1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

050510 USA EU Beziehungen

5 Maj 2010

Të mërkurën 5.5. zv/presidenti i SHBA-së Joe Biden udhëton për në Evropë. Ai viziton Brukselin dhe Madridin dhe flet para Parlamentit Evropian. Do të bëhet fjalë edhe për masat e përbashkëta në luftën kundër terrorizmit

https://p.dw.com/p/NEkw
Zv/presidenti i SHBA-së Joe BidenFotografi: AP

Por evropianët presin më shumë. Sipas tyre marrëdhëniet transatlantike vitet e fundit kanë vuajtur, pasi qeveria e Obamës ka lënë pas dore Evropën në favor të Azisë.

Gjatë një vizite në kryeqytetin e SHBA-së Jerzy Buzek bëri të qartë miqësisht, por prerë se mes SHBA-së dhe Evropës ka disa gjëra, që duhen përmirësuar. Presidenti i Parlamentit Evropian u takua ndër të tjera me ministren e Jashtme amerikane Hillary Clinton. Në konferencën e përbashkët për shtyp Buzek deklaroi se luftimi i ngrohjes së klimës është një temë, për të cilën mes evropianëve dhe amerikanëve ka dallime të qarta.

"Ne në BE themi shpesh se SHBA-ja nuk e mbështet aspak këtë luftë. Ne e dimë se amerikanët kanë një metodë të ndryshme, por duhet të analizojmë, se përse është kështu. Ndoshta e kemi ne gabim, por ndoshta edhe ju."

Jerzy Buzek Polonicus
Kryetari i Parlamentit Evropian, Jerzy BuzekFotografi: DW

Të gjallërohet dialogu transatlantik

William Kennard nuk e pranon këtë kritikë. Ambasadori amerikan në Bruksel deklaron se SHBA dhe Evropa janë të një mendjeje se ndryshimi i klimës paraqet një kërcënim ekzistencial për planetin. Në Uashington ai tha për Deutsche Wellen se problemi është Kongresi në SHBA:

"Nëse presidenti do të mund të miratonte vetë ligjet, do të kishim prej kohësh një ligj për klimën, për këtë jam plotësisht i sigurt."

Presidenti Obama, paraqitja e të cilit në samitin për klimën në Kopenhagë u vlerësua në përgjithësi zhgënjyese, vazhdon të jetë i vendosur të çojë përpara legjislacionin për klimën. Në shumë fusha, sipas Kennard, Evropa dhe SHBA-ja bashkëpunojnë. Ai përmend përpjekjet e përbashkëta në konfliktin bërthamor me Iranin dhe misionin ushtarak për rindërtimin e Afganistanit.

"Unë pra e hedh poshtë mendimin se SHBA-ja është larguar nga Evropa, apo se e ka humbur atë nga sytë. Madje do të thosha se Evropa është vendosur akoma më shumë në qendër të vëmendjes."

E megjithatë presidenti i SHBA-së Obama në fillim të këtij viti anuloi pjesëmarrjen e tij në samitin e ardhshëm të radhës evropiano-amerikan. Evropianët, u tha në Uashington, nuk arrijnë as të bien dakord se ku do të mbahet samiti dhe se kë nga politikanët evropianë duhet të takojë Obama: Herrman Van Rompuy-in, Presidentin e BE-së, kryeministrin spanjoll José Luis Rodríguez Zapatero, që ka kryesinë e radhës të BE-së, apo presidentin e Komisionit të BE-së, José Manuel Barroso.

Botschafter William E. Kennard
Ambasadori William E. KennardFotografi: DW

Por a nuk është e vërtetë se që prej hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Lisbonës evropianët flasin me një zë? Përgjigja surprizë dhe diplomatike e ambasadorit Kennard është se:

"... asnjëherë amerikanët nuk kanë pritur që Evropa të flasë me një zë!"

Kështu është edhe në SHBA presidenti nuk mundet gjithnjë të përcaktojë drejtimin dhe shembulli është legjislacioni për klimën. Marrëveshja e Lisbonës mbështetet nga SHBA-ja, thotë Kennard, dhe amerikanët presin që Evropa të jetë më e gatshme në vendimmarrje para së gjithash në politikën e jashtme.

"Marrëveshja e Lisbonës është një hap tjetër drejt integrimit evropian. Ne e konsiderojmë atë një hap pozitiv, por e dimë se do të duhet kohë për ta zbatuar. Kjo mund të jetë frustruese, pasi shumë gjëra janë konfuzuese dhe nuk dihet saktë se ku çon e gjitha. Por në përgjithësi ne jemi shumë të kënaqur."

Kennard pranon se me siguri do të duhet kohë, derisa të bëhet realitet ajo, çka presidenti i Parlamentit Evropian Jerzy Buzek shpalli në Uashington si objektiv të bashkëpunimit transatlantik: Atlantiku të mos jetë gjë tjetër veçse një det i brendshëm.

Autor: Christina Bergmann/Eliana Xhani

Redaktoi: Angjelina Verbica