1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Ndarja e ushqimit në botë nuk është e drejtë"

Friedel Taube / Eliana Xhani14 Tetor 2013

Ditët që vijnë lufta kundër urisë do të jetë në qendër të vëmendjes së opinionit në Gjermani, me javën e aksionit të Organizatës kundër Urisë në Botë. Presidenti gjerman Gauck inaguron hapjen e kësaj jave.

https://p.dw.com/p/19z2j
Fotografi: picture-alliance/dpa

""Mungesa e ushqimit të mirë në 1000 ditët e para të jetës, do të thotë vazhdimisht edhe një mungesë mundësish në jetën e mëvonshme." Apeli i Presidentit gjerman Joachim Gauck është i qartë: "Kjo nuk pajtohet me dinjitetin e njeriut. E drejta për ushqim të mjaftueshëm është një e drejtë e njeriut."

Të dielën (13.10.) përpara edicioneve kryesore të lajmeve në televizion, në kanalin e parë dhe të dytë, Presidenti gjerman iu drejtua qytetarëve. Fjalimi i tij shënoi fillimin e javës së aksionit. Organizata gjermane për Urinë në Botë, themeluar në vitin 1962, me aktivitete rreth Ditës Ndërkombëtare kundër urisë në 16.10., synon të inkurajojë gjermanët të angazhohen kundër urisë në botë. Java e aksionit ekziston prej vitesh, këtë herë ajo organizohet nën moton "Ndarja e ushqimit në botë nuk është e drejtë".

Organizata joqeveritare kritikon faktin që në botë ashtu si dhe më parë 842 milionë vetë vuajnë nga uria. 3,1 milionë fëmijë vdesin çdo vit për shkak të ushqimit të pamjaftueshëm, mesatarisht një çdo sekondë. Për këtë arsye organizata për luftën kundër urisë në botë, kërkon që koncepti "java e aksionit" të kuptohet në sens të mirëfilltë: gjermanët duhet të bëhen vetë aktivë për shembull në festa në shkolla, koncerte bamirësie apo mbledhje donacionesh në firma. "Secili mund të bëjë diçka", ishte kredoja e Presidentit Gauck në fjalën e tij.

Në foto: Presidenti gjerman, Joachim Gauck
Në foto: Presidenti gjerman, Joachim GauckFotografi: picture-alliance/dpa

Reflektim për sjelljen konsumatore

Roman Herre nga organizata për të drejtat e njeriut FIAN (FoodFirst Informations- und Aktions-Netzwerk), shprehet në bisedë me DW i bindur për konceptin e javës së aksionit: "Është pozitive kur përmes javëve të tilla aksioni tema e urisë vendoset më fort në fokus të ndërgjegjes dhe perceptimit të publikut dhe një pjesë më e madhe e opinionit merret me këtë skandal të urisë." Një politikë e gabuar e lëndëve të para, një politikë import-eksporti që shtyn drejt varësisë fshatarët e vegjël në jug të globit, të gjitha këto janë mangësi në sistem, shkaktare të urisë. Por edhe konsumatori final në Evropë mund të japë kontributin e tij të vogël në zgjidhjen e problemit, mendon Herre: "Mund të informohesh se nga vijnë produktet. Dhe sigurisht rëndësi ka edhe sjellja konsumatore, në mënyrë që të mos shkojnë dëm aq shumë burime."

Eksperti për të drejtat e njeriut jep një shembull, mishin. "Ne e dimë se për prodhimin e një cope mishi për konsum, nevojitet shtatë ose tetë herë më shumë ushqim. Kjo do të thotë edhe më shumë konsum burimesh si p.sh. importe ushqimi për kafshë." Herre konsideron pozitiv faktin që në Gjermani gjithnjë e më shumë njerëz dalin në rrugë për të demonstruar për një ndarje më të drejtë të burimeve.

Ndihmë lokale në vend të flukseve të vazhdueshme të parave

Tjetër mendim ka ish-gazetari i radios dhe bashkëiniciatori i "Apelit të Bonit", Kurt Gerhardt. "Apeli" kritikon ndihmën aktuale për zhvillim të vendeve të industrializuara dhe kërkon një politikë më të mirë lokale. "Fati i njerëzve vendoset në Afrikë dhe jo në rrugët dhe sheshet tona, ku njerëzit mblidhen dhe ndoshta dhurojnë edhe para", thotë Gerhardt në bisedë me DW. Javën e aksionit të Organizatës kundër Urisë në Botë, ai e konsideron megjithatë pozitive: "Kjo jep gjithnjë një impuls sado të vogël tek njerëzit, të cilët janë të lëkundur dhe deri tani nuk kanë dhuruar por që në të tilla aktivitete mendojnë 'Ndoshta mund të jepja dhe unë një herë'. Për të arritur njerëz të tillë java e aksionit është instrumenti i duhur."

Për Gerhardt është e rëndësishme që paratë e mbledhura të mbërrijnë vërtet tek nevojtarët, p.sh. në Afrikë. Kjo në fund të fundit do të shpëtonte jetë. Por Gerhardt dhe kolegët e tij nga "Apeli i Bonit" kritikojnë objektivin e Kombeve të Bashkuara, sipas të cilit 0,7 për qind e të ardhurave kombëtare bruto duhet të përdoren për ndihmën për zhvillim. "Duhet të jemi të kujdesshëm në vendimin për të dërguar edhe më shumë para në Afrikë. Përfytyrimi se më shumë para do të thotë edhe më shumë zhvillim është gabim shumë i rrezikshëm." Në vend të kësaj duhet ofruar ndihmë në vend për luftimin e korrupsionit dhe ngritjen e një sistemi ekonomik funksionues.

Në foto: Gazetari, Kurt Gerhardt
Në foto: Gazetari, Kurt GerhardtFotografi: DW

"Mbështesni Organizatën kundër Urisë në Botë", me këtë lutje përfundoi fjala e Presidentit Gauck në televizion. Se sa shumë do të angazhohet gjermanët do të shihet ditët që vijnë: java e aksionit e Organizatës kundër Urisë në Botë vazhdon deri në 20 tetor.