1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Negociatat "vendimtare" në Bruksel

Bahri Cani13 Dhjetor 2013

Në Bruksel zhvillohet sot (13.12.) raundi i 20 i bisedimeve mes kryeministrave të Kosovës Hashim Thaçi dhe Serbisë Ivica Daçiq. Takimi vlerësohet si një prej më të rëndësishmëve.

https://p.dw.com/p/1AYfT
Fotografi: The Council of the European Union

Baronesha Chaterine Ashton, e cila ndërmjetëson në këtë dialog mes kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë do të paraqesë me 17 dhjetor raportin e saj për ecurinë e negociatave. Mbi bazën e këtij raporti do të vendoset nëse Serbia do të marrë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian apo jo. Tema kryesore e këtij takimi do të jetë funksionimi i organeve juridike në komunat me shumicë serbe, në veçanti në veri të Kosovës. Por me siguri që do të preken edhe çështje të tjera. Në takimin e kaluar kryeministrat Thaçi dhe Daçiq kanë rënë dakord për kalimin e pjesëtarëve të deritanishëm të policisë që paguhej nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë në Policinë e Kosovës. Por Beogradi nuk është i kënaqur me faktin që në vlerësimet e para të organeve kosovare është konstatuar që shumë pak prej pjesëtarëve të policisë serbe i plotësojnë kushtet që të jenë pjesë e kuadrit udhëheqës në policinë e Kosovës, në veri të vendit dhe në komunat e banuara me shumicë serbe.

Sqarime shtesë

Deri tani nuk janë kumtuar zyrtarisht shkaqet, por bëhet e ditur se pala serbe do të kërkojë shpjegime të mëtejshme lidhur me këto vlerësime.

Në Bruksel do të jetë edhe zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq, çka thekson rëndësinë e takimit. Pa Vuçiq vlerësohet se nuk mund të merret asnjë vendim serioz, pasi ai udhëheq edhe partinë më të madhe në koalicionin qeveritar, Partinë Përparimtare Serbe (SNS).

Zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq
Zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandar VuçiqFotografi: picture alliance / dpa

Pala serbe shpreson që negociatat me përfaqësuesit e BE për anëtarësim do të fillojnë në fund të dhjetorit dhe më së largu në pjesën e dytë të janarit. Por disa qarqe diplomatike janë të mendimit se qeveria serbe duhet të japë garanci shumë të qarta se do të respektojë deri në fund Marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Kosovën, para se të fillojnë negociatat. Sidoqoftë, tema e normalizimit të plotë të raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës do të jetë edhe pjesë e kapitujve që do të negociohen mes Serbisë dhe BE-së për anëtarësim.

Marrëveshjet e tjera

Zëdhënësja e baroneshës Ashton, Maja Koncijançiq ka bërë të ditur se në Bruksel do të qëndrojë edhe ministri serb i Mbrojtjes Nebojsha Rodiq, i cili do të nënshkruajë një marrëveshje për bashkëpunim me Agjencinë Evropiane për Mbrojtje. Pritet që sot në Bruksel të nënshkruhet edhe një marrëveshje për bashkëpunimin mes Odës ekonomike të Kosovës, Serbisë dhe Agjencisë Evropiane të Odave Ekonomike.

Sidoqoftë, autoritetet evropiane shpresojnë se do të arrihen marrëveshje të cilat do të mundësojnë që të shkohet më tej në procesin e afrimit të Serbisë dhe Kosovës me BE. Por askush prej tyre nuk mendon që negociatat e sotme do të jenë të lehta, sepse bëhet fjalë për funksionimin e organeve juridike dhe aplikimin e ligjeve. Deri tani në komunat serbe në veri janë respektuar vetëm ligjet e Serbisë. Në të ardhmen kjo duhet të ndryshojë.