1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO: Shefi i ri ka shërbyer në Kore

Michael Knigge4 Maj 2016

Misione në Kore dhe në Afganistan e kanë përgatitur gjeneralin amerikan Curtis Scaparrotti mirë për rolin e ri si kryekomandant të NATO-s. Ai konsiderohet si ushtar tepër i matur - por Moska nuk duhet ta keqkuptojë këtë.

https://p.dw.com/p/1IhLF
Curtis Scaparrotti
Fotografi: picture-alliance/dpa/Jeon Heon-Kyun

Në Korenë e Jugut ai ka marrë përgatitjen ndoshta më të mirë të mundshme për rolin e tij të ri si kryekomandant i NATO-s. Në fund të fundit, Curtis Scaparrotti ishte në dy vitet e fundit të kaluara shef i ushtrisë së SHBA në Gadishullin Korean. Detyra e tij ishte balancimi i interesave të Uashingtonit me ato të vendit të tij mikpritës, Koresë së Jugut, por edhe me interesat shpesh të kundërta të fuqive rajonale si Kina dhe Japonia.

Këtu bënte pjesë edhe trajtimi i një diktatori, i cili kërcënon në mënyrë të përsëritur se do të shtypë butonin e kuq dhe do t'i sulmojë me armë atomike fqinjët e tij. Scaparrotti një sy e mbante gjithmonë të drejtuar nga regjimi i paparashikueshëm në veprime i Koresë së Veriut.

Mirëkuptim për Evropën

"Të merresh vesh me koreanët, me kinezët, me japonezët dhe të tjerë në rajon është tepër komplekse", thotë Guy Swan, një gjeneral-lejtnant në pension, i cili ka studiuar me Scaparrottin në Akademinë Ushtarake elitare amerikane West Point. "Dhe prandaj ai do ta kuptojë shumë shpejt kompleksitetin e situatës evropiane, veçanërisht edhe përsa u përket rusëve."

Po kaq e rëndësishme për rolin e tij të ri është përvoja e Scaparrottit në Afghanistan. Atje ai drejtoi në vitet 2011 deri 2012 Joint Command të trupës së drejtuar nga NATO, ISAF. "Prandaj ai nuk është i ri në lidhje me NATO-n", thotë Swan.

Përkufizim i ri i frikësimit

Përvoja e Scaparrottit në Kore dhe Afganistan është një parakusht i mirë për menaxhimin e dy detyrave të reja më të rëndësishme të NATO-s, thekson Carlo Masala, Profesor i Politikës Ndërkombëtare në Universitetin e Bundeswehrit në Mynih: "Si ta organizoj frikësimin duke pasur parasysh sjelljen ruse? Dhe si i organizoj unë forcat e armatosura të NATO-s, që ato të jenë edhe më tej në gjendje që të kryejnë operacione jashtë hapësirës së Aleancës?" Ndjekia e njëkohshme e të dyja këtyre synimeve, në një aleancë të përbërë tani me 28 anëtarë bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Curtis Scaparrotti
Curtis ScaparrottiFotografi: picture-alliance/dpa/M. Murat

Më e vështirë detyra do të bëhet megjithatë për shkak të së "çarës", që sipas Masalas po përvijohet në NATO në lidhje me Rusinë. Në një kohë që shtetet që ndodhen gjeografikisht më pranë Rusisë kërkojnë vetëm frikësim ushtarak, shtete të tjera kërkojnë një miks frikësimi dhe ofertash për negociata ndaj Rusisë. "Për Scaparrottin do të jetë një detyrë tepër delikate politike ushtarake, që të ruajë këtu balancën e Aleancës."

Njeri i konsensusit, por jo frikacak

Po nëse ekziston dikush, i cili është i përshtatshëm për të menaxhuar perspektivat e kundërta në lidhje me Rusinë, atëherë ky është Scaparrotti, thotë ish-shoku i tij Swan. "Ai është një person tepër i matur", thekson ai. "Njerëzit në komunitetin e NATO-s do të dinë ta çmojnë atë si një personalitet integrues drejtues, i cili dëgjon të gjitha palët dhe të cilit i intereson mendimi i të gjitha palëve, përpara se të marë një vendim."

Por stili i Scaparrottit i drejtuar nga konsensusi nuk duhet të ngatërrohet në asnjë mënyrë me frikën, veçanërisht kur vjen fjala për përpjekjet e përhershme të Kremlinit për të futur pyka në NATO, thotë Swan. "Ata do ta vënë re shpejt se Scaparrottit nuk i pëlqen kjo. Ata do të konstatojnë se ai është një kryekomandant, i cili angazhohet për aleancën e tij të bashkuar dhe prandaj nuk duhet ta nënvleftësojnë."