1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

260411 Frankreich Libyen Schengen

26 Prill 2011

Franca dhe Italia kanë një marrëdhënie shumë të ngushtë me Libinë. Dy vendet kanë bërë gjatë biznese me regjimin diktatorial të Gadafit dhe e kanë përdorur Libinë si mburojë prej valës së refugjatëve.

https://p.dw.com/p/1140q
Refugjatë në ishullin e Italisë Lampeduza
Refugjatë në ishullin e Italisë LampeduzaFotografi: picture alliance/dpa

Në luftën kundër Gadafit Italia dhe Franca paraprijnë. Të dy vendet qenë ndër të parët, që e lanë në baltë autokratin, duke pranuar pak më shumë se para një muaji Këshillin Provizor Kombëtar si përfaqësuesin e ligjshëm të Libisë. Të dyja vendet pritën javën që shkoi shefin e këshillit provizor, Mustafa Abdul Xhalil. Ata i premtuan për ta ndihmuar edhe tani, kur sulmet ajrore kundër Gadafit me sa duket nuk po sjellin rezultat.

"Një numër i vogël i oficerëve ndërlidhës do të ndihmojnë këshillin provizor, për të mbrojtur popullsinë civile." Këtë e deklaroi zëdhënësi i qeverisë në Paris, François Baroin, një orë më vonë e njëjta gjë u dëgjua nga Roma. Italia dhe Franca pasojnë britanikët, të cilët shpallën të parët dërgimin e këshilltarëve ushtarakë. Ushtarët europianë veprojnë kështu në tokën libiane, edhe pse Kombet e Bashkuara kanë miratuar vetëm sulmet ajrore. Zëdhënësi i Presidentit Baroin nuk sheh këtu asnjë problem: "Kështu ne qëndrojmë në mënyrë rigoroze në kuadër të rezolutës së OKB-së, sepse është me të vertetë një numër fare i vogël oficerësh ndërlidhës. Ne nuk kemi plane të vendosim trupa këmbësorie. Në asnjë rast, në asnjë mënyrë."

Britanikët dërgojnë 20 oficerë ndërlidhës. Francezët dhe italianët dërgojnë nga 10, që bëjnë 40 këshiltarë ushtarakë, në qoftë se të dhënat zyrtare korrespondojnë me të vertetën dhe nuk janë më shumë. Shumica e ushtarëve vendosen në Bengasi, bastioni i rebelëve të Gaddafi-t. Eksperti për Mbrojtjen, Jean-Dominique Merchet: "Këta ushtarë do të bashkëpunojnë drejtpërdrejt me shefat e kryengritësve. Ata koordijnojnë punën e NATO-s dhe të kryengritësve."

Schengen Ortsschild
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Parisi dhe Roma në unanimitet për ndihma ushtarake por në grindje për refugjatët

Oficerët ndërlidhës mund t'i dirigjojnë nga toka avionët e NATO-s drejt objektivave të caktuara. Një pjesë tjetër e oficerëve merret me trajnimin e rebelëve. Më shumë se kaq nuk është aktualisht, deklaron ministri francez i Mbrojtjes, Gérard Longuet, pavarësisht se rebelët kanë kërkuar armë të tjera. "Nuk mund t'ua plotësosh kërkesat të gjithëve. Në se do të dërgojmë trupa këmbësorie në Libi apo jo, këtë duhet ta mendojë bashkësia ndërkombëtare. Kjo nuk është në kompetencat tona, por të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara."

Presidenti Nicolas Sarkozy shpejtoi të shpjegojë, që kjo nuk duhet kuptuar në asnjë mënyrë, sikur Franca po ndërhyn për një rezolutë të re për Libinë, një rezolutë që lejon në mënyrë eksplicite trupat e këmbësorisë. Por shumë e kuptojnë pikërisht kështu - edhe vetë shtypi francez i afërt me qeverinë.

Kur bie fjala për ndihmën ushtarake në Libi, qeveritë në Paris dhe Romë janë të një mendimi. Por ato grinden për refugjatët nga Afrika e Veriut. Lidhur me këtë takohen të martën (26.04.2011) në Romë presidenti i Francës Nicolas Sarkozy dhe kryeministri i Italisë Silvio Berlusconi.

Që më parë ka pasur zëra, që Sarkozy do ta pezullojë përkohësisht marrëveshjen e Shengenit, me qëllim që të kontrollojë përsëri kufijtë e tij. Marrëveshja e Shengenit e vitit 1995, e cila mundëson lirinë e lëvizjes ndërmjet shteteve anëtare të BE-së, lejon kontrollet kufitare, vetëm kur është e kërcënuar siguria e brendshme e një vendi. Këshilltari i presidentit Henri Guaino e relativizoi këtë: Franca nuk do të tërhiqet në asnjë mënyrë nga marrëveshja Shengen, por ka nevojë për rregulla të reja. Guaino kritikoi indirekt qeverinë italiane, sepse ka pajisur refugjatët tunizianë me viza të posaçme. "Marrëveshja e Shengenit nuk do të thotë, që secili të bëjë, çfarë të dojë dhe problemet e veta t'ua kalojë të tjerëve. Franca kërkon klauzola të veçanta, për shembull, që në situata të jashtëzakonshme të jenë sërish të mundshme kontrollet kufitare."

Autor: C.Wöß, A.C.Heckmann / A.Verbica

Redaktoi: V.Filaj-Ballvora