1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Negociatat për emrin vazhdojnë

Fatos Musliu / Shkup15 Prill 2008

Në këtë fundjavë në Shkup do të qëndrojë ndërmjetësi i OKB-së për zgjidhjen e kontestit të emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, Metju Nimic.

https://p.dw.com/p/DiF2
Mathew Nimitz në Shkup
Mathew Nimitz në ShkupFotografi: Dragan Todorovski

Metju Nimic do të kërkojë nga autoritetet e Shkupit vazhdimin e negociatave me Athinën për gjetjen e zgjidhjes së pranueshme për emrin për të dyja palët. Deklarata e ministres së punëve të jashtme të Greqisë, Dora Bakojani, se Athina do të përdorë veto për marrjen e datës së fillimit të negociatave për antarësim të Maqedonisë në BE, nëse deri në fund të këtij viti nuk gjendet zgjidhje për çështjen e emrit, ka trazuar shpirtrat në Maqedoni. Ambasadori i Maqedonisë, i cili njëherit është edhe negociator për çështjen e emrit, Nikolla Dimitrov, thotë se për në një sukses të plotë në negociatat për emrin kushtetues është e nevojshme miratimi i një platforme shtetërore mbi partiake e përbërë prej të gjithë aktorëve relevantë në vend.

"Derisa platforma nuk siguron mbështetje të gjerë, atëherë partitë politike duhet të dalin me alternativat e mundshme të cilat nuk e antarësojnë Maqedoninë në NATO dhe BE, nëse mund të ekzistojë alternativë e tillë," thotë Dimitrov. Gjithnjë sipa tij pika kyçe kryesore në këtë platform duhet të jetë çështja e identitetit. "Linja e kuqe e cila në asnjë moment nuk duhet të tejkalohet është kombi dhe gjuha maqedonase, sepse pa këto dy atribute nuk ka ardhmëri për maqedonasit," shprehet ambasadori Dimitrov.

Për ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare, zgjidhja e çështjes së emrit më mirë mund të ketë epilog pas samitit të Bukureshtit. "Zgjedhjet e parakohshme nuk do ta dëmtojnë procesin e negociatave, sepse pas tyre tani qëndrojnë SHBA-të dhe NATO-ja," thotë profesori universitar Vllado Popovski.

Analisti i çështjeve ndërkombëtare, Mahi Nesimi thotë se në Maqedoni pas samitit të NATO-s në Bukuresht është krijuar një klimë më reale për zgjidhjen e kontestit të emrit. "Natyrisht, mjaft mirë ka ndikuar edhe sqarimi plotësues se me ndërrimin e emrit të shtetit nuk cënohet identiteti dhe gjuha kombëtare e maqedonasve,"-thotë Nesimi.