1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndihma gjermane për veriun e Kosovës

Ajete Beqiraj21 Nëntor 2013

Gjermania ndan 2 milionë euro për komunat veriore të Kosovës. Fondi synon zhvillimin e veriut të Kosovës, fuqizimin e shoqërisë civile dhe normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

https://p.dw.com/p/1ALoP
Fotografi: Fotolia

Për shkak të zhvillimeve politike përgjatë 14 viteve, ka qenë e pamundur shtrirja e kontributit të qeverisë gjermane edhe në komunat veriore të Kosovës. Por, me zgjedhjet komunale të 3 nëntorit të mbajtura për herë të parë edhe në Leposaviq, Zveçan, Zubin-Potok dhe Mitrovicë të veriut, qeveria gjermane shpreson në ndryshimin e rrethanave të cilat do të mundësojnë përfshirjen e veriut në kuadër të bashkëpunimit zhvillimor. Në këtë frymë, Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe Ministria e Punëve të Jashtme që në tetor ka bërë zotimin e dy milion eurove për projekte zhvillimore në veri të Kosovës si dhe përkrahjen e procesit të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, thotë për DW-në Matthias Kiesler, i ngarkuar i Përkohshëm me Punë në Ambasadën Gjermane, në Prishtinë. "Njerëzit në veri kanë nevojë për perspektiva të qarta, posaçërisht në fushën ekonomike. Ndaj jemi të bindur se projektet kuptimplota të cilat kanë për qëllim përmirësimin e kushteve të jetës së qytetarëve në veri, mund të kontribuojnë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi", thotë z.Kiseler, sipas të cilit, qeveria gjermane dëshiron të dërgoj sinjal që mbështetja e veriut mund të kontribuojë në forcimin e strukturave të legjitimuara në mënyrë demokratike si dhe në forcimin e shoqërisë civile.

Në foto, Matthias Kiesler
Në foto, Matthias KieslerFotografi: Deutsche Botschaft

MEF: Prioritare, projektet për integrimin e veriut të Kosovës

Qeveria Federale e Gjermanisë që nga paslufta ka mbështetur Qeverinë e Republikës së Kosovës me mbi 420 milionë euro, në kuadër të bashkëpunimit ndërshtetëror në fusha të ndryshme. Ndërsa, në kuadër të bashkëpunimit bilateral, kjo qeveri është zotuar për ndarjen e mjeteve në vlerë prej 2 milion eurosh për veriun e Kosovës për cfarë do të diskutohet në negociatat ndërqeveritare të radhës, thonë për DW-në nga Zyra për Informim e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave të Kosovës. "Aktualisht jemi në fazën fillestare të diskutimeve me Qeverinë Gjermane në procesin e identifikimit të projekteve që do të financohen. Sidoqoftë, ekziston orientimi që përparësi t'u jepet projekteve të cilat në fokus kanë procesin e integrimit të komunitetit në atë pjesë të vendit me theks të veçantë në qytetin e Mitrovicës", thuhet në përgjegjen e MEF-së.

E paqartë e ardhmja e Zyrës Administrative në Veri

Zyra Administrative në veri, është hapi i parë drejt themelimit të komunës veriore të Mitrovicës në procesit të decentralizimit mbi bazën e Planit Ahtisari. Ky është institucioni i vetëm i Republikës së Kosovës, i cili funksionon në veri me qëllim të ofrimit të shërbimeve të qytetarëve në këtë zonë. Por, edhepse zyra ka marrëdhënie të mira me të gjitha ambasadat në Kosovë, pas përfshirjes së komunave të veriut në zgjedhjet e Republikës së Kosovës, e ardhmja e saj është e paqartë dhe me këtë edhe mundësia e përfshirjes në këto projekte bashkëpunimi, thotë Adriana Hoxhiq, shefe e kësaj zyreje. "Ne jemi të njoftuar se qeveria gjermane ka ndarë 2 milion euro për zhvillimin e veriut dhe normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Mirëpo, meqënse Zyra Administrative në Veri në njëfarë forme është komunë teknike e themeluar pa zgjedhje për t' iu ofruar shërbime qytetarëve, pas zgjedhjeve të 1 dhjetorit dhe me themelimin e komunës së Mitrovices së veriut, fati i kësaj zyre nuk dihet...", thotë z.Hoxhiq.

Në foto, Adriana Hoxhiq
Në foto, Adriana HoxhiqFotografi: DW/A. Beqiraj

Brenda 14 viteve 420 milionë donacione për Kosovën

Republika Federale e Gjermanise me mbi 420 milionë euro në projekte të implementuara prej vitit 1999 nëpërmjet Organizatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombtar(GIZ) dhe Bankës për Rindërtim (KfW), është donatori i tretë më i madh në Kosovë, pas SHBA-ve dhe BE-së. Ndërsa, me 2 milionë eurot e vëna në dispozicion nga qeveria gjermane, synohet zhvillimi i veriut të Kosovës dhe përkrahja e procesit të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, thotë z.Kiesler, sipas të cilit fondi do të menaxhohet nga Ambasada Gjermane së bashku me partnerët implementues në Kosovë, ndërsa zbatimi është planifikuar të fillojë kah mesi i vitit të ardhshëm.