulit gjatë fundjavës së kaluar. Ajo u mbyll, sipas ministrit të Mbrojtjes Thomas de Maiziere, për shkak të rrezikut nga sulmet terroriste të islamistëve.

Anders Fogh Rasmussen, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s
Anders Fogh Rasmussen, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-sFotografi: Reuters

Forcat afgane të sigurisë në vend të NATO-s

Asociacioni i 30 organizatave joqeveritare ndërkombëtare (ENNA), që ndihmojnë popullsinë civile në Afganistan, iu drejtua me një letër ministrave të Mbrojtjes të NATO-s. Drejtori i ENNA-s, Fabio Pompetti, ankohet se në radhë të parë siguria e grave në shumë pjesë të Afganistanit nuk është e garantuar. Gratë, që mbajnë poste publike, bëhen vazhdimisht viktima të sulmeve. Pjesëmarrja vetëm një për qind e grave në forcat e sigurisë është tepër e ulët, thotë Fabio Pompetti. "Janë bërë përpjekje të mëdha për të ngritur një ushtri profesioniste në Afganistan", shkruajnë organizatat humanitare në letrën e tyre. “Por ushtria duhet të përgjigjet edhe me tej për veprimet dhe operacionet e saj. NATO duhet të garantojë, që reformat në drejtësi dhe në sundimin e ligjit kanë përparësi dhe zbatohen në të vërtetë."

Para se ministrat e Mbrojtjes të NATO-s të mund të specifikojnë, se sa ushtarë do të dislokohen pas vitit 2015 në Afganistan si trajnues dhe konsulentë në misionin "Mbështetje e Vendosur", duhet të merren edhe disa vendime. Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe Presidenti afgan Hamid Karzai ranë dakord para disa ditësh, pas shumë diskutimeve, për një marrëveshje dypalëshe, që do të rregullojë statusin dhe të drejtat e ushtarëve amerikanë në Afganistan. Detajet e marrëveshjes nuk janë bërë të njohura. Por pjesë e marrëveshjeve të tilla është gjithmonë mbrojtja e ushtarëve nga ndjekja penale prej autoriteteve lokale, thonë diplomatët e NATO-s. Kjo marrëveshje për trupat do të miratohet në mesin e nëntorit në një takim të madh të fiseve të Afganistanit. Në këtë Loja Xhirga mund të marrin pjesë edhe përfaqësues të talibanëve. "Ata janë të mirëpritur", tha organizatori i Loja Xhirgës, Sadek Modabir, në Kabul.

NATO Russland Rat Verteidigungsminister Brüssel 23.10.2013
Fotografi: Reuters

NATO-s i duhet një "Sofa" për misionin pas vitit 2014

Për trupat nga vendet e tjera të aleancës NATO do të negociojë më vonë me qeverinë afgane lidhur me statutin e trupave. "Status of Forces Agreement", në zhargonin e NATO-s “Sofa”, është parakusht, që Këshilli i Sigurimit i OKB-së vitin e ardhshëm mund të përcaktojë mandatin për misionin e ri të NATO-s "Mbështetja e Vendosur". Shifra zyrtare mbi përbërjen e trupave ministrat e Mbrojtjes të NATO-s të martën (22.10.1013) nuk dhanë. Nga qarqet ushtarake të NATO-s mësohet se bëhet fjalë për gjithsej rreth 8.000 deri 12.000 ushtarë. Pjesa më e madhe tyre vijnë nga Shtetet e Bashkuara. Operacioni aktual ISAF përbëhet nga gjithsej 87.000 ushtarë.

Tërheqja e trupave ushtarake nga Afganistani përbën një pikë kthese për NATO-n. Aleanca përfundon misionin më të gjatë dhe më të rëndësishëm në historinë e saj, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Rasmusen. Që nga viti 2015 NATO dëshiron të përqendrohet më shumë në përgatitjen e misioneve të mundshme dhe operacioneve emergjente. "Ngarkesa nga operacionet reduktohet, por domosdoshmëria politike për një aleancë transatlantike mbetet", tha zëvendës-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe ish-ambasadori amerikan në NATO, Alexander Vershbow, në një seminar për sigurinë në verë. "Kërcënimet dhe rreziqet nuk do të zhduken si me magji. Ne duhet të jemi në gjendje që në fqinjësinë tonë dhe më gjerë të përdorin të gjithë gamën e aftësive ushtarake." Shefi i NATO-s Rasmusen e bëri të qartë edhe një herë qëllimin e Ministrave të Mbrojtjes: "NATO-ja e së ardhmes është një NATO, që mbetet e përgatitur për të gjitha ngjarjet e mundshme. Për këtë ne duhet të sigurojmë që trupat tona të mund të punojnë, të luftojnë dhe të komunikojnë së bashku..."

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Thomas de Maiziere (majtas), me homologun turk, Ismet Yilmaz)
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Thomas de Maiziere (majtas), me homologun turk, Ismet YilmazFotografi: Reuters

NATO-ja e re

"Ne po i japim NATO-s një kuptim të ri", ky është sllogani në korridoret e gjata të selisë së NATO-s në Bruksel. Kjo është e nevojshme, sepse popullsia në vendet e NATO-s, veçanërisht në SHBA, është e lodhur nga operacionet dhe ndërhyrjet ushtarake. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Rasmusen konfirmoi se ristrukturimi i NATO-s duhet të vazhdojë: "Ne kemi përcaktuar disa masa shtesë për të siguruar që aleanca jonë të përdorë burimet e saj në mënyrë efektive". Deri në samitin e ardhshëm të NATO-s në vjeshtën e vitit 2014 në Britaninë e Madhe duhet të ketë rezultate konkrete për një rinovim të mëtejshëm të NATO-s.”