1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Neglizhencë për mosgjetjen e personave të zhdukur

Bekim Shehu/Prishtinë 29 Gusht 2008

Në Kosovë, familjarët që kanë persona të zhdukur gjatë luftës, kritikojnë qeverinë dhe mekanizmat ndërkombëtarë për neglizhencë. Rreth 2.000 vetë janë ende të zhdukur.

https://p.dw.com/p/F7Fz
Fotografi: picture-alliance/dpa

Zbardhja e fatit të mijëra personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, vazhdon të jetë një çështje shumë e ndjeshme, zgjidhja për të cilën duket e largët. Familjarët që kanë persona të zhdukur, kritikojnë qeverinë dhe autoritetet ndërkombëtare për neglizhencë, ndërsa, thonë se qeveria e Beogradit duhet të vëhet para presionit ndërkombëtar, që të japë informata mbi të zhdukurit e Kosovës. Qeveria e Kosovës, në mungesë të fuqisë për të ndikuar tek autoritetet e Beogradit që të japin informacione mbi të zhdukurit, si ngushëllim për familjarët, ka hartuar një projektligj, sipas të cilit familjet që kanë të zhdukur do të marrin një shumë të hollash. Mirëpo, familjarët që kanë persona të zhdukur tashmë e kanë humbur besimin tek qeveria e vendit.

Haki Kasumi, nga asociacioni i familjeve të të zhdukurve, thotë se familjarët të paktën nuk do të ndalojnë protestat. Një vit më parë, autoritetet kosovare dhe ato të Beogradit, rifilluan bisedat për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, mirëpo, ato u ndërprenë me afrimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në këto biseda, ndërmjetësues ishte Kryqi i Kuq Ndërkombëtar. Përfaqësuesit e kësaj organizate, thonë se mungesa e informatave për të zhdukurit si nga autoritet serbe ashtu edhe nga ato të Kosovës, ka bërë që procesi të ngecë.

Autoritetet e Serbisë, që nga përfundimi i luftës, 19 herë radhazi dërguan në Kosovë trupat e pa jetë të shqiparëve të vrarë gjatë luftës dhe të zbuluar në disa varreza masive në Serbi. Ishin varrezat masive në Batajnicë dhe Perurac afër Beogradit, ku u zbuluan afro 800 trupa të shqiptarëve. Mirëpo, zyrtarë nga Kryqi i Kuq, thonë se akoma nuk dihet fati edhe i 1500 personave të tjerë. Sipas tyre, kjo çështje tash ka të bëjë më të drejtat e njeriut dhe ajo duhet trajtuar me sinqeritet përballë familjeve të viktimave dhe shoqerisë kosovare. Autoritet ndërkombëtare thonë se, zgjidhja e fatit të personave të zhdukur dhe ballafaqimi me të kaluarën do ta drejtojë shoqerinë në tërësi nga një e ardhme më e mirë.