1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndihmë me kusht! - Gjermania do t'i ofrojë garanci kreditimi Greqisë

27 Prill 2010

Gjermania do ta ndihmojë Greqinë e goditur rëndë nga kriza, por kjo do të jetë një ndihmë e kushtëzuar brenda procedurave parlamentare. Këtë e bëri të qartë, kancelarja gjermane, Angela Merkel në Bundestag

https://p.dw.com/p/N7Bp
Angela Merkel duke folur në BundestagFotografi: AP

Gjermania do t'i japë përkrahje financiare Greqisë, këtë e bëri të qartë kancelarja gjermane në Berlin. Por kjo, vetëm nëse Greqia është e gatshme të ndërmarrë një kurs të rreptë masash kursimi, shtoi menjëherë kancelarja gjermane. "Tani është e rëndësishme, që Greqia të bëjë të qartë në mënyrë të besueshme, që do të ndjekë udhën e një zhvillimi të qëndrueshëm, për të rifituar fuqinë e saj ekonomike dhe financiare. Kjo nuk është puna e një viti, Fondi Monetar Ndërkombëtar negocion programe që i kapërcejnë ato tre vjeçare."

Berlini nuk e pati të lehtë vendimin

Fillimisht Berlini zyrtar donte të priste rezultatin e bisedimeve mes FMN-së dhe qeverisë greke. Këto me sa duket do të zgjasin disa ditë, sipas vlerësimit të qeverisë gjermane, deri në fundjavën tjetër.

Merkel: "Kur të negociohet një program i tillë dhe kur të bëhet e qartë, se për këtë nuk ka alternativë tjetër, pra kur të kemi situatën e një ultima ratio - të mjetit të fundit - atëherë Gjermania do të vërë në veprim vendimet përkatëse të kabinetit dhe do të nisë procedurën parlamentare. Pra po e them shumë qartë: Gjermania do të ndihmojë, po qe se plotësohen kushtet e duhura për këtë."

Schäuble / Finanzminister / Bundestag
Ministri gjerman i Financave, Wolfgang SchäubleFotografi: AP

Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble kishte informuar më parë kryetarët e fraksioneve parlamentare mbi ndihmën e mundshme për Greqinë dhe procedimin teknik të lëvrimit. Kontributi gjerman në paketën evropiane të shpëtimit do të vihet në dispozicion nga banka gjermane për rindërtimin KfW.

Qeveria gjermane do të ofrojë garanci kreditimi, por kjo duhet të sanksionohet me ligj. Schäuble: "E dimë të gjithë, që nuk do të jetë një konsultim dhe vendim i thjeshtë parlamentar. E dimë gjithashtu qëndrimin e opinionit publik gjerman mbi këtë temë. Por duhet sërish e sërish të sqarojmë: Këtu nuk bëhet fjalë për një mënyrë moskokëçarëse veprimi me paratë e taksapaguesve, nuk bëhet fjalë për fonde buxhetore, bëhet fjalë për një garanci kreditimi, dhe për stabilitetin e valutës së përbashkët."

NO FLASH Griechenland Finanzkrise
Greqia nuk ia del dot vetëm. Papandreu u kërkoi ndihmë ditën partnerëve të BE-sëFotografi: AP

Kritika ndaj mënyrës së trajtimit të krizës greke në media

Politikanë të opozitës kërkuan nga qeveria marrjen pa vonesë të vendimeve. Sekretarja e Përgjithshme e partisë socialdemokrate (SPD), Andrea Nahles tha se me qëndrimin e saj hezitues, Angela Merkel gati po i fton spekullantët t'i ngrenë në majë normat e interesit për Greqinë.

Ndërsa kryetarja e partisë së të Gjelbërve, Claudia Roth akuzoi politikanët e koalicionit dhe mediat për ndezjen e një atmosfere antigreke në vend. "Ne në kryesinë tonë jemi të gjithë të shokuar për përmasën e toneve nacionaliste dhe shprehjeve shoviniste. Jemi të shokuar se si përhapen ndjenja antigreke kaq pa skrupuj . Në disa media një gjë e tillë kap kufijtë e një fushate urrejtjeje." Edhe Sekretari i Përgjithshëm i së Majtës, Dietmar Bartsch kritikoi deklaratat e ardhura nga radhët e partisë kristiansociale CSU dhe asaj liberale FDP. Bartsch theksoi se në ndihmën për Athinën nuk bëhet fjalë për Greqinë, por për stabilitetin e euros.

Autor: Bettina Marx / Lindita Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti