1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Netanjahu Kommission

9 Gusht 2010

Kush ishte përgjegjës për dhunën e shkaktuar gjatë udhëtimit humanitar të një anijeje turke në ujrat e Rripit të Gazës në maj? Këtë çështje do të trajtojnë këtë javë Komisioni i OKB-së dhe një komision izraelit.

https://p.dw.com/p/OfKK
Nëntë pasagjerë turq në anijen "Mavi Marmara" gjetën vdekjen
Nëntë pasagjerë turq në anijen "Mavi Marmara" gjetën vdekjenFotografi: AP

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu dëshmoi për herë të parë para komisionit hetimor për hetimin e ndërhyrjes së përgjakshme të forcave izraelite kundër flotës humanitare për Gazën. Para komisionit Netanjahu e mbrojti, ashtu siç pritej, si legjitime ndërhyrjen e marinës izraelite. Netanjahu. "Marina jonë nuk kishte asnjë rrugëdalje tjetër, veç ndalimit të anijes. Në pesë anije nuk pati rezistencë, dhe si pasojë as të plagosur. Në anijen e madhe ngjarja rrodhi tërësisht e paplanifikuar. Ajo nuk ishte një anije dashurie, ishte një anije e urrejtjes. Ata nuk ishin pacifistë, as aktivistë të paqes. Ata ishin mbështetës të dhunshëm të terrorizmit." Deri të mërkurën do të pyeten edhe ministri i Mbrojtjes, Ehud Barak dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gabi Aschkenasi se kur dhe në çfarë mase ata kishin qenë të informuar për aksionin ushtarak.

Pikëpyetje lidhur me sulmin në anijen turke "Mavi Marmara".
Pikëpyetje lidhur me sulmin në anijen turke "Mavi Marmara".Fotografi: AP

Kush ka qenë i informuar dhe sa

Komisioni hetimor drejtohet nga ish-gjyqtari Jakob Turkel dhe mban emrin e tij. Komisioni Turkel në opinionin izraelit konsiderohet si një tigër pa dhëmbë. Kompetencat e komisionit u zgjeruan vetëm pas kritikave të shprehura në media.

Tani komisioni mund të marrë në pyetje edhe dëshmitarë, madje edhe nën betim. Por ky komision përveç shefit të shtabit të përgjithshëm nuk lejohet të marrë në pyetje ushtarët. Dy anëtarët ndërkombëtarë të komisionit ndër ta edhe nobelisti irlandez i paqes David Trimble, kanë statusin e vëzhguesit. Komisioni Turkel duhet të verifikojë nëse Izraeli e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, kur kapi anijet e flotiljes së ndihmës dhe nëse kjo ndërhyrje ka qenë proporcionale.

Pati përleshje edhe të shtëna

Thirrjet e nxituara me altoparlant mëngjesin e 31 majit dëshmojnë qartë, se komandoja izraelite ka qenë e mbingarkuar, në kohën kur hasi në rezistencën në bordin e anijes turke "Mavi Marmara". Pati përleshje. Pati edhe të shtëna. Në fund nëntë pasagjerë turq në anije gjetën vdekjen, një pjesë e tyre me të shtëna nga afër në kokë. Një hetim i brendshëm i ushtrisë rezultoi, se ushtarët kanë vepruar në emergjencë për vetëmbrojtje. Kryehetuesi Giora Eiland. „Ajo që më gëzon është, se nga hetimi mbi rrjedhën e këtij operacioni të komplikuar dhe të pështjelluar rezulton nga njëra anë nuk ka pasur turbullira dhe neglizhime, nga ana tjetër vërehen gabime në vendime të ndryshme, që janë marrë kryesisht prej eprorëve."

Kush ishte përgjegjës për dhunën në anijen "Mavi Marmara"?
Kush ishte përgjegjës për dhunën në anijen "Mavi Marmara"?Fotografi: AP

Kryesia e ushtrisë i ka dërguar me mision ushtarët pa informacione të mjaftueshme dhe pa një "plan B" në bordin e anijes, ky është konkluzioni i hetuesve ushtarakë. Komisionit Turkel në radhë të parë do t' i interesojë të dijë, se sa mirë kanë qenë të informuar ministri i Mbrojtjes Ehud Barak dhe shefi i shtabit të përgjithshëm Gabi Aschkenasi. Të dy këta pas dështimit të përgjakshëm deklaruan, se qysh përpara kanë pasur dyshime. Çështja thelbësore që shtrohet është, se përse ky aksion u vu në jetë dhe përse as ministri Barak dhe as shefi i shtabit Aschkenasi nuk ndërhynë.

Autor: Tim Assmann/ Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Aida Cama