1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndihmohet kthimi i shqiptarëve në veri

Ajete Beqiraj / Mitrovicë10 Korrik 2012

Ndërkohë që rreth 10 mijë qytetarë vazhdojnë të jetojnë si të zhvendosur tash 13 vjet, aksioni humanitar “Ndihmo edhe ti”, po bën me kulm mbi kokë rreth 40 familje shqiptare.

https://p.dw.com/p/15UgD
Fotografi: DW

Në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, e cila fillon në të djathtë të Urës së Ibrit, Regjë Avdiu 44 vjeç, me familjen e tij katër anëtarëshe së shpejti do të fillojë një jetë krejt ndryshe nga ajo që ka jetuar deri më tani. Dhe kjo, falë aksionit “Ndihmo edhe Ti”, thirrjes së të cilit iu përgjigjen me të madhe njerëzit vullnetmirë, duke zëvendësuar vendbanimin e tij të varfër me një shtëpi të re. Dhe kështu, lajmi për ndërtimin e kësaj shtëpie për këtë familje mbetet lajmi më i mirë në jetë. “U gëzova shumë...Bile edhe qava! Nga gëzimi kanë qarë edhe gruaja e fëmijët. Të gjithë jemi gëzuar që na kanë mbaruar shpinë. Edhe kryetari ka ardhë për urime. E tash gati e mbaruan...”.

Kryebashkiaku Avni Kastrati në një nga takimet me banorë të veriut
Kryebashkiaku Avni Kastrati në një nga takimet me banorë të veriutFotografi: Ahmet Jashari

37 shtëpi për të zhvendosurit e veriut nga donatorët

“Remy Company” është vetëm njëri nga të dhjetëra donatorët, të cilët iu përgjigjen thirrjes së aksionit humanitar “Ndihmo edhe ti”. 23 vjeçarin Behxhet Alaj, punëtor i ndërmarrjes “Suhodolli” i angazhuar nga donatori për suvatimin e kësaj shtëpie, tashmë ka filluar punën e tij. “Kemi ardhë t´i ndihmojmë kësaj familjeje dhe do t´iu ndihmojmë shumë familjeve si kjo. Jemi tejet të kënaqur pse mund të bëjmë diçka për këto familje që kanë nevojë për ndihmën tonë që të mund të rikthehen në trojet e tyre. Unë i kisha lut të gjithë shqiptarët te kthehen nëpër shtëpitë e veta. Ndërsa, secili prej nesh do t´i ndihmojë ata në bazë të mundësive!”

Pamje gjatë kryerjes së punimeve
Pamje gjatë kryerjes së punimeveFotografi: DW

10 mijë shqiptarë të zhvendosur dhe 400 prona të uzurpuara

Sipas komunës së Mitrovicës edhe 10 mijë shqiptarë të veriut vazhdojnë të jetojnë si të zhvendosur. Pjesa dërmuese e tyre në të katër qendrat kolektive të qytetit, përderisa 400 prona të shqiptarëve vazhdojnë t´iu mbahen të uzurpuara. Si rrjedhojë, vie edhe nevoja për aksionin humanitar “Ndihmo edhe ti”, i cili pas mbrëmjes humanitare në qershor i bëri me kulm mbi kokë 37 familje. Ahmet Jashari, zëdhënës i komunës së Mitrovicës thotë për DW-në se:

Në foto, Ahmet Jashari
Në foto, Ahmet JashariFotografi: DW

“Vetëm në mbremjen humanitare janë premtuar mbi një milionë e gjysmë euro nga qytetarët tanë brenda dhe jashtë vendit. Ka edhe prej politikanëve të cilët tashmë i kanë realizuar premtimet e veta. Ndërsa, nga kompanitë vendore janë premtuar 37 shtëpi, dhjetë prej të cilave janë në rindërtim e sipër, 6 të tjera filluan të hënën, përderisa një familje tashmë është vendosur në shtëpinë e re. Puna po ec mirë, kompanitë vendore kanë filluar punën brenda një afati të shkurtër në Lagjen e Boshnjakëve, te Tre Rrokaqiejt si dhe do të vazhdojmë punën edhe në lagjet e tjera veriore të Mitrovicës, duke vazhduar me familjet që kanë më së tepërmi nevojeë. Prandaj, ne ju jemi mirënjohës të gjithë atyre që na kanë mbeshtet dhe të cilët kanë ringjall traditën e solidaritetit, meqënse me buxhetin e komunës ka qënë e pamundur të mbështeten këta banorë”.

