1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndryshimet klimaterike mund të pengojnë progresin e Shqipërisë

Ani Ruci / Tiranë11 Qershor 2008

Një projekt i qeverisë së Tiranës dhe PNUD-it, përfshin Shqipërinë në përpjekjet globale për të ruajtur biodiversitetin e zonave, të vlerësuara pasuri kombëtare dhe boterore.

https://p.dw.com/p/EHzo
Fotografi: AP

Ndikimi i ndryshimeve klimaterike në shoqëri dhe në ekonomi në nivel global nuk kanë mbetur jashtë vëmendjes së Qeverisë së Tiranës dhe organizatave të ndërkombëtare të pranishme në vend. Me një projekt të ri të lancuar sot Shqipëria përfshihet në lëvizjen botërore për të minimizuar pasojat negative të ndryshimeve klimaterike.

Projekti quhet "Identifikimi dhe Implementimi i Masave për Adaptim ndaj Ndryshimeve të Klimës në Deltat e Lumenjve Drini – Mati.” Ai është një partnership mes Qeverisë së Tiranës dhe zyrës qëndrore të Pogramit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, apo PNUD-it, që do të realizohet në kuadër të Programit Një OKB.

Në një komunikatë shtypi të zyrës së PNUD-it në Tiranë citohet raporti i fundit i OKB-së mbi Ndryshimet Klimatike. "Ky raport, "thekson komunikata, "ka konfirmuar ngrohjen e klimës, gjë që ndikon në aktivitetin njerëzor dhe jetën social – ekonomike. Ashtu si vende të tjera, edhe Shqipëria, nuk ka imunitet nga dukuri të tilla si rritja e nivelit të detit, shkrirja e akujve, ngjarjet ekstreme, thatësirat, përmbytjet, ngrohja dhe ndryshimet në ekosistemet. Këto dukuri ndikojnë edhe në Shqipëri, pavarësisht sasisë së shkarkimeve të gazeve me efekt serrë që është smë i pakët se shumë vende të tjera të botës."

Në bazë të studimeve të ekspertëve vendas ndryshimet klimaterike në Shqipëri priten të shfaqet me ngritje të temperaturës, pakësim të sasisë së rreshjeve dhe rritje të nivelit të detit.

Kambanat e alarmit po bien në Tiranë. Nëse nuk merren masa në kohë, ky ndikim mund të çojë në vonimin e progresit që po bën Shqipëria për të arritur Objektivat e Mijëvjeçarit. Tanimë janë identifikuar sektorët dhe fushat që janë më të rrezikuara nga ndryshimet e klimës. Ato janë burimet ujore, energjia e prodhuar nga burimet ujore, zona bregdetare, ekosistemet dhe bujqësia.

Zona e Deltave të Lumenjve Drini – Mati, ku do të realizohet ky projekt, njihet për vlerat e saj të rëndësishme lidhur me biodiversitetin, në kuadër global dhe kombëtar, Projekti synon ë kombinojë ndikimin e pafavorshëm te ndryshimve klimaterike me përpjrekjet për ruajtjen e biodiversitetit global.

Një nga objektivat e tij prioritare është identifikimi i nevojës urgjente për të marrë në konsideratë ndikimet e shumta të ndryshimeve të klimës në të gjitha planet, për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm në këtë zonë. Projekti do të identifikojë dhe zbatojë masa nëpërmjet një kombinimi të ndërtimit të kapaciteteve teknike dhe institucionale vendase.Ato do të përfshijnë: rivendosjen e habitatit të dunave bregdetare, modifikimin e planeve të mbrojtjes së zonës midis Deltës së Lumenjve Drini – Mati dhe masave adaptuese të tjera lidhur me pejsazhin e kësaj zone. Kohëzgjatja e projektit është 4 vjet dhe financohet nga Fondi për Mjedisin Global, Qeveria Shqiptare, PNUD-i dhe Qëndra Rajonale e Mjedisit.