1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndryshime në kabinetin qeveritar në Shqipëri

Arben Muka4 Prill 2013

Mesnatën e së mërkurës Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dekretoi ndryshimet e propozuara pak më herët nga Kryeministri Sali Berisha për ndryshimet në kabinetin e tij qeveritar.

https://p.dw.com/p/189Og
Fotografi: AP

Në postet ministrore që mbaheshin nga Lëvizja Socialiste për Integrim, ish-aleate e të djathtëve në qeverisje, janë dekretuar Aldo Bumçi si ministër i Punëve të Jashtme, Halim Kosova si ministër i Shëndetësisë, Visar Zhiti si ministër i Kulturës, Florion Mima në drejtimin e Ekonomisë, në një kohë që ministri aktual i Arsimit Myqerem Tafaj, u dekretua edhe në postin e zëvendëskryeministrit. Vetëm pak pasi ia paraqiti propozimet Presidentit të Republikës, kryeministri në një prononcim në rrjetet sociale i përshkoi ata si "njerëz të shkëlqyer, profesionistë të nivelit të lartë në fushën e tyre dhe gjerësisht të respektuar nga opinioni publik".
Kur kanë mbetur më pak se tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, kryeministri Sali Berisha u detyrua t'i bënte këto ndryshime në kabinetin e tij, për shkak të tërheqjes zyrtare që bëri nga koalicioni qeveritar partia LSI e drejtuar nga Ilir Meta, pasditen e së mërkurës (03.04.2013). Ilir Meta pranoi një ftesë nga kryetari i PS-së Edi Rama për aleancë parazgjedhore në votimet e 24 qershorit.

Ajo që pritet me interes do të jetë votimi në parlament i dekreteve të presidentit, të cilat konsiderohen dhe si testi i parë për mazhorancën pas largimit nga bashkëqeverisja e LSI-së. Kushtetuta parashikon që drejtimi i ministrive mund të bëhet dhe me zëvendësministra në rast se emrat e dekretuar për ministra nuk kalojnë me shumicë të thjeshtë votash në parlament. Një precedent i tillë ka ndodhur para vitit 2005, në qeverinë e ish -kryeministrit Fatos Nano.