Sfida të shumta për kthimin e shqiptarëve në vëri

Rindërtimi i shtëpive dhe kthimi i shiptarëve në veri s´është aspak i lehtë, duke pasur parasysh rrethanat dhe situatën fragjile të sigurisë në veri, me barriera të shumta dhe pengesa të lirisë së lëvizjes. Ditë më parë janë lëshuar edhe disa vendime me vulën e administratës së UNMIK-ut në veri, me anë të të cilave iu kërkohet pronarëve të shtëpive që brenda një afati të caktuar të ndërpresin punimet. Por, gjatë një takimi të kryetarit të komunës Avni Kastrati me zëvendësshefin e UNMIK-ut në Kosovë, Robert E.Sorenson është sqaruar se shtëpitë e rrënuara mund të ndërtohen pa leje, ndërsa duhet të pajisen me leje të gjithë ata që duan të ndërtojnë shtëpi të reja. “Ka persona kryesisht të komunitetit serb që punojnë në administratën e UNMIK-ut në veri, të cilët kanë marr vendime të tilla tendencioze kokë më vete, për të penguar rindërtimin e shtëpive dhe rikthimin e shqitparëve atje, çfarë nuk e kanë bërë me serbët të cilët në kohën kur shqiptarët kanë kërkuar të ndërtojnë në trojet e veta janë refuzuar, ndërsa serbëve iu është dhënë leje ndërtimi për ndërtesa shumëkatëshe në pronat e blera nga shqiptarët”, sqaron Ahmet Jashari.

Pamje nga veriu i Mitrovicës
Pamje nga veriu i MitrovicësFotografi: DW

Ndërtimi i shtëpive mbështetet edhe nga qeveria e Kosovës

Ndërkohë, me mbështetjen e pushtetit lokal dhe të atij qendror, vazhdon ndërtimi i shtëpive të tjera në veriun e Mitrovicës. Njëra prej tyre është edhe shtëpia e 37 vjecarit Ahmet Prishtina, i cili i gezohet pa masë rikthimit në truallin e të parëve të tij. “Qeveria na ka ndihmu vetëm me material ndërtimor, ndërsa punën e dorës e kemi paguar vet, çfarë na vështirëson punën. Kemi jetu n´shpi t´huaj deri tash. Tash jemi n´përfundim të shtëpisë dhe pas pak do të vijmë të banojmë. Me t´thanë të vërtetën, për shkak të situatës gjithmonë prezente është edhe frika. Mirëpo s´kemi ku shkojmë përtej pragut të derës!”

Në foto, Ahmet Prishtina
Në foto, Ahmet PrishtinaFotografi: DW

Shqiptarët e veriut në pozitë të vështirë

Përderisa, Istref Voca Magjera, veteran i arsimit të cilit, sipas tij, tash 13 vjet i është uzurpuar banesa në veri, më në fund do të vendoset në truallin e lëshuar nga komuna, buzë Lumit Ibër. "Prej pas luftës kam jetuar nëpër shtëpi të huaja me qira, derisa qeveria jonë e ka vendosur me na zgjidhë çështjen e banimit. Kemi tentuar me shku n´banesë, por s´ka gjasa se aty banojnë serbët e ardhur prej vendeve tjera... Besoni, ne jemi n´pozitë shumë të palakmueshme se veç kush e ka provuar e din sa e vështirë është me qenë i huaj n´vendlindjen tënde...”.

Në foto, Istref Magjera
Në foto, Istref MagjeraFotografi: DW