1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndihma gjermane për Marsejën

23 Dhjetor 2012

Marseja 2013 ofron një maratonë të vërtetë të ngjarjeve të jashtëzakonshme kulturore. Kjo bëhet me mbështetjen gjermane. Programi për kryeqytetin kulturor të Evropës është bashkëplanifikuar nga gjermani Ulrich Fuchs.

https://p.dw.com/p/177zi
Marseja - kryeqyteti kulturor
Marseja - kryeqyteti kulturorFotografi: picture-alliance/dpa

Në dollap janë bërë pirg dosjet, tavolina është mbuluar me harta, njoftime mbi programin dhe broshura. Në zyrën e Ulrich Fuchs vërehet se po bëhet punë intensive. Ndërsa turistët dhe banorët vendas ngrohen në diell para kafeneve të portit vetëm pak metra larg, menaxheri për kulturën ndodhet nën presionin e kohës për të përfunduar detajet e fundit të programit për ngjarjet kulturore. Ai ndodhet nën një trysni të madhe. 61 vjeçari është zëvendësdrejtor i aktivitetit kulturor "Marseille-Provence 2013" dhe pranimi si kryeqytet kulturor do të ketë sukses nëse Marseja përfundimisht do të zhdukë imazhin e keq si në një bastion i kriminelëve.

Pamje nga muzeu CeReM në Marsejë
Pamje nga muzeu CeReM në MarsejëFotografi: DW/R. Bosen

I pyetur nëse në kushte të tilla ai e bën me qejf punën e tij, Fuchs duket për një çast sikur e ka marrë malli për qiellin e kaltër ndriçues, një pjesë e të cilit mund të shihet përmes dritares, pastaj ai përgjigjet: "E pra, puna është shumë e vështirë. Shpesh fundjavat janë të mbushura me udhëtime pune apo me shërbime në terren." Ai pothaujse ka harruar se kur ka pasur herën e fundit 10 ditë pushim pandërprerë. Megjithatë, ai e bën me shumë qejf punën e tij. "Kështu pra është vetë privilegji për t'u angazhuar në një qytet. T'i dëgjosh njerëzit dhe me ta të thurrësh edhe më tej idetë e ndryshme. Për pesë vjet ke një rol kyç në zhvillimin urban dhe kjo më bën që shpesh të harroj stresin."

Ulrich Fuchs, menaxher gjerman për aktivitetet artistike në Marsejë
Ulrich Fuchs, menaxher gjerman për aktivitetet artistike në MarsejëFotografi: DW/ R.Bosen

E nevojshme dhuntia diplomatike

Të paktën fizikisht Fuchs duket se është në gjendje t'i përballojë të gjitha ngarkesat. Me një madhësi prej rreth 1,9 metra dhe formën e tij kompakte, ai duket si dikush që është mësuar për të kryer punë të rënda fizike. Kërkesat ndaj tij janë të larta. Në pozicionin e tij si zëvendësdrejtor ai jo vetëm që duhet të ketë njohuri të shumta për skenën kulturore ndërkombëtare, por edhe të jetë organizator i mirë dhe të jetë në gjendje për të lëvizur në mënyrë të sigurtë në skenën politike. Dhuntia diplomatike pra është një kusht tjetër pothuajse i vetkuptueshëm për këtë pozitë.

Pamje në të ardhmen - Marsejë kryeqytet kulturor i Evropës
Pamje në të ardhmen - Marsejë kryeqytet kulturor i EvropësFotografi: DW/R. Bosen

Fakti që francezët kanë zgjedhur pikërisht një gjerman për një projekt të tillë kaq prestigjioz të befason vetëm në fillim. Përgjegjësit në Marsejë ia kanë ofruar Fuchsit këtë post për shkak se ai është një ekspert i njohur. Që nga viti 2000, Ulrich Fuchs merret me proceset e kryeqyteteve kulturore. Fillimisht në Gjermani e më vonë në Linz të Austrisë, ku ai ishte po ashtu zëvendësdrejtor. Në Evropë, nuk ka shumë artistë apo krijues të cilët kanë shoqëruar dy ose tre procese të tilla.

Përveç kësaj, në vitin 2013 do të shënohet edhe 50 vjetori i nënshkrimit të Traktatit të Elizesë për pajtimin franko-gjerman. Kështu që bashkëpunimi gjermano-francez në Marsejë ka edhe një domethënie shumë simbolike. Për më tepër, thotë Fuchs është shumë mirë, në qoftë se një i huaj hedh vështrimin e tij nëpër qytet sepse shpesh ai vëren gjëra të cilat për vendasit janë bërë të vetëkuptueshme dhe nuk janë në gjendje më të dallojnë fuqinë apo dobësinë e tyre."

Përmendore kundër persekutimit njerëzor

Këtu ai mbështet nga një staf prej 70 vetash. Në Maison Diamantée, një ndërtesë e futur në listën e objekteve të mbrojtura, e cila daton nga shekulli i XVI-të ata kanë përpiluar një program të shfaqjeve prej 360 faqesh. Përveç ekspozitave dhe koncerteve të cilësisë së lartë artistike në qendër të vëmendjes do të jenë edhe çështjet politike. Për shembull, guidë përmes ish kampit të internimit në Les Milles pranë Aix-en-Provence.

Pamje nga kampi i internimit Les Milles në Francë
Pamje nga kampi i internimit Les Milles në FrancëFotografi: DW/T. Ach

Nga shtatori i vitit 1939 regjimi kolaboracionist i Vishit (Vichy) i cili bashkëpunonte me Gjermaninë naziste, arrestoi mbi 10 mijë vetë. Në fillim Les Milles fillimisht ka shërbyer si një kamp internimi për gjermanët dhe austriakët të cilët kishin ikur nga nazistët, si piktori Max Ernst dhe shkrimtari Lion Feuchtwanger. Më vonë, ai u bë një stacion ndërlidhës për deportimin e hebrenjve në Aushvic. Sot Les Milles është një përmendore kundër persekutimit njerëzor.

Një tjetër temë qendrore e Marsejës 2013 është integrimi i emigrantëve. Qyteti port i Marsejës është si një portë hyrëse tradicionale e Afrikës së Veriut në Evropë dhe ndodhet më afër Algjerit se sa Parisit. "Marseja është një urë lidhëse midis kontinentit arabo-afrikan dhe kontinentit evropian dhe kjo ishte si të themi objektivi i shpallur tematik për programin e këtij viti", sqaron Fuchs. Kështu që pjesëmarrja e artistëve që vijnë nga ana tjetër e Detit Mesdhe është e madhe. Ndër të tjera kështu tematizohen edhe kthesat në botën arabe.

Autor: Ralf Bosen / Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi