1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Neonazistët kishin me sa duket shumë ndihmës

22 Nëntor 2011

Personalitetet drejtuese të organeve të sigurisë informuan komisionin për çështjet e brendshme të Bundestagut gjerman.

https://p.dw.com/p/13EbD
Neonazistët Uwe Mundlos, Beate Zschäpe dhe Uwe Böhnhardt
Neonazistët Uwe Mundlos, Beate Zschäpe dhe Uwe BöhnhardtFotografi: picture alliance/dpa/Polizeidirektion Suedwestsachsen/dapd/DW Fotomontage

Deri tani ka qenë fjala për katër keqbërës, që duhej të ishin përgjegjës për dhjetë vrasje me motive ekstremiste të djathta ndërmjet viteve 2000 dhe 2007. Tani po zhvillohen hetime kundër nëntë të tjerëve, konfirmoi Ministri i Brendshëm Federal, Hans-Peter Friedrich, të hënën (21.11. 2011), pas një seance jopublike të Komitetit Brendshëm të Bundestagut gjerman në Berlin. Në takim krahas Friedrich-ut merrte pjesë edhe kryetari i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV), Heinz Fromm, dhe shefi i Zyrës Federale të Kriminalistikës (BKA), Joerg Ziercke.

Çfarë është bërë gabim? Kryetari i Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës Fromm dhe shefi i Zyrës Federale të Kriminalistikës Ziercke
Çfarë është bërë gabim? Kryetari i Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës Fromm dhe shefi i Zyrës Federale të Kriminalistikës ZierckeFotografi: dapd

Komisioni i i brendshëm përbëhet nga deputetë të pesë partive politike, të përfaqësuara në parlament. Ata këmbëngulin për zbulimin e shpejtë të serisë së vrasjeve. Kryetari kristiandemokrat i forumit, Wolfgang Bosbach, tha pas takimit, që zgjati disa orë, se ai kurrë nuk ka parë "kaq shumë gabime". Propozimi i Ministrit të Brendshëm i së premtes së kaluar për të krijuar një qendër të mbrojtjes kundër terrorizmit të djathtë dhe për të futur një bankë të dhënash për autorët ekstremistë gjeti mbështetje në Komision.

Mangësi strukturore në arkitekturën e sigurisë

Defekte strukturore në arkitekturën e sigurisë gjermane ishin me sa duket vendimtare, që tre të dyshuarit kryesorë të mund të kalonin në ilegalitet në vitin 1998, edhe pse ato për vite me rradhë kanë qenë nën vrojtim nga mbrojtja kushtetuese e landit të Thuringisë. Ky gabim ka çuar në spekulimin, se mbrojtës së kushtetutës të paguar nga shteti dhe agjentë, mund të kishin qenë të implikuar në vrasjet dhe veprat e tjera penale. Më shumë dritë në këtë çështje mund të hedhë e akuzuara e arrestuar Beate Zschäpe, që deri tani ka refuzuar të dëshmojë. Dy bashkëpunëtorët e saj të dyshuar, Uwe Bëhnhardt dhe Uwe Mundlos, kishin kryer vetëvrasje. Trupat e tyre u gjetën të djegur. Hetuesit dhe politikanët kanë një "numër të madh pyetjesh të pazgjidhura," tha eksperti i Partisë së Gjelbër për çështjet e brendshme, Wolfgang Wieland. Në qoftë se në hetime nuk do të ketë asnjë përparim, ai e konsideron të mundshëm vendosjen e një komisioni dhe një prokurori të posaçëm.

Deputetja e së Majtës: Terrorizmi i djathtë për vite me rradhë, "është nënvleftësuar".

Dëshmi ka patur mjaft: politikanja e së Majtës, Ulla Jelpke
Dëshmi ka patur mjaft: politikanja e së Majtës, Ulla JelpkeFotografi: Deutscher Bundestag/Lichtblick/Achim Melde

Kjo nuk është hera e parë që deputetët duhet të merren me çështjet e shërbimeve sekrete gjermane. Nga viti 2006 deri në vitin 2009  Komisioni për hetimin e shërbimit sekret u muar me çështjen se çfarë roli luajnë autoritetet dhe politikanët në luftën kundër terrorizmit islamik. Shumë pyetje mbeten pa përgjigje megjithë një punë disavjeçare. Nevoja e ndryshimit të të menduarit është e pashmangshme, thotë politikania e partisë e Majta, Ulla Jelpke. Terrorizmi i djathtë për vite me rradhë, "është nënvleftësuar". Megjithëse kjo temë është shtruar disa herë për diskutim në parlament, tha Jepke duke patur parasysh sulmet në Rostock, Hoyerswerda dhe Mëlln, ku ka pasur edhe viktima.

Çfarë përmban DVD e dytë?

Shumë pyetje pa përgjigje vazhdojnë të preokupojnë Prokurorinë Federale në Karlsruhe. Një zëdhënës tha të hënën se nuk ka ende asnjë provë për një bashkëpunim të mbrojtjes së kushtetutës me të dyshuarit, të cilët duke iu referuar  vendndodhjes së tyre të fundit quhen "celula e Zwickaut." Në rrënojat e banesës së tyre të djegur në qytetin e Saksonisë është gjetur një video. Një e dytë, sipas të dhënave një DVD e dëmtuar rëndë nga zjarri, nuk është mundur ende të vlerësohet.

Muslimanët përshëndesin ceremoninë përkujtimore

"Sinjali i duhur": Aiman Mazyek
"Sinjali i duhur": Aiman MazyekFotografi: privat

Për viktimat e terrorizmit të djathtë do të ketë një ceremoni qëndrore të përmortshme. Kryetari i parlamentit, Norbert Lammert (CDU), e konfirmoi këtë në fundjavë. Ceremonia do të përgatitet bashkërisht nga zyra presidenciale, nga Bundestagu gjerman dhe Qeveria Federale. Më parë Presidenti Christian Wulff kishte njoftuar se do të takohet me familjarët e viktimave. Në diskutime do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Bundestagut dhe të qeverisë federale. Kryetari i Këshillit Qendror të myslimanëve në Gjermani, Aiman Mazyek, përshëndeti ceremoninë përkujtimore si "sinjalin e duhur". Ceremonia mund të përfshinte disa elemente fetare, të tilla si një recitim të Kuranit, tha ai në një intervistë në shtyp.

Autor: Marcel Fürstenau/Angjelina Verbica
Redaktion: Eliana Xhani