1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndihma për popullsinë palestineze dhe rindërtimi i Rripit të Gazës vendimtare

Christoph Hasselbach26 Janar 2009

Një javë pas armëpushimit në Lindjen e Mesme MPJ të BE-së të autoriteteve palestieneze, Egjiptit, Jordanisë dhe Turqisë po debatojnë në Bruksel për një armëpushim të përhershëm dhe për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore.

https://p.dw.com/p/GgJ6
BE-ja përgatitet për rindërtimin e Rripit të Gazës
BE-ja përgatitet për rindërtimin e Rripit të GazësFotografi: picture-alliance/ dpa / DW

Në plan të parë tani është ndihma e popullsisë palestineze dhe rindërtimi i Rripit të Gazës. Ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt, mendon se kushtet e rënda të jetës në Rripin e Gazës janë edhe shkaku i dhunës palestineze.

"Është vendimtare prania në Rripin e Gazës me qëllim që njerëzit atje të kenë jo vetëm të drejtën e mbijetesës, por edhe të jetojnë. Në qoftë se atyre u jepet mundësia e një jete normale, me siguri që nuk do të ndërmarrin gjëra të pakuptimshme nga dëshpërimi." - tha Bild.

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, shpreson se palestinezët do të ndihmohen nga mbarë bota: "Duhet të përgatitemi për rindërtimin e Rripit të Gazës. Mendoj se është një sinjal i mirë që iniciativat vijnë edhe nga vetë rajoni. Egjipti ka paralajmëruar një konferencë donatorësh, që do të thotë se bota arabe do të marrë pjesë në rindërtimin. Evropa me siguri që nuk do të rrijë duarkryq."

BE kërkon bashkëpunimin e grupeve të përçara palestineze

Një pengesë serioze jo vetëm për rindërtimin, por edhe për procesin e paqes në Lindjen e Mesme dhe krijimin e shtetit palestinez, është përçarja mes vetë palestinezëve. Fatahu është në pushtet në Jordanin Perëndimor, ndërsa Hamasi në Rripin e Gazës. Ministri i Jashtëm çek dhe udhëheqësi i radhës së BE-së, Karel Schwarzenberg, kërkon bashkëpunimin e grupeve të përçara palestineze.

"Mendojmë se pajtimi i grupeve palestineze dhe vendosja e tyre pas Presidentit Mahmud Abaz është parakusht për hapa të tjerë." - tha Karel Schwarzenberg.

Pjesa më e rëndësishme e kësaj fjalie është "vendosja pas presidentit Abaz." Kështu mendon edhe Ministri i Jashtëm i autoriteteve palestineze, Riad al-Maliki që i përket lëvizjes Fatahu: "Ne besojmë në idenë e unitetit territorial të Jordanit Perëndimor, të Gazës dhe të udhëheqësisë së përbashkët autonome. Ajo është përfaqësuesi i vetëm legjitim jo vetëm në Jordanin Perëndimor por edhe në Rripin e Gazës. Kjo udhëheqësi është njohur jo vetëm prej vendeve arabe, por edhe nga mbarë bota."

Po në Gazë pushtetin e ka Hamasi. Maliki vetë e ka të qartë se përçarja palestineze mund të çojë deri në ndarjen e përhershme e territoreve.

Kthesë në diplomacinë evropiane

Ministri i Jashtëm britanik, David Miliband, foli për një kthesë në diplomacinë evropiane ndaj Lindjes së Mesme. Miliband tha se BE-ja duhet të ketë një rol më të rëndësishëm në mbarë botën, pra edhe në Lindjen e Mesme:

"Konfliktet më të reja në Lindjen e Mesme janë një shenjë e dështimit diplomatik. BE-ja do të jetë në qendër të përpjekjeve të reja për gjetjen e zgjidhjes përmes krijimit të dy shteteve në Lindjen e Mesme. Presidenti amerikan Obama, zonja Clinton e tani edhe ndërmjetësuesi George Mitchell e kanë bërë të qartë se këto përpjekje do të jenë një pikë e rëndësishme në politikën e jashtme amerikane."

Mirëpo këtu kemi të bëjmë edhe me një lloj konkurrence. Suedezi Carl Bildt, për shembull, kishte mendim pozitiv ndaj paralajmërimeve amerikane për t'u angazhuar më shumë në Lindjen e Mesme përmes ndërmjetësuesit George Mitchell.

(BC/PP)