1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndjenjë përgjegjësie, angazhim dhe pak arrogancë - Helmut Shmiti bëhet 90 vjeç

Matthias von Hellfeld23 Dhjetor 2008

Ai ishte kancelari i pestë i RFGJ-së

https://p.dw.com/p/GM4E
Ish-kancelari Helmut Shmit duke pirë cigare këtë të mërkurë në Berlin para hapjes së ekspozitës së fotografit Jozef "Jup" Darhinger (Josef "Jupp" Darchinger) mbi kancelarin Shmit.Fotografi: AP

Nga viti 1974 deri në 1982 si kancelar ai mbante njërin prej posteve më të rëndësishme politike në Republikën Federale të Gjermanisë. Mandati i tij si kancelar qëlloi në një kohë, kur Gjermania përballej me sfida të shumta politike dhe ekonomike. Gati 30 vjet më vonë Helmut Shmit (Schmidt) vazhdon të vlerësohet si komentues i ngjarjeve politike. Me rastin e 90 vjetorit të lindjes së politikanit socialdemokrat Matias fon Helfeld (Matthias von Hellfeld) kujton stacionet më të rëndësishme të karrierës së tij.

"Kjo qeveri i është përkushtuar kontinuitetit të politikës social-liberale." Më 17 maj 1974 – Helmut Shmiti arriti kulmin e karrierës së tij politike. Ai u zgjodh kancelari i pestë i Republikës Federale të Gjermanisë. Ai është pasues i Vili Brantit (Willy Brandt), i cili dha dorëheqjen për shkak të zbulimit të një agjenti të RDGJ-së në zyrën e kancelarisë, e quajtur afera Gijom (Guillaume). Një karrierë e tillë nuk ishte e parashikuar.


Helmut Shmit lindi më 23 dhjetor 1918 në Hamburg – Barmbek. Pasi mbaron gjimnazin në vitin 1937 atë e rekrutojnë në shërbimin e punëve të Rajhut dhe më pas në Vermaht (ushtria e Rajhut). Në frontin e Lindjes më vonë ai, siç është shprehur vet, e kupton që lufta është një marrëzi e madhe. Ai nuk do ta harrojë kurrë këtë përvojë.


Helmut Schmidt
Kancelari Helmut Shmit gjatë një prezantimi në emisionin "Meet the Press" të stacionit EnBiSi në Nju-Jork në dhjetor 1974.Fotografi: AP

Pas luftës ai angazhohet në Partinë Socialdemokrate të Hamburgut dhe zgjidhet senator i punëve të brendshme i qytetit të Hanzës. Në kohën që një stuhi me baticë të madhe shkurtin e 1962 kërcënon qytetin dhe njerëzit, ai vepron energjikisht pa asnjë mëdyshje. Kjo e bën atë të njohur edhe përtej kufijve të qytetit.


Gjatë atyre ditëve Helmut Shmiti fiton prerstigjin si një njeri i veprave, që në rast nevoje heq dorë prej rregullave të ngurta të administratës. Kjo aftësi nuk i shërbeu atij në funksionin e kryetarit të grupit parlamentar të socialdemkratëve në kohën e koalicionit të gjerë mes socialdemokratëve dhe kristiandemokratëve nën kancelarin Kurt Georg Kizinger (Kiesinger).


Në vitin 1969 Shmit bën një ngjitje tjetër të madhe në karrierë. Në koalicionin e parë mes socialdemokratëve dhe liberalëve ai emërohet ministër i brendshëm. Pas zgjedhjeve në vitin 1972 ai drejton Ministrinë e Financave. Përvojat në këto poste i dhurojnë atij premisat për t´u bërë kancelar e kësisoj për të mbuluar postin më të rëndësishëm të Republikës Federale.


Mandati i tij si kancelar mes viteve 1974 -1982 karakterizohet prej recesionit të parë botëror, krizës së naftës dhe rritjes së papunësisë në Gjermani. Ndaj problemeve ekonomike Helmut Shmiti reagon me programe për koniunkturën. Ai hedh idenë e organizimit të një takimi të nivelit të lartë për ekonominë botërore midis vendeve më të rëndësishme ekonomike. Me iniciativën e tij këto takime organizohen rregullisht qysh nga viti 1975.


Shmitit i duhet të manaxhojë edhe sfida të llojeve krejt të ndryshme. Terrori i ekstremistëve të majtë të Fraksionit të Ushtrisë së Kuqe kërcënon shtetin gjithnjë e më shumë. Për t´iu kundërvënë vrasjeve të terroristëve Shmit reagon energjikisht, prej nga del në pah edhe një anë emocionale e kancelarit. Në kulmin e së ashtuquajturës "vjeshta gjermane 1977" rrëmbehet Presidenti i Shoqatës së Punëdhënësve Hans-Martin Shlajer (Schleyer). Partia Kristiandemokrate i bën thirrje Shmitit që në luftën kundër terrorit të shfuqizojë përkohësisht disa rregulla demokratike. Reagimi i tij nxjerr në pah demokratin e angazhuar, i cili ende vazhdonte të ruante përshtypjet nga modeli tronditës i nacionalsocializmit: „Sprova pa dyshim konsiston në atë, që ne sigurinë nuk duhet ta përdorim kundër lirisë. Ne mbrohemi kundrejt valës së intolerancës, që disa duan ta përhapin në vendin tonë. ...“


Për këtë qëndrim shteti paguan një çmim të rëndë, sepse ai nuk mund t´i shpëtojë jetën Hans-Martin Shlajerit.


Në fillim të viteve 80-të del në pah, që Shmiti nuk kishte pas vetes shumicën e socialdemokratëve, kur ishte fjala për vendimin e dyfishtë të NATO-s lidhur me dislokimin e raketave të reja në Gjermaninë Perëndimore. Njëkohësisht në koalicionin mes socialdemokratëve dhe liberalëve kishin dalë në pah krisjet. Helmut Shmit kërkon zgjedhje të reja. Në këto zgjedhje ai nuk fiton kundrejt unionit kristiandemokrat/kristiansocial dhe liberalëve.


Helmut Shmiti jep dorëheqjen, por ai mbetet i pranishëm në opinionin gjerman. Sot ai është botues i gazetës së njohur të përjavshme „Die Zeit“ dhe vazhdon të vlerësohet si komentues i zhvillimeve politike.