1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndërrim i kartës së identitetit për keqbërësit potencialë

Bernd Gräßler15 Janar 2015

Qeveria gjermanë vendos t'u heqë kartën e identitetit xhihadistëve potencialë gjermanë. Juristët kanë rezerva. Të Gjelbërit thonë se më mirë do të ishte, që të funksiononte sistemi i Shengenit.

https://p.dw.com/p/1EKd0
Fotografi: picture-alliance/dpa/Wolfgang Kumm

Rreth 600 xhihadistë nga Gjermania sipas të dhënave të fundit të ministrit të Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, kanë shkuar deri tani në Lindjen e Mesme, për t'iu bashkuar "Shtetit Islamik (IS)". Për këtë arsye qeveria vendosi të mërkurën (14.01), që në të ardhmen të gjithë gjermanëve, për të cilët dyshohet se duan të shkojnë në luftën e shenjtë, t'u hiqet karta e identitetit. Të quajturit "problematikë" do të marrin një kartë zëvendësuese, me të cilën nuk mund të dalin nga Gjermania.

Projektligji, i cili duhet të aprovohet nga Bundestagu, nuk është një përgjigje e shpejtë ndaj sulmeve të Parisit, por është përgatitur për një kohë të gjatë në Ministrinë e Brendshme të Gjermanisë. Shkak u bë një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në shtator 2014, e cila u bën thirrje të gjitha shteteve "për të parandaluar lëvizjet e terroristëve, apo të grupeve terroriste" dhe "për të sfiduar kërcënimin, që vjen nga luftëtarët e huaj terroristë". Kjo e detyroi edhe qeverinë gjermane për të vepruar, sepse nga Gjermania muajt e fundit një numër në rritje i terroristëve të dyshuar është nisur në drejtim të Sirisë dhe Irakut, duke preferuar të kalojnë përmes Turqisë.

"Të pengohet eksportimi i terrorizmit nga Gjermania"

Zërave kritikë nga opozita, që e shohin heqjen e kartës së identitetit ndërhyrje të tepruar në të drejtat e personit, de Maizière iu kundërpërgjigj të mërkurën (14.01) në parlament: "Unë mendoj se nuk është e tepruar, në qoftë se ne kontribuojmë, me qëllim që nga Gjermania të mos ketë eksportim të terrorizmit."

Xhihadistë gjermanë në kampet e stërvitjes
Xhihadistë gjermanë në kampet e stërvitjesFotografi: picture-alliance/dpa

Deri tani ligji lejon vetëm që të dyshuarve për terrorizëm t'u hiqet pasaporta. Por shumë xhihadistë gjermanë udhëtonin dhe udhëtojnë me kartën e identitetit në Turqi dhe që andej shkojnë në Siri dhe Irak.

Heqja tani e kartës së identitetit, e miratuar nga kabineti, konsiderohet nga juristët si një çështje delikate. Kush nuk ka më kartë identiteti, thotë studiuesi i çështjeve ligjore nga Passau Gerrit Hornung për DW, nuk mund të kryejë disa punë të përditshme, duke filluar nga marrja e një pakete deri te regjistrimi në një hotel, apo hapja e një llogarie bankare. Kjo është normalisht ndërhyrje jo e justifikueshme në të drejtat e personit."

Një dokument zëvendësues, si ai që do të vendosë tani ministri i Brendshëm Thomas de Maiziere, mban në vetvete nga ana tjetër rrezikun e stigmatizimit. Dhe thotë Hornung, nëse ky dokument zëvendësues lëshohet vetëm për një grup të caktuar njerëzish dhe kur dokumenti tregohet bëhet e qartë për shembull, se personi është një "i rrezikshëm" islamik.

Karta e identitetit nuk ka shirit të kuq

Por ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maizière foli për një "variant, që i mbron të drejtat themelore", kur është fjala për një dokument tjetër në vend të kartës së identitetit. Nuk është vendosur që në kartën e identitetit të vihet një shirit i kuq dhe mbishkrimi "vlen vetëm për Gjermaninë", por karta zëvendësuese ka "të njëjtën pamje" si një kartë e përkohshme identiteti, e cila i jepet një turisti, i cili e ka humbur kartën e identitetit në Majorka. Megjithatë në kartën zëvendësuese të "të rrezikshmëve" shkruhet në të gjitha gjuhët kryesore evropiane "me të drejtë që të mos largohet nga Gjermania."

Politikanët e të Gjelbërve shohin në ligjin e mësipërm kryesisht një "politikë simbolike". Më mirë se heqja e kartës së identitetit të të dyshuarit është që kontrolli i ndalimit të daljeve të bëhet më efikas në të gjitha vendet, tha zëdhënësja për politikën e brendshme e Partisë Ekologjiste në Bundestag, Irene Mihalic. Ajo kritikoi që ndalimet e daljes nga vendi nuk janë të përfshira në sistemin informativ të shteteve të zonës Shengen. Sipas de Maizière kjo është teknikisht e mundur, por sqarimi ligjor mund të zgjasë dy vjet. Kaq shumë kohë nuk ndodhet në dispozicion